Komiteti Olimpik i Kosovës ka dërguar letër zyrtare në FINA për shkak të një kontesti mes dy palëve në Federatën e Notit të Kosovës. E gjithë ngjarja ka ndodhur derisa FNK-ja ishte prezentë në Kampionatin Botërorë të FINA-s, si dhe në Asamblenë e Përgjithshme që u mbajtën nga data 13 deri më 18 dhjetor në Melbourne të Australisë.
I ashtuquajturi kryetari i Federatës së Notit të Kosovës, Astrit Haliti e akuzon KOK-un me padi për shkak të ndërhyrjes në federatë.
Me “dy kryetarë”, siç pretendojnë Astrit Haliti e Besnik Halili, Kosova është përfaqësuar në Australi, ku edhe është mbajtur Kampionati Botëror, nga kryetari Haliti.
Por, kundër përfaqësimit të Kosovës nga kryetari Halitit kishte dalë Komiteti Olimpik i Kosovës. Sipas Haltit, KOK-u kishte dërguar letër zyrtare në FINA duke shpjeguar se ata e njohin për kryetar vetëm Besnik Halilin.
Më 24 shtator, Besnik Halili ishte zgjedhur kryetari i Federatës së Notit të Kosovës me anë të një kuvendi të jashtëzakonshëm.
Kundër zgjedhjes së tij kishte dalë kryetari, Astrit Haliti i cili nuk e pranon kandidaturën e tij, përkundër se Halili e ka përkrahjen e plotë nga Komiteti Olimpik i Kosovës.
Sipas Halitit, kuvendi i jashtëzakonshëm i mbajtur në shtator është i jashtëligjshëm dhe kryetari i tij nuk duhet pranuar.
“Pa pasur kuorum kanë tentuar ta uzurpojnë Federatën e Notit të Kosovës, përmes një kuvendi të thirrur në mënyrë të pa ligjshme”, thuhet në reagimin e FNK-së, në krye me Astrit Halitin.
Kryetari i FNK-së i zgjedhur në muajin mars, Haliti ka shkuar edhe më tej duke kërcënuar me padi Bordin Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës.
“Në rast se nuk deklaroheni kundër këtyre shkeljeve ne do ta padisim edhe Bordin Ekzekutiv të KOK në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, si dhe do të përballeni me veprime tjera ligjore dhe rezistencë aktive nga Bordi i FNK, nga klubet e notit, nga prindërit e qindra fëmijëve që po tentoni ti lini jashtë pishinave, e jashtë garave sportive të Notit”, thuhet në deklaratën e FNK-së të drejtuar nga Haliti.
Kosova ishte përfaqësuar në Kampionatin Botëror të Notit për pishina të vogla nga dy notarë: Martin Muja dhe Hana Beiqi, por selektori i FNK-së, Enver Haradini kishte thënë se ai nuk ishte pyetur për dërgimin e tyre.
