Komisioni disiplinor i Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA) gjobiti Federatën Kroate të Futbollit (HNS) me 50 mijë franga zvicerane për sjelljen e disa tifozëve në ndeshjen e Kupës së Botës në Katar kundër Kanadasë.
Në atë ndeshje, një pjesë e tifozëve kroatë ofenduan portierin kanadez Milan Borjan, i cili ka origjinë serbe.
Në tribuna u shfaq edhe një poster me përmbajtje fyese, ka bërë të ditur FIFA.
“Federata Kroate e Futbollit u gjobit me 50,000 franga zvicerane për shkelje të nenit 16 të Kodit Disiplinor të FIFA-s (përdorimi i fjalëve dhe objekteve për të përcjellë një mesazh që nuk është i përshtatshëm për një ngjarje sportive) në lidhje me sjelljen e tifozëve kroatë gjatë ndeshjes kundër Kanada”, njoftoi FIFA.
Ndërkaq, serbët u gjobitën me 20,000 franga zvicerane për vendosjen e një banderole fyese me hartën e Kosovës në dhomat e zhveshjes para ndeshjes ndaj Brazilit.
