Trajneri i kombëtares kroate, Zlatko Daliq ka dhënë një konferencë për media rreth ndeshjes gjysmëfinale kundër Argjentinës, ku ka shpjeguar në detaje mënyrën e lojës së ekipit.
Kroacia arriti ta eliminonte mbrëmë Brazilin nga Kupa e Botës, ndërsa Daliq shpreson se ekipi i tij do të vazhdojë njësoj edhe në ndeshjen ndaj Argjentinës.
Padyshim se Lionel Messi është futbollisti kryesor te Argjentina, mirëpo tekniku kroat ka thënë se nuk do të ndalet në paraqitjet individuale të lojtarëve.
“Nuk do të bëjmë shënime individuale. Ne e dimë se sa shumë bën, sa i pëlqen të ketë topin në këmbët e tij. Çelësi i fazës sonë të mbrojtjes do të jetë disiplina. Nëse përsërisim të njëjtën gjë si kundër Brazilit, nuk kemi asgjë për të frikësuar.
Më duhet të bëj një analizë të detajuar të Argjentinës sepse deri më tani nuk kam qenë i fokusuar tek ata. Por do të jetë ndryshe nga Rusia sepse ishte në fazën e grupeve dhe ky është një nokaut. Është e qartë se na pret një punë e vështirë, do të duhet të hyjmë shumë të koncentruar në lojë”, ka thënë Daliq.
Daliq nuk dukej i shqetësuar se ekipi i tij tashmë ka luajtur dy ndeshje të forta radhazi. Për më tepër, ai është i bindur se skuadra ishte më pak e lodhur kundër Brazilit sesa ndaj Japonisë.
“Është një tregues shumë i mirë, konsumimi nuk do të na krijojë shumë probleme. Do të mundohemi të pushojmë për të qenë sa më mirë në ndeshjen kundër Argjentinës. Fakti që ata gjithashtu duhej të luanin kohë shtesë i barazon gjërat.
Jam krenar, por nuk ka shumë kohë për të festuar. Ne gjithmonë kemi besuar se mund ta bëjmë këtë. E dinim se Brazili ishte një skuadër e madhe dhe se ishte e vështirë për të fituar. Megjithatë, ne ishim plotësisht në lojë, e mbështetëm njëri-tjetrin dhe e dinim se mundi do të ia vlente”, ka përfunduar ai.
