Të fundit

Administrata e shtetit në shërbim të partisë – punësohen aktivistë e militantë të LVV-së

Në listën prej 50 personave të punësuar në Administratën Publike përmes një konkursi publik, një pjesë e madhe e tyre janë aktivistë, ish-kandidatë për asamblistë e militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet.

Nehat Sadiku

Një konkurs i gushtit të vitit të kaluar i Ministrisë së Punëve të Brendshme për 50 (pesëdhjetë) zyrtarë në Administratën Publike është bërë mjet për Lëvizjen Vetëvendosje për t’i rehatuar militantët, aktivistët e anëtarët e partisë.

Konkursi në fjalë, me numër reference “MPB-1/2022” kishte qenë problematik qysh në fillim. Dyshimet e para u hodhën mbi afatet dhe procedurat teknike të konkursit. Ato mbështeteshin te një argument: faqja e Gjykatës ku duhej të aplikohej për dëshminë se aplikuesi nuk është nën hetime, ra nga sistemi. Periudha e aplikimit ishte zgjatur, por kjo s’i ndali parregullsitë.

Edhe më të dyshimtë këtë konkurs e bën një ankesë e adresuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme nga njëri nga kandidatët e mos-pranuar i cili kishte gjetur parregullsi gjatë procesit.

Në ankesën të cilën e posedon Paparaci, thuhet se tre kandidatë me emrat Ariana Baruti, Vedat Hetemi e Irfan Mehmeti nuk kanë qenë fare në listën e rezultateve të testit me shkrim të publikuar me datë 12.10.2022 , por të njëjtit kanë rezultuar të pranuar në punë pas shpalljes së rezultateve të konkursit.

Emri i Vedat Hetemit do të përmendet sërish në vazhdim si pjesë e këtij teksti, pasi mbiemri i tij është refreni i gjithë konkursit skandaloz të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Hulumtimi i Paparacit mbi këtë konkurs vë në dritë faktin se, përveç manipulimeve me konkursin dhe kandidatët, persona të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje kanë fituar pozita pune edhe pa i merituar, duke lënë jashtë kandidatë të cilët i kanë plotësuar kriteret e konkursit.

Në listën prej 50 personave të pranuar sipas këtij konkursi, një pjesë e madhe e tyre janë aktivistë, ish-kandidatë për asamblistë e militantë të Lëvizjes Vetëvendosje, partisë në pushtet.

Madje kjo u bë aq hapur, saqë pozitë fitoi edhe Sekretarja Organizative e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, Aida Ferati Doli, e cila gjithashtu ka qenë drejtoreshë në Komunën e Mitrovicës në kohën e qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje dhe gjithashtu kandidate për asambliste në Komunën e Mitrovicës së Veriut. 

Ferati-Doli e cila u zgjodh në këtë pozitë brenda partisë në zgjedhjet e fundit të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje figuron edhe në listën e të pranuarve në këtë konkurs.

Nga ky konkurs, me pozitë pune u shpërblye edhe kryetari i pikës së Lëvizjes Vetëvendosje në fshatin Zhazhë, Shkelqim Peci. Ai figuron i 20-ti në listën e kandidatëve të pranuar sipas konkursit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Pranë tij jo vetëm në subjekt politik, por edhe në listën e të pranuarve është edhe Jeton Rrahmani, emri i të cilit gjendet në listën e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje për asamblistë në komunën e Skenderajt. 

I pesëdhjeti në këtë listë të personave që u shpërblyen me punë nga MPB-ja e udhëhequr nga ministri Xhelal Sveçla është emri i Enver Aliut, i njëjti, rezulton të ketë qenë kandidat për asamblist në komunën e Leposaviqit me Lëvizjen Vetëvendosje, raporton Paparaci.

 

E kur jemi te kandidatët për asamblistë, Sabri Fetahu i Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu kandidat në komunën e Leposaviqit është shpërblyer gjithashtu me punë në këtë konkurs, raporton Paparaci.

 

Gjërat bëhen edhe më interesante, por edhe më thellësisht skandaloze kur në skenë vjen mbiemri “Hetemi”. Në një konkurs publik shtetëror ku kanë aplikuar mijëra persona dhe janë pranuar 50, janë hiç më pak se katër persona me mbiemrin Hetemi, ndërsa e përbashkëta e tyre përveç mbiemrit qëndron tek subjekti politik që i takojnë, Lëvizja Vetëvendosje.

Personi i 16-të në listën e personave të pranuar në këtë konkurs është Driton Hetemi. Ai rezulton të jetë edhe pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje për asambistë në komunën e Leposaviqit. 

Përveç Dritonit, nga ky konkurs përfituan edhe shumë kushërinj të tij. Besmir Hetemi, Vedat Hetemi e Bashkim Hetemi janë punësuar gjithashtu sipas konkursit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërsa vlen të theksohet se tre persona me mbiemrin Hetemi nga komuna e Leposaviqit janë gjithashtu pjesë e listës së kandidatëve të këtij subjekti politikë për asamblistë në po këtë komunë. 

Marigona Kahrimani është emri tjetër që përfitoi nga Lëvizja Vetëvendosje. Ajo u punësua në këtë konkurs, duke pasur lidhje të afërta me subjektin politik në pushtet. Motra e Marigonës, Liridona Kahrimani ka qenë në listën e kandidatëve për asamblistë në komunën e Zubin Potokut. Ndërsa afërsia e së njëjtës më VV-në shihet edhe në fotografitë e saj në Facebook me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, raporton Paparaci.com.

Motra e Marigona Kahrimanit, Liridona Kahrimani së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Në këtë konkurs është edhe një emër tjetër që dyshohet për lidhje me partinë në pushtet. Bëhet fjalë për Shpëtim Kelmendin, i cili figuron në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje si anëtar.

Kjo listë e dyshimtë e të pranuarve në punë të një konkursi i cili po del të jetë gjithçka tjetër përveç ligjor e korrekt përmban edhe emra të tjerë të dyshimtë se kanë përfituar vende të punës mbi baza partiake e nepotiste. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci