Kompania e njohur turke, Limak ka fituar tenderin për rregullimin e stadiumit të Barcelonës, “Camp Nou”. Ndonëse në Ballkan Kompania Limak është e njohur, në Spanjë janë të habitur me përzgjedhjen e kompanisë turke.
Barcelona do ta rikonstruktojë impiatin gjigant dhe për reformat në stadium Kompania Limak ka dalë fituese. Limak ka fituar ofertën për reformat në stadiumin “Spotify Camp Nou” për një çmim maksimal prej 900 milionë eurove.
Në Spanjë kanë mbetur të habitur me përzgjedhjen e Limak dhe duket se katalunasit kanë dyshimet e tyre për rikonstruktimin e stadiumit.
“Kompania turke, e themeluar në vitin 1976, ka një histori të gjatë në vendin e saj, por ende nuk ka lënë gjurmë në territoret e Bashkimit Evropian dhe mezi ka ndonjë sfond në fushën sportive, me vetëm një stadium futbolli të ndërtuar”, thuhet në mediat spanjolle.
Përpos në Turqi, Limak ka operuar edhe në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe së fundmi në Rusi.
Në Kosovë, Limak ka në pronësi Aeroportin e Prishtinës si dhe nën kompania e saj menaxhon distribuimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike në Kosovë.
Kompania turke, Limak ndodhet në pozitë e 50-të në renditjen e sektorit të kryer nga ENR.
