Të fundit

Skandali me sigurinë e udhëtarëve, djali i prokurores së rastit punësohet në Aeroport

Një incident me sigurinë e udhëtarëve, një aktakuzë për keqpërdorim detyre dhe punësimi i djalit të prokurores së rastit – këto janë elementet e një skandali në Aeroportin e Prishtinës, të hetuar penalisht nga Prokuroria e Shtetit.

Paparaci

Tri vite pas ngritjes së aktakuzës ndaj katër zyrtarëve të Aeroportit Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) për keqpërdorim të detyrës, lënda po zvarritet në gjykatë.

Dyshimet për trajtimin e lëndës rëndojnë mbi prokuroren e rastit, Dulina Hamiti, djali i së cilës, Arlind Hamiti, është punësuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili i përket kompanisë private LIMAK.

Në mesin e procesit gjyqësor, djali i prokurores Hamiti është punësuar vitin e kaluar në pozitën e operatorit të skanimit, ka zbuluar Paparaci. Punësimi i tij dëshmohet edhe në një fotografi të tij me kolegët e tij të punës në aeroport, të cilën e ka siguruar Paparaci.

Pikërisht në këtë departament të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, të udhëhequr nga kompania LIMAK, një skandal i madh me sigurinë e udhëtarëve kishte ndodhur rreth katër vite më parë, më 19 gusht të vitit 2019. Ngjarja ishte hetuar nga Divizioni për Siguri të Aviacionit Civil i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Raporti i DSA-së kishte rezultuar me aktakuzë të ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës nuk i ka kthyer përgjigje Paparacit në pyetjet që mediumi i ka dërguar në adresë të Zyrës për Media, lidhur me lëndën ndaj katër zyrtarëve të kompanisë dhe punësimit të djalit të prokurores Dulina Hamiti.

Paparaci, ka siguruar raportin konfidencial të hetimeve të kryera nga inspektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Raporti e implikon në veprime të rrezikshme një zyrtar të Aeroportit Ndërkombëtarë të Prishtinës, të kompanisë LIMAK.

Skandali me sigurinë e udhëtarëve në ANP

Incidenti me sigurinë e udhëtarëve kishte ndodhur të hënën e 19 gushtit, 2019.

Atë ditë, qindra punëtorë të Aeroportit të Prishtinës kishin hyrë në grevë për të kërkuar të drejtat e tyre që burojnë nga Ligji i Punës dhe Kontrata Kolektive. Në grevë ndodheshin edhe operatorët e skenimit dhe sigurimit.

Hyrja në grevë e operatorëve të skenimit, nënkuptonte bllokimin e sistemit të kontrollit të bagazheve në aeroport.

Mirëpo, një zyrtar i aeroportit, i cili punon në mirëmbajtjen e pajisjeve të skenimit, kishte hapur pa autorizim barrierën që i mundësonin bagazheve të kalojnë nga njëri shirit në shiritin e kontrollit për tek pajisja e skenimit.

Saktësisht, 99 çanta kishin kaluar sistemin e sigurisë në aeroport pa u kontrolluar me pajisje të skenimit dhe nga operatorët e skenimit atë ditë, kanë gjetur inspektorët e MPB-së.

Procesi i kalimit të bagazhit, kishte nisur rreth orës 08:00 dhe ka vazhduar për disa minuta, thuhet në raport, derisa ka arritur një operator i skenimit i cili ka qenë në grevë dhe e ka ndalur procesin e kalimit të bagazhit nëpër x-ray.

“Deri në momentin e intervenimit të tij, kishin kaluar 44 çanta pa u ekzaminuar dhe kontrolluar”, thuhet në raportin e inspektorëve të MPB-së, të cilin e ka siguruar Paparaci.

Operatori që ka ndalë këtë sistem, pastaj ka raportuar udhëheqësin e ndërrimit dhe policinë.

Por, pas ndaljes së procesit të kalimit të bagazheve nga ana e operatorit, përsëri zyrtari i njëjtë, ka aktivizuar shiritin për bartjen e bagazheve duke kaluar bagazhin përmes x-ray pa u kontrolluar dhe ekzaminuar nga ana e operatorëve të skenimit.

Në raport, përshkruhet se pas ndaljes së dytë të procesit nga operatori i skenimit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur menaxhmenti i lartë i aeroportit. Ata kanë parë nga afër se si është duke u zhvilluar procesi i kalimit të bagazheve nëpër sistemin e sigurisë, “meqenëse është duke u zhvilluar greva dhe është dyshuar se punëtorët grevist janë duke e bllokuar procesin”.

Dy pajisjet e skenimit që punojnë në mënyrë automatike, kanë vazhduar të punojnë pothuajse gjatë tërë ditës, edhe pse punëtorët e aeroportit ndodheshin në grevë.

Raporti ka gjetur të dhëna shqetësuese se si janë anashkaluar procedurat e kontrollit të sigurisë edhe për bagazhe të dyshimta për bartje të mjeteve të ndaluara.

“Derisa pajisjet kanë qenë duke punuar, bagazhet e dyshimta, tek të cilat sistemi dyshon se barttë mjete të ndaluara, janë ndarë nga pjesa tjetër e çantave në mënyrë automatike për t’u kontrolluar nga operatori i skenimit duke kaluar në nivelin e dytë për kontroll. Mirëpo, mirëmbajtësi i pajisjeve të skenimit e ka përcjellë përmes shiritit për në depo të aeroplanit, duke anashkaluar procedurat e parapara për kontroll të sigurisë”, thuhet në raport.

Raporti i inspektorëve ka evidentuar shkelje serioze në pikën e kontrollit të bagazheve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sipas raportit të inspektorëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, zyrtari i aeroportit, mirëmbajtës i pajisjeve të skenimit, ka keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk ka qenë i autorizuar për aktivizimin e sistemit të skenimit për kontrollim të bagazhit.

Po ashtu, raporti i inspektorëve të MPB-së kërkon nga ANP “Adem Jashari” që t’i hiqej masa ndëshkuese operatorit të skenimit, i cili kishte reaguar dhe kishte lajmëruar policinë për incidentin e 19 gushtit, 2019.

“[…] meqenëse ai ka reaguar sipas procedurave standarde operative dhe në përputhje me situatën e krijuar, duke u munduar të evitojë (ndalë) shkelje të rregullave të sigurisë”, thuhej në raport.

Aktakuza e prokurores Hamiti ndaj katër punonjësve të ANP-së

Sipas aktakuzës së ngritur me 2 prill 2020, të akuzuarit Faton Gurguri, Endi Bujupi, Visar Xhekaj, në cilësinë personave zyrtar të licencuar operator për X-Ray dhe i akuzuari Martin Biserov Alekov, në cilësinë e inxhinierit të elektronikes dhe në cilësinë e mbikëqyrësit automatik në Aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, kishin keqpërdorur detyre zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se me 18 gusht 2019, derisa kishte qenë greva e punëtorëve të këtij aeroporti, në pjesën ku ishte bërë monitorimi i dy pajisjeve LRDX1 dhe LRDX2 për kalimin e bagazheve të udhëtarëve, të akuzuarit Gurguri dhe Bujupi nuk e kishin monitoruar punën e pajisjeve në monitor, ndërsa Xhekaj nuk e kishte monitoruar zonën sterile të aeroportit për largimin e valixheve.

Për shkak të këtyre mos veprimeve, valixhet kishin rezultuar si të dyshuara nga pajisjet e lartcekura, me ç’rast pajisjet ishin bllokuar prej ngarkesës së bagazheve dhe në mungesë të operatorëve X-Ray.

Sipas prokurorisë, i akuzuari Biserol Alekov, si mbikëqyrës i takëve që lëvizin në aeroport për bartjen e valixheve, kishin ndërhyrë duke e hapur barrierën dhe lëshuar traken që bagazhet të kalojnë nëpër pajisjen VIS HR, i cili hyn në funksion vetëm në rastet rezervë.

Kështu, 99 bagazhe kishin kaluar në këtë mënyrë duke u ngarkuar në depo të aeroplanit nga ana e të akuzuarit Biserov Alekov, si të dyshuara dhe të kontaminuar dhe po ashtu ishin ngarkuar edhe 6 bagazhe të ndara, të dyshuara, të cilat ishte dashur të rikontrollohen nga operatori X-Ray.

Katër të akuzuarit me këto veprime, sipas prokurorisë, kishin rrezikuar jetën e pasagjerëve dhe ekuipazhit, sigurinë e aviacionit civil dhe imazhin e Republikës së Kosovës në arenën Ndërkombëtare.

Vijon…

Video nga Paradoks

“S’ka vend ma t’fortë se Bellaqefci”: Valon Syla imiton e flet për turqit – “Si mongol, si Samurai”, këndon Poçarin e Ilir Shaqirit e tregon rastin komik me shqiptarët në Turqi.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci