Të fundit

Nipi i Azem Sylës – favorit për drejtor të Policisë së Kosovës

Pesë kandidatë kanë aplikuar gjithsej për t’u bërë ‘zot shtëpie’ në Policinë e Kosovës. Një nga ta është edhe Gazmend Hoxha, i cili siç mëson Paparaci, është nipi i ish-deputetit të PDK-së, Azem Syla. Koloneli Hoxha, madje shihet si një nga favoritët për këtë pozitë, që ka mbetur me ushtrues detyre tash e gjashtë muaj. Tashmë mbetet në dorën e kryeministrit Albin Kurti, se kë do ta vendosë në krye të këtij institucioni të sigurisë.

Besfort Veseli

Gazmend Hoxha është një nga favoritët kryesor që ta marrë në dorë Policinë e Kosovës, raporton Paparaci. Hoxha, i cili aktualisht është shef i operacioneve në këtë institucion të sigurisë, është përzgjedhur nga britanikët si kandidati i vetëm që mund të emërohet drejtor i përgjithshëm në Policinë e Kosovës.

Policia e Kosovës kishte shpallur konkurs për drejtor të PK-së më 7 shtator 2022 dhe u planifikua që të mbyllej dy javë më vonë.

Kësaj pozite ia mësyn pesë kandidatë. Ata janë: Gazmend Hoxha, Bahri Shala, Fatos Haziri, Granit Fetahu dhe Sllagjana Stojanoviq.

Konkursi u hap pasi, Samedin Mehmeti i cili ishte drejtor i Policisë për rreth tetë muaj, dha dorëheqje “morale” më 30 gusht gjatë vitit që lamë pas, lidhur me rastin e dhunimit të 11-vjeçares nga Prishtina.

Vendin e tij e zuri përkohësisht Fehmi Hoti, i cili që nga atëherë është ushtrues detyre në Policinë e Kosovës.

Megjithatë, konkursi për drejtor të Policisë së Kosovës është duke u zhvilluar me asistencë të BDO-së, kompanisë së angazhuar nga ambasada britanike për t’u ofruar institucioneve të Kosovës ndihmë në rekrutim të pozitave të larta drejtuese.

Kësisoj, bazuar në rezultatet e publikuara nga përfaqësuesit e zgjedhur nga ambasada e Britanisë së Madhe, të cilët kanë monitoruar këtë proces rekrutimi, Gazmend Hoxha figuron si kandidati i vetëm që mund të emërohet drejtor i Policisë.

Paparaci mëson se Hoxha, i cili është rekomanduar për atë pozitë, është nipi i ish-shefit të deputetëve të PDK-së, Azem Syla. Ai nga këta ekspertë britanikë është poentuar me 27.5 pikë nga 40 sa ishin në total. Shefi i operacioneve në Policinë e Kosovës është intervistuar më 6-7 shkurt.

Në këtë proces të konkursit të shpallur nga ministria e Punëve të Brendshme, ishin vendosur pesë anëtarë në komision; Fahrije Tërnava (kryesuese) dhe Naim Bardiqi, Blerim Hasani, Refike Sulçevsi dhe Skënder Perteshi, anëtarë.

Paparaci ka provuar të kontaktojë Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës, por gjer më tani nuk ka marrë përgjigje. E njëjta situatë ndodhi edhe me Gazmend Hoxhajn.

Sidoqoftë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ishte pyetur rreth emërimit të drejtorit të ri në Polici, gjatë një seance të Kuvendit të Kosovës, më 17 nëntor të 2022’s.

Ai thoshte se faza e dorëzimit të aplikacionit është përmbyllur dhe “tani janë në proces të krijimit të komisionit që do të vijojë me fazat e tjera”.

“Unë tashmë besoj që e dini që faza e dorëzimit të aplikacionit është përmbyllur, tani jemi në proces të krijimit të komisionit që do të vijojë me fazat e tjera të procesit. Sapo të themelohet komisioni do të vazhdojnë me procedura tjera deri në finalizim”, pati thënë Sveçla para ligjvënësve kosovarë.

Në anën tjetër, që nga viti 2018, Policia e Kosovës ka ndërruar dy drejtorë të saj. Kjo për shkak se asnjëri prej tyre nuk e kishte përfunduar mandatin e plotë prej pesë vitesh, aq sa është e përcaktuar.

Aktualisht, Policia e Kosovës është duke funksionuar me ushtrues detyre të drejtorit. Këtë pozitë po e mban ish-drejtori Rajonal i Prishtinës dhe ish zëvendësdrejtori i PK-së, Fehmi Hoti./Paparaci.com

 

 

Video nga Paradoks

"E di përdorimin e shpatave": Jo veç Tai Chi e Përparim Ramës, Ramush Haradinaj flet për arte të tjera marciale që ai i di - "Yoseikan Budo, Viet Vo Dao"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci