Të fundit

Haxhiu me akuza për Gjykatën Kushtetuese pasi ia rrëzuan Ligjin për Këshillin Prokurorial

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është deklaruar në një konferencë për media pasi të premten Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin ku shpallet antikushtetues Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Ajo para mediave ka thënë se reforma në sistemin e drejtësisë ka qenë aspiratë, zotim dhe premtim i qeverisë Kurti.

“Siç jeni në dijeni më 14 shkurt të vitit 2021, zotimet dhe premtimet tona kanë qenë punë dhe drejtësi. Kjo vetëm jo si aspiratë e jona por edhe përvojë e keqe në mungesën e drejtësisë në sistem të drejtësisë të kapur. Mbi këto rrethana dhe mandatin e besuar nga qytetarët e Kosovë kemi marrë iniciativa për reforma të thella në sistemin e drejtësisë dhe ju jeni dëshmitarët më të mirë.”, tha ministrja Haxhiu.

Haxhiu tha se deri më tani Këshilli Prokurorial ka përbërje korporatiste dhe se nga kjo kanë fituar grupe të interesit të ngushtë dhe interesit politik dhe se qëllimi i MD-së me këtë ligj ka qenë “çkapja” e sistemit të drejtësisë.

“Më tutje, siç e kemi thënë, qëllimi i MD-së për Ligjin për Këshillin Prokurorial ka qenë reformimi i këtij Këshilli për të eliminuar grupet e interesit, korporatizmit që aktualisht mbizotëron në të, me përfaqësim të 9 prokurorëve, kryeprokurori i shtetit plus dhe vetëm një anëtar jo prokuror dhe për të mundësuar një përbërje të re të këshillit, që siguron zbatimin efikas të kompetencave të këshillit që të sigurohemi që prokurori i shtetit vepron i pavarur, profesional, por edhe i paanshëm. Ky korporatizëm është prezent që disa vite dhe të gjithë jemi dëshmitar që në Sistemin Prokurorial njerëzit e njëjtë kanë lëvizur nga një pozitë menaxhuese në tjetrën. Sipas skemës një mandat kryetar i KPK-së ose anëtar i KPK-së, dhe në mandatin tjetër personat e njëjtë ose prokurorët e afërt me ta janë zgjedhur kryeprokuror ose anasjelltas. Për këtë sistem ka pasur reagime të forta edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Ky sistem ka bërë që prokurori i shtetit të mos jetë në nivel të detyrës dhe të ndikohet nga interesat e ngushtë, përfshirë interesat politike.”, thotë Haxhiu.

Ajo ka thënë në konferencë se janë këshilluar me ndërkombëtarët për ndryshimet në Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

“Për të siguruar që ndryshimet në Ligjin për KPK bëhen me standardet ndërkombëtare por edhe ato evropiane për sistemin e drejtësisë, standarde mbi të cilat është hartuar edhe Kushtetuta e Kosovës, ne nuk kemi vepruar krye në vete, por kemi konsultuar një ndër organet më të respektuara të botës demokratike, Komisionin e Venecias siç bëjmë për iniciativat kryesore të ministrisë dhe siç bëjnë edhe shtetet tjera. Ne jemi dhe kemi qenë të vetëdijëshëm për pavarësinë e sistemit të drejtësisë, si atij prokurorial dhe atij gjyqësor, por asesi nuk mund të pranojmë që në petkun e pavarësisë të legjitimohet korporatizmi. Objektivi ynë ka qenë të bëhet një ligj që Këshilli Prokurorial të ketë përbërje pluraliste dhe është në gjendje të ushtrojë kompetencat kushtetuese dhe jo të kapim siç u interpretuam mbrëmë qëllimshëm nga disa parti politike ish-anëtarë të të cilëve sot janë anëtar në pozita të lartë në këtë sistem të drejtësisë.”, tha Ministrja Haxhiu.

Ajo ka komentuar mbi disa prej gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese, duke i kontestuar ato, pasi i krahason me pikëpamjet e MD-së dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Ne nuk e kemi pranuar ende njoftimin e Gjykatës Kushtetuese, por në bazë të njoftimit të tyre të publikuar ku përmbledhen gjetjet, deshëm të ju njoftojmë edhe juve si qytetarët e Republikës së Kosovës për pikëpamjet dhe argumentet tona.”, tha Haxhiu.

Fillimisht ajo ka komentuar pikën ku Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje që ka të bëjë me ndërprerjen e mandatit për anëtarët e KPK-së.

“Së pari është paradoksale se si në pikën e parë të njoftimit gjykata kushtetuese thekson se përbërja aktuale e KPK-së është korporatiste por në pikën e fundit thotë se nuk mund t’iu ndërpritet mandati. Pra për Gjykatën Kushtetuese është më e rëndësishme interesi individual i anëtarëve të KPK-së, sesa interesi i përgjithshëm dhe sesa ndalimi i korporatizmit në një institucion të rëndësishëm.”, tha Haxhiu.

Ajo ka kontestuar edhe pikën ku sipas Kushtetueses ka pasur shkelje te pika për Rolin dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit.

“Sipas njoftimit, delegimi i një anëtari jo-prokuror nga Avokati i Popullit është gjetur jo kushtetues dhe kjo është befasuese për ne, duke marrë parasysh se Komisioni i Venecias ka rekomanduar se një numër i caktuar i anëtarëve jo-prokurorë mund të rezervohen për përfaqësuesit e institucioneve të jashtme të pavarura dhe ka përmendur në veçanti Avokatin e Popullit.”, tha Haxhiu.

Ajo ka thënë se Gjykata Kushtetuese në mënyrë “absurde” ka bërë interpretim jo-korrekt të standardeve ndërkombëtare dhe kjo sipas saj është bërë të pavlefshëm një ligj të rëndësishëm.

“Absurditeti qëndron edhe me interpretimin jo-korrekt me standarde ndërkombëtare dhe respektimin e dispozitave kushtetuese me qëllim të pengimit të reformës në drejtësi. Për ta bërë të pavlefshëm një ligj kaq të rëndësishëm thuhet që është në kundërshtim me Kushtetutën, përderisa ky ligj sipas Komisionit të Venecias është në përputhje me standardet ndërkombëtare, pra jemi shkëputur nga bota demokratike dhe uniteti i standardeve ndërkombëtare kur bëhet fjalë për pengimin e reformës në drejtësi, kështu kemi interpretim kushtetues të veçantë nga një Kushtetutë që trupëzon standardet ndërkombëtare, prandaj nuk mund të funksionojmë ndaras nga bota demokratike.”, tha Haxhiu.

Ajo gjithashtu ka komentuar pikën për ndërprerjen e parakohshme të mandatit të një numri të caktuar të anëtarëve dhe iu është referuar rekomandimeve të komisionit të Venecias.

“Sa i përket pikës që ndërlidhet me ndërprerjen e parakohshëm të mandatit të një numri të caktuar të anëtarëve të Këshillit përmes shortit, vlen të theksohet se vet komisioni i Venecias ka theksuar se parimi i mbajtjes së mandatit nuk është absolut dhe ndërprerja e mandatit mund të arsyetohet nëse sjell përparim të dukshëm të sistemit në përgjithësi.
Si duket të gjitha këto nuk i kanë mjaftuar Gjykatës Kushtetuese dhe ka ofruar mundësinë që Këshilli të vazhdojë me përbërje korporatiste deri në 2026 dhe që pengon zhvillimin dhe fuqizimin e sistemit prokurorial.”, tha Ministrja Haxhiu.

Më tutje, ajo ka ngritur dyshime pse Gjykatës Kushtetuese iu deshën 9 muaj për nxjerrjen e aktgjykimit dhe ka ftuar mediet të hetojnë këtë rast.

Ajo ka gjetur kohë edhe t’i kundërvihet opozitës për reagimet e tyre, duke i akuzuar për kapje të sistemit të drejtësisë.

“Gjykatës Kushtetuese ju deshën plot 9 muaj për të nxjerrë aktgjykimin për Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, kjo është e paprecedentë nëse arsyetimi paska qenë aq i thjeshtë, po ndërlidhem me njoftimin e Kushtetueses, atëherë pse ju deshën 9 muaj Gjykatës Kushtetuese, pse na i morën 9 muaj, ndoshta për këtë është më së miri të interesoheni ju, ndryshimet në këtë Ligj kanë pasur mbështetjen e dy opinioneve të Venecias, në të njëjtat kanë punuar ekspertë dhe janë bërë në konsultim të ngushtë me partnerët tanë, nga BE, ambasada e SHBA-se dhe Britanisë së Madhe. Ata kanë qenë për këto ndryshime dhe kanë kontribuar edhe me ekspertë. Pra, për këtë reformë kanë qenë kundër vetëm opozita dhe duket se kjo po i pengon edhe Gjykatës Kushtetuese. Mbrëmë kanë reaguar disa pjesëtarë të opozitës, kinse për ndarjen e pushteteve, ata që këmbë e kokë e kanë kapur sistemin, këta flasin për kapje të sistemit të drejtësisë, këta nuk kanë të drejtë të flasin për këtë.”, tha Haxhiu.

Gjykata ka marrë vendim që ligji të rrëzohet komplet si pasojë e pretendimeve të bazuara dhe se ky ligj bie ndesh me disa nene të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; (iii) paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.”, thotë vendimi.

Por, si erdhi deri tek publikimi i vendimit të premtën e 24 marsit?

Gazeta Paparaci kishte raportuar një muaj më parë se Gjykata Kushtetuese kishte marrë vendim për rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, derisa publikimi ishte i planifikuar për sot 1 muaj, do të thotë më 24 shkurt.

Më 1 korrik të vitit të kaluar, Ligjin për Këshillin Prokurorial, në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar Partia Demokratike e Kosovës, për siç thuhej “cenimin e rëndë të pavarësinë së gjyqësorit dhe shtrimin e ndikimit të politikës në KPK”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri kishte thënë se ligji binte ndesh me gjashtë nene të Kushtetutës.

Sipas tij, në mes të dy leximeve po ashtu nuk janë marrë parasysh në tërësi edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Vendimmarrja e KPK-së është direkt e varur nga politika, pra KPK-ja me ligj të ri nuk mund të ketë as kuorum as vendimmarrje në zgjedhjen e drejtuesve të pozitave të larta, pa pjesëmarrjen e njerëzve të politikës që dërgon mazhoranca – Kuvendi”, kishte deklaruar Tahiri.

Ligji për Këshillin Prokurorial është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 23 qershor të vitit 2022.

Mes dy leximeve në Kuvendin e Kosovës, Ligji për KPK-në ishte dërguar për shqyrtim në Komisionin e Venecias. Bazuar në dy rekomandime të Komisionit, Ministria e Drejtësisë e kishte dërguar në kuvend versionin final të projektligjit.

Ministrja Haxhiu kishte deklaruar se Projektligji për KPK-në ishte një nga më të rëndësishmit të iniciuar nga Ministria e Drejtësisë.

Projektligji i ri për KPK-në parasheh ridefinimin e përbërjes së Këshillit Prokurorial të Kosovës. Nga 13 anëtarë, nga sa përbëhet Këshillit Prokurorial bazuar në Ligjin aktual në fuqi, propozim-ligji i qeverisë synon të reduktojë përbërjen e KPK-së në shtatë anëtarë.

Katër prej tyre do të zgjidhen nga shumica parlamentare, momentalisht e Lëvizjes Vetëvendosje. Tre të tjerë parashihen të zgjidhen nga sistemi prokurorial.

Këto dispozita ligjore i kanë shqetësuar prokurorët, të cilët kanë hapur një “konflikt” me Ministrinë e Drejtësisë shkaku i ligjit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka kundërshtuar ligjin.

Pas miratimit të tij në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, përmes një reagimi publik, KPK-ja kishte shprehur shqetësimin e saj se ligji cenon pavarësinë e prokurorëve.

KPK-ja kishte pretenduar se miratimi i këtij ligji ishte bërë me injorimin e komenteve shtesë të Komisionit të Venecias.

“Ky nxitim i Ministrisë së Drejtësisë për të proceduar me shpejtësi këtë draft të projektligjit, pa e ndarë draftin final me aktorët e këtij procesi dhe pa i pritur komentet shtesë të Komisionit të Venecias, si dhe pa i marrë parasysh edhe propozimet e dala nga Strategjia për sundimin e ligjit dhe ato të përfaqësuesve të sistemit prokurorial, është tendencë për të cenuar pavarësinë e Këshillit Prokorurial dhe Prokurorit të Shtetit, si institucione të pavarura dhe kushtetuese”, shkruhej në reagimin e KPK-së më 26 qershor të vitit të kaluar, ditën e miratimit të ligjit. ndër të tjera në reagim.

KPK-ja e ka akuzuar Ministrinë e Drejtësisë se me vetëdije “po bllokon dhe defunksionalizon sistemin prokurorial të Kosovës”. /Paparaci.com/ 

Video nga Paradoks

Çka ka Mërgimi kundër LGBT? Sami Lushtaku tregon rastin, befason me qëndrimin e tij për martesat mes sek*sit të njejtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci