Të fundit

Ahtisaari Plus për Njohje Minus?

Shkruan: Adriatik Kelmendi

A është kjo oferta e fundit Perëndimore në tavolinat e Kosovës dhe Serbisë dhe cilat mund të jenë pasojat e mospranimit?

KJO ÇKA PO SHOHIM ditëve të fundit është krejt ndryshe nga çfarëdo që kemi parë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008. Ofensiva diplomatike e Perëndimit për të gjetur (për të mos thënë edhe imponuar) një zgjidhje për marrëdhënien ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë tashmë duket se po kthehet në situatën merre ose leje për të dyja vendet. Ajo që u quajt Plani ”franko-gjerman”, i kthyer ndërkohë në plan të Bashkimit Evropian, kurse për t’i shtuar edhe më në peshë, tash nga përfaqësuesit amerikanë po ripronësohet si Plan ”evropiano-amerikan”, duket se është oferta e fundit në tavolinën e Kurtit dhe Vuçiqit, na e cila pak mund të ndryshohet.

Dhe, u bë e qartë, pala që e refuzon do të përballet me pasoja të rënda.

ÇKA DUHET KUPTUAR nga draftet që kanë qarkulluar deri më tash të planit të mbështetur nga SHBA-ja dhe BE-ja?

Serbia do të heqë dorë përfundimisht nga Kosova, por nuk do të ketë nevojë ta bëjë një akt formalo-juridik të njohjes së shtetësisë së saj.

Kosova do të pranojë që të mjaftohet në këtë fazë me mosnjohje formalo-juridike nga Serbia, me përfitimin e zhbllokimit ndërkombëtar.

Tash kur do të bëhen 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Serbisë po i thuhet se loja mbaron këtu – nuk mund të vazhdojë ta pengojë Kosovën që të funksionojë si shtet krejtësisht i pavarur.

Kosovës po i thuhet se 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë, e tëra që mund të arrihet është ta pranojë një variant shtetësie, i cili do të mund të përkufizohej si – Ahtisaari Plus me njohje reciproke minus.

JANË DHJETË PARIME udhëheqëse që tashmë iu janë prezantuar qeverive në Prishtinë dhe Beograd, të cilat, sipas burimeve diplomatike, janë thuajse të panegociueshme. Së fundi, ky prezantim barti edhe vulën më të fuqishme të seriozitetit, meqë u bë me vizita respektive në Prishtinë dhe Beograd nga përfaqësuesit e lartë të SHBA-së dhe BE-së, Escobar dhe Lajçak, dhe të emisarëve të drejtpërdrejtë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni.

Presidenti serb, pas takimit me Pesëshen, ka thënë se është i gatshëm ta pranojë ”konceptin” dhe të punojë në ”zbatimin e marrëveshjes së propozuar”, duke shtuar se në të kundërtën Serbia është kërcënuar se do të ballafaqohet me pasoja, që nga heqja e liberalizimit të vizave Schengen e deri te tërheqja e investimeve perëndimore.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës nuk ka folur shumë që nga takimi, por ka mbetur pranë qëndrimit se propozimi është ”bazë e mirë” për të ecur përpara, por nuk na u tha se çfarë shkopi do të përdorej nëse propozimi do të refuzohej.

Këto deklarata duket se më nuk janë të mjaftueshme për Pesëshen perëndimore, e cila ka paraqitur ambicien që një marrëveshje e bazuar në Planin ”evropiano-amerikan” duhet arritur medoemos deri në mes të këtij viti dhe do të presë PO-në formale nga palët.

NJË GJË QË mbetet për t’u parë është se kush do të jenë garantuesit e një marrëveshjeje eventuale të nënshkruar sipas parimeve në tavolinë.

Kosova, për ta hequr bllokadën ndërkombëtare, do të kishte nevojë së paku për njohjen nga pesëshja mosnjohëse e BE-së – Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro – si kundërvlerë e mosnjohjes së menjëhershme nga Serbia. Nën rrethanat e konfliktit Rusi – Ukrainë, njohja nga pesëshja evropiane vështirë se do të mjaftonte për anëtarësim të Kosovës në OKB, por se paku do t’i hiqte barrierat politike për anëtarësim në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Tjetra është rreziku i përhershëm që një nivel i caktuar i vetëqeverisjes së komunave me shumicë serbe dhe një ”status zyrtar” i Kishës Ortodokse Serbe ta kthejë Kosovën në një shtet jofunksional, nën dirigjimin e pritshëm destruktiv të Beogradit.

Kush do të jenë garantuesit që do të kujdesen se njohja nga Pesëshja e BE-së dhe zhbllokimi ndërkombëtar do të ndodhë dhe se minimi i Kosovës nga Beogradi nuk do të lejohet? Procesi negociator i paspavarësisë ka dëshmuar se edhe Kosova edhe Serbia nuk i kanë zbatuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe se ndërmjetësuesit ndërkombëtarë nuk ia kanë dalë sot e kësaj dite t’i bindin palët që të bëjnë diçka të tillë.

Nëse SHBA-ja, BE-ja dhe treshja evropiane nuk e formojnë një organ garantues të zbatimit të marrëveshjes nga Kosova she Serbia, ky do të ishte edhe një hap i zvetënimit të mëtutjeshëm të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, me kërcënim të përshkallëzimit në konflikt real.

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci