Të fundit

Avancimi i dyshimtë i zv/drejtorit të burgut në Prizren, ish-kontraktorja e ICITAP-it ngrit dyshime për lidhje me rastin Dehari

Gradimi i Besar Gashit, një zyrtari të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), nga gardian në zëvendësdrejtor burgu për pak më shumë se një vit, ka ngritur dyshime për lidhje të mundshme të tij me zyrtarë qeveritarë.

Nga tetori i vitit 2021 deri në fund të vitit 2022, Besar Gashi është avancuar disa herë në pozita. Është sistemuar në pozitën e zëvendësdrejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Gradimi i shpejtë i Gashit ka ndodhur në periudhën e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Lendita Gashi, një ish-kontraktore e ICITAP-it në Kosovë – që është pjesë e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunon ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, ka pyetur të hënën zëvendësministrin e Drejtësisë, Blerim Sallahun, për ngjitjen rapide të Besar Gashit nëpër pozita në Shërbimin Korrektues të Kosovës, një institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.

Besar Gashi ka shërbyer si gardian përgjegjës në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 2016, në kohën kur në këtë qendër po mbahej në paraburgim Astrit Dehari, ish-aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje që kishte ndërruar jetë në këtë qendër më 5 nëntor, 2016.

Sipas, Lendita Gashit, avancimi i dyshimtë i Besar Gashit në ShKK mund të ketë ndërlidhje me një premtim “që i është dhënë atij për rastin Dehari”.

Ajo, i ka kërkuar publikisht sqarime zëvendësministrit Sallahu për ngritjen e tij në detyrë dhe “premtimin e dhënë” për rastin Dehari.

“Z.Sallahu është mirë të na njoftoni opinionin edhe qysh me çfarë premtimi për rastin D. ka ardhë Besar Gashi te ju. Kush e ka sjellë?”, e ka pyetur ajo zv/ministrin Sallahu të hënën në mbrëmje, në një koment në Facebook.

“Qysh ky i fundit brenda një viti i ka shëtit 4 pozita menaxheriale nga pozita e oficerit korrektues. E meritojnë votuesit ta dinë të vërteten”, ka vijuar më tej Gashi.

Zv/ministri Sallahu nuk i ka kthyer përgjigje asaj.

As Ministria e Drejtësisë nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Paparacit të martën. Përgjigje në pyetjet e mediumit rreth çështjes së gradimit të Besar Gashit nuk ka kthyer as Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Besar Gashi, i cili dikur shërbente si gardian në Qendrën e Parabugrimit në Prizren, tash e disa muaj është avancuar në zëvendësdrejtor të Qendrës së Paraburgimit në Prizren. Nga pozita e oficerit korrektues, ai është graduar në u.d zëvendësdrejtor të burgut. Paparaci ka siguruar dokumentacionin e plotë të avancimit të tij në katër pozita menaxheriale brenda ShKK-së.

Sipas njërit nga dokumentet që ka siguruar Paparaci, Gashi në tetor të vitit 2021 ishte caktuar përkohësisht si zëvendës drejtor i Qendrës së Paraburgimit në Prizren.

Para se të gradohej në këtë pozitë, ai ishte emëruar Koordinator për Monitorimin e të Burgosurve në Institucionet Korrektuese për veprat penale që kanë të bëjnë me terrorizëm.

Mes viteve 2021-2022, Gashi ishte avancuar dhe kishte qëndruar për disa javë në krye të Njësisë së Inteligjencës së ShKK-së në një proces pa konkurs ku ai sërish ishte caktuar si udhëheqës.

Për t’u avancuar në gradat e përmendura, sipas ligjit, duhet të hapet konkurs i brendshëm dhe bëhet nga njësia e burimeve njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme pas aprovimit nga Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së.

Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, ishte gjetur i vdekur në qelinë e burgut në Prizren në nëntor të vitin 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit bashkë me disa aktivistë të tjerë.

Teksa Prokuroria atëkohë pati deklaruar se bëhej fjalë për vetëvrasje, familja në vazhdimësi ka insistuar që rasti të zbardhet.

Shtatë vjet nga vdekja e tij, në dhjetor të vitit 2022 ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte njoftuar opinionin se mostrat e gjakut të Astrit Deharit ishin zhdukur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Video nga Paradoks

Zana Avdiu shuan kurreshtjen, tregon se a ka të dashur - flet për martesë e fëmijë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci