Të fundit

Kurti në vitin 2014: Shpend Ahmeti është shumë më i mirë se Mimoza Kusari

Mimoza Kusari-Lila është sërish kandidate për kryetare të Gjakovës, për herën e katërt. Kësaj here kryetarja e partisë Alternativa garon si kandidate e partisë së kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.

Së fundi, kryeministri Kurti gjatë fushatës elektorale në komunën që aktualisht drejtohet nga Ardian Gjini i AAK-së, ftoi gjakovarët që ta votojnë gjithsesi zonjën Kusari-Lila. Madje këtë thirrje të tij, kryeministri e quajti më të rëndësishme se secilën punë tjetër që ka.

“Unë i kam 100 punë. Besa po më duket pak me thane i kam 100 punë. Unë i kam 700 punë, ama nuk kam punë më të rëndësishme se me ardhë këtu në Gjakovë edhe me thane votojeni Mimoza Kusari-Lilën”, u shpreh Kurti, në një tubim me gjakovarë.

Por, lideri i VV-së nuk mendonte njëjtë për zonjën Kusari-Lila, në vitin 2014, kur kjo e fundit ishte kryetare e Gjakovës, si pjesë e Aleancës Kosova e Re të Behgjet Pacollit.

Në një tubim elektoral në këtë komunë, me 5 qershor 2014, gjatë fushatës së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, Kurti kishte thurur shumë lavde për Gjakovën, por kishte deklaruar se Shpend Ahmeti është shumë më i mirë se Mimoza Kusari-Lila.

“Vetëvendosja është e kuqe si Gjakova. Vetëvendosja është kuq e zi si Gjakova. Vetëvendosja është trime porsi Gjakova. Vetëvendosja është e ditur si Gjakova. Vetëvendosja është e kulturume si Gjakova. Veçse Shpendi është shumë më i mirë se Mimoza”, kishte thënë Kurti në fjalimin e tij të mbajtur në atë tubim.

Atëbotë, Shpend Ahmeti ende nuk kishte mbushur një vit si kryetar i Prishtinës, ndërkohë që ishte i vetmi kryetar komune nga VV pas zgjedhjeve lokale të vitit 2013.

Kurti dhe partia e tij qysh nga viti i parë i qeverisjes së Shpend Ahmetit në Prishtinë, e merrnin si model të qeverisjes kryeqytetin. Madje edhe gjatë këtij tubimi dhe në spote elektorale gjatë zgjedhjeve të vitit 2014, ishte vetë Kurti që deklaronte se qeverisja e komunës së Prishtinës ka arritur ta ndalë krimin dhe ta zhvillojë kryeqytetin e Kosovës.

Pas plot 7 viteve, Shpend Ahmeti tashmë po përfundon mandantin e dytë në krye të Prishtinës, duke mos qenë pjesë e VV-së dhe shumë i kritikuar e akuzuar nga zyrtarë të kësaj partie. Ndërsa, ish-kryetarja e Gjakovës, asokohe nga AKR, aktualisht është deputete e partisë së Kurtit dhe kandidate e kësaj partie për të parën e Gjakovës. / Paparaci.com

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci