Të fundit

I përzgjedhuri i Kurtit dhe Osmanit i dha certifikatë të sigurisë Martin Berishajt

Paparaci raportoi të mërkurën ekskluzivisht për një implikim të dyshimtë – ndër të tjera – edhe të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) në aferën financiare të ambasadorit Martin Berishaj. Sidoqoftë, pyetja që do përgjigje mbetet se kush është në krye të këtij institucioni që supozohet të jetë i drejtë e i paanshëm, por që doli të jetë njeriu i ‘dëgjueshëm’ i Kurtit e Osmanit për t’ia ndrequr terrenin diplomatit kosovar? Cilat janë detajet e deritanishme dhe kronologjia e ngjarjes? Paparaci iu sjell informacionet për këtë rast. 

Besfort Veseli

Skandali i Berishajt tashmë është i njohur. Teksa ai vazhdon të jetë në krye të ambasadës kosovare në Zagreb pa ndonjë ‘therë në këmbë’, dita ditës po shtohen dhe dalin informacione të reja për lidhjet e tij në një skemë të shpëlarjeve të parave.

Por, përveç kësaj dhe milionave të marra ndër vite nga Berishaj përmes kompanisë së tij në Kosovë dhe Mal të Zi, pista tashmë është zgjeruar, raporton Paparaci.

Rrugët, normalisht për të keq, tani çojnë edhe tek AKI-ja. Kësisoj, AKI-ja si një agjenci për siguri dhe inteligjencë që drejtohet nga Petrit Ajeti, si i përzgjedhuri i kryeministrit Kurti dhe presidentes Osmani, e kishte pajisur diplomatin Berishaj me certifikatë të verifikimit të sigurisë më datë 12 shtator, 2021.

Kjo kishte ndodhur pasi Berishaj i ishte nënshtruar llupës së AKI-së si i propozuar për Ambasador i Kosovës në Kroaci.

Ambasadorët politikë si Martin Berishaj rekomandohen t’i nënshtrohen llupës së Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI).

Çuditërisht, po në atë kohë, ambasadorit Berishaj iu derdhën 51 mijë euro nga kompania energjetike GEN-i, dega në Serbi, në xhirollogarinë e ndërmarrjes së tij  “MB Consulting” Sh.P.K. në Kosovë.

Megjithatë, le të ndalemi pak te drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, i cili ‘gjithsesi’ ka qenë ose duhej të ishte të paktën në dijeni për këtë përfshirje të dyshimtë të agjencisë që drejtohet nga ai.

Kush është kryespiuni Petrit Ajeti, agjencia e të cilit ia dha Berishajt certifikatën e sigurisë me urdhër nga Qeveria?

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 15 prill kishin emëruar Petrit Ajetin, Drejtor të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

Petrit Ajeti ka lindur në Gjilan, më 11 tetor 1981. Shkollën fillore dhe të mesme gjimnazin matematiko-natyror i ka mbaruar në Gjilan. Në vitin 2001 ka vazhduar studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë.

Gjithashtu, ka kryer studimet në nivelin Baçelor në Shkencat Politike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Paralelisht me edukimin Ajeti gjithashtu ka qenë aktiv në fushën e sigurisë. Mbi 15 vjet përvojë pune në institucionet publike dhe private në fushën e sigurisë. Nga viti 2013 ka punuar në kapacitete të ndryshme në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës si Zyrtar për koordinim të investimeve të huaja të mbrojtjes dhe ushtrues detyre i shefit të sektorit për integrim euro-atlantik si dhe së fundi Shef i Kabinetit të Sekretarit të Përgjithshëm.

Çështjet kryesore ku ai është angazhuar përfshijnë Planifikimin, Programimin, Buxhetimin, dhe Ekzekutimi në fushën e mbrojtjes. Gjithashtu Ajeti ka qenë anëtar i grupit punues ndërinstitucionale për hartimin e Strategjisë së parë të Mbrojtjes.

Nga viti 2007 deri në vitin 2010 Ajeti ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme në cilësinë e zyrtarit të lartë në Departamentin për Hartimin e Politikave të Sigurisë së Brendshme si dhe në Departamentin për Shtetësi, Azil dhe Migracion.

Ai gjithashtu ka përvojë ndërkombëtare në fushën e sigurisë si kontraktor civil për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bazat ushtarake në Afganistan dhe Kosovë.

Angazhimi në këto detyra Ajeti i ka ofruar një këndvështrim të shkëlqyeshëm të çështjeve që duhet trajtuar nga institucionet e sigurisë, përfshirë kërcënimet ekzistenciale.

Petrit Ajeti ka përvojë edhe në fusha tjera si: Asistent i angazhuar në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan (viti akademik 2015-2016), si dhe Menaxher i Projektit të Financuar nga Komisioni Evropian për Themelimin e Qendrës Rajonale të Marketingut për Rajonin Ekonomik Lindor.

Ajeti flet rrjedhshëm gjuhën angleze. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë. Ajeti është vëlla i dëshmorit Alban Ajeti.

Përfshirja e AKI-së në skandalin Berishaj

Paparaci ka mësuar ekskluzivisht gjatë ditës së sotme se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë e ka pajisur Martin Berishajn me certifikatë të verifikimit të sigurisë më 12 shtator, 2021.

12 ambasadorë përfshirë këtu edhe ambasadorin Martin Berishaj ishin pajisur me certifikatë nga AKI-ja, teksa i është dhënë pa pasur verifikim.

Sipas burimeve të ndryshme, përfshirë edhe ato në AKI, kanë thënë se certifikata i është dhënë Berishajt me urdhër nga Qeveria.

“Ka ardhur urdhër nga qeveria qe te pajiset me certifikatë. Asnjë procedure nuk është ndjekur”, ka thënë një burim brenda procesit.

Janë disa pjesë që përcaktojnë kriteret në Ligji për klasifikimin e informacioneve dhe verifikimin e sigurisë.

Pos të dhënave për përgatitjen intelektuale dhe aktivitetin politik, kërkohen edhe të dhëna financiare në lidhje me borxhet apo detyrimet që ka kandidati për ambasador.

Afera Berishaj – çfarë dihet deri më tani?

Paparaci ka raportuar vazhdimisht se ai, përmes kompanisë “MB Consulting”, ka zhvilluar transaksione të dyshimta milionëshe në Kosovë dhe Mal të Zi.

Kompania “MB Consulting” në Kosovë dhe filiali i saj “MB Consulting Doo” në Mal të Zi, kanë zhvilluar transaksione në vlera disa milionëshe në shtatë vitet e fundit.

Në Kosovë, kompania e ambasadorit të Kosovës në Kroaci ka regjistruar transfere në vlerë prej 1 milion e gjysmë me kompaninë “GEN Doo” në Beograd.

Të gjitha të dhënat për këto transaksione i posedon Paparaci.

Rreth 900 mijë euro që kompania e tij “MB Consulting” i kishte shënuar si të hyra nga “GEN doo” në Beograd, Martin Berishaj i kishte tërhequr personalisht përmes xhirollogarisë së tij bankare mes viteve 2016-2021.

Paparaci, ka siguruar hetimin e Qendrës së Inteligjencës Financiare të Malit të Zi. Raporti zbulon se afaristi Martin Berishaj nëpërmjet kompanisë së tij, “MB Consulting”, me filial në Mal të Zi ka bërë transaksione të dyshimta me elemente të shumta të shpëlarjes së parave.

Veprimtaria e biznesit “MB Consulting” të ambasadorit Martin Berishaj, është kryer duke iu shmangur tatimeve në Kosovë për pesë vite me radhë.

Bazuar në gjetjet e Paparacit, kompania “MB Consulting” i është shmangur obligimeve tatimore nga viti 2017 deri në vitin 2022 dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumë prej 73 mijë eurove.

Provat që ka siguruar Paparaci, brenda Administratës Tatimore të Kosovës, tregojnë se hetuesit tatimorë kanë konstatuar se kompania e ambasadorit Berishaj ka vetë deklaruar obligime tatimore të papaguara në vlerë prej 73.701 euro.

“Pas shpifjes që është bërë ndaj meje me datën 21 prill 2022 nga Vitomir Petroviq në Planet TV, i cili po citohet nga mediat tona, kam bërë padi në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë dhe lënda është në proces gjyqësor”, u shpreh Berishaj.

Gjithashtu, ai tha se firma “Zaslon L.C.C” dhe “Myloja sh.p.k nuk janë në pronësi të tij dhe thotë se për këtë gjë e ka njoftuar Agjencinë Kundër Korrupsionit të Republikës së Kosovës përmes një emaili zyrtar më 5 korrik 2022.

Por, Martin Berishaj, e ka të regjistruar në Kosovë firmën “Myloja L.L.C”, me adresë në Hajvali, të Prishtinës. Ajo u regjistrua në 2008.

Një gjë e tillë mund të vërtetohet lehtë nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë.

Sipas përshkrimit në ARBK, “ndërmjetësimet e tjera monetare”, është aktiviteti kryesor i këtij biznesi, ku 33% të aksioneve i posedon Martin Berishaj bashkë me Janez Bukovnikun e Anton Eerne.

Po ashtu, edhe ndërmarrja tjetër e cila me adresë është në Hajvali “Zaslon Kosova L.L.C”, një prej pronarëve ka Berishajn, me 15 për qind të aksioneve. E njëjta është regjistruar më 2008. Aktiviteti i saj mbetet i njëjtë.

Berishaj në këtë biznes e ka ortak Benjamin Erazem Pintar, gjithnjë sipas informacioneve publike në ARBK.

Kësisoj, kjo ishte një nga gënjeshtrat e shumta të Berishajt në Facebook. Për këto biznese, Anti-korrupsioni kishte nisur hetimet ndaj Berishajt për mos-raportim apo raportim i rremë i pasurisë.

Megjithatë, Berishaj i mohon akuzat dhe thotë se është i ‘pastër si loti’.

“Pretendimi se unë kam fshehur apo deklaruar rrejshëm pasurinë, nuk qëndron dhe është i pavërtetë. Sa i përket firmës Zaslon L.C.C. dhe Myloja sh.p.k., nuk janë në pronësinë time dhe për këtë e kam njoftuar edhe Agjencionin Antikorrupsion të Republikës së Kosovës në email zyrtar me datën 5 korrik 2022”, shkroi Berishaj tutje.

Berisha po hetohet në Kosovë për tri vepra penale: shpëlarje parash, shmangie nga tatimi dhe fshehje të pasurisë.

Megjithëkëtë, vazhdon ta përfaqësojë Kosovën në Kroaci nën mbrojtjen e kryeministrit dhe presidentes./Paparaci.com

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci