Ish-presidenti i Gjilanit, Florim Zuka, i njohur si “Tali”, është rikthyer të ushtrojë funksionin e shefit të klubit e tij pak para fillimit të stinorit pranveror në Superligën e Kosovës.
Zuka kishte dhënë dorëheqje të papritur nga pozita e presidentit të klubit në fillim të edicionit 2022/2023, teksa kishte bërë thirrje për oferta për shitjen e klubit tek investitorë të rinj.
Në fund të dhjetorit, mes kaosit dhe paqartësive për të ardhmen e klubit, mediat raportuan se “Tali” e kishte hedhur klubin në shitje me një etiketë në vlerë 550 mijë euro.
Gjatë kësaj periudhe, Gjilani ishte duke kaluar në një krizë me futbollistët dhe trajnerin Zekrija Ramadani që nuk ishin paguar për disa muaj dhe me disa prej tyre që kishin shkëputur kontratat, përfshirë këtu edhe teknikun nga Shkupi.
Megjithatë, situata është përmbysur shpejtë. Florim Zuka është rikthyer.
Duke parë krizën nëpër të cilën ishte duke kaluar skuadra, “Tali” ka vendosur të rimarrë drejtimin e klubit me synimin daljen në Evropë në fund të këtij stinori.
Sipas raportimeve të mediave, Zuka do të bëjë shlyerjen e borxheve të pa paguara dhe së bashku me të do të rikthehet edhe trajneri Zekirja Ramadani.
Për shumë vite Zuka ishte ndër investitorët më të mëdhenjë në futbollin kosovar dhe me të në krye Gjilani kishte stabilitet për shumë vite.
Pas përfundimit të pjesës së parë të kampionatit, Gjilani ndodhet në pozitën e katërt në tabelë 11 pikë më pak se Drita që ndodhet në pozitën e parë.
