Deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare “nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”, ka thënë të hënën një zëdhënëse e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë, në një komunikim me shkrim për Paparacin.
Eros Klaiqi
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shprehur të shqetësuara për qëndrimin e dy partive opozitare, PDK dhe LDK, kundër propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare “nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”, ka thënë të hënën një zëdhënëse e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë, në një komunikim me shkrim për Paparacin.
“Jemi të shqetësuar me deklaratat e bëra nga drejtues dhe zyrtarë të partive opozitare që shprehin kundërshtimin e tyre ndaj propozimit të BE-së”, ka thënë një zëdhënëse e ambasadës. “Këto pikëpamje nuk përputhen me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për propozimin”.
Zëdhënësja e Ambasadës së ShBA-ve i ka thënë Paparacit se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë qëndrimin për propozimin e Bashkimit Evropian në nivelet më të larta të qeverisë.
Sipas saj, qëndrimi i ShBA-ve për propozimin është bërë i qartë në dy komunikimet e fundit të presidentit Joe Biden dhe sekretarit Antony Blinken për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, rreth tri javë më parë.
“Presidenti Biden dhe Sekretari i Shtetit Blinken, në komunikimet e tyre të fundit për Ditën e Pavarësisë së Kosovës, nënvizuan se propozimi ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë Kosovën drejt stabilitetit më të madh rajonal, prosperitetit ekonomik dhe integrimit evropian dhe euroatlantik”, ka thënë zëdhënësja e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë.
Në përgjigjen e Ambasadës së ShBA-ve në Prishtinë për Paparacin është ripërsëritur qëndrimi i Shteteve të Bashkuara në mbështetje të propozimit të BE-së.
“Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në veçanti, ne e mbështesim plotësisht propozimin e BE-së në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë një zëdhënëse e ambasadës.
ShBA-ja ka kujtuar se përpjekjet e saja të bashkërenduara për ta çuar përpara këtë propozim kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës “kanë përfshirë konsultimet me partitë opozitare të Kosovës”.
Të hënën e javës së kaluar, më 27 shkurt, dy liderët e Kosovës dhe Serbisë pranuan tekstin e propozimit evropian, që Bashkimi Evropian e ka quajtur një marrëveshje bazë.
Pas takimit në Bruksel, përfaqësuesit e BE-së si lehtësues të dialogut, konfirmuan se dy palët e kanë pranuar tekstin e marrëveshjes dhe pritet në vazhdim të diskutohet për planin e zbatimit të saj.
Mirëpo, pranimin e propozimit të BE-së nga delegacioni i Kosovës e kanë kundërshtuar dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Sipas këtyre dy partive, me këtë propozim për normalizimin e raporteve me Serbinë, Kosova ka humbur njohjen e ndërsjellë dhe ka pranuar që ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Aty [në propozimin evropian] nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE”, shkroi në Facebook, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, mbrëmjen e 27 shkurtit.
Sipas tij, kryeministri Kurti me “veprime dhe politika të gabuara degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut”.
Edhe LDK-ja u shpreh kritike ndaj Kurtit, duke argumentuar se propozimi nuk përfshin njohjen, por parasheh zbatimin e marrëveshjeje për Asociacionin.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në veçanti preambulën e tij.
Ai tha se preambula e këtij propozimi që ndër tjerash përmban tekstin “për të kapërcyer trashëgiminë e së kaluarës” dhe “pa paragjykuar pozicionet e ndryshme të palëve në lidhje me çështjet themelore, përfshirë çështjet e statusit”, paraqet dëm historik për Kosovën.
“Në një rast të paprecedent Kosova pajtohet me paparagjykimin rreth statusit të vet politik…”, tha Abdixhiku.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është e vetmja parti parlamentare opozitare që e ka mbështetur hapin e qeverisë për pranimin e propozimit të BE-së.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, “është një e arritur e madhe”.
Propozimi evropian është thënë se synon që t’i çojë palët drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë. Megjithatë, në nenin dy të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. Propozimi përfshin zotimin e palëve për t’i respektuar të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe përkushtimin e tyre për të mos e penguar njëra-tjetrën në proceset integruese.
BE-ja ka thënë se palët kanë shprehur gatishmërinë që ta zbatojnë planin. Kjo do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. /Paparaci.com