Të fundit

Nuk “Jemi Një” me ju!

Protesta e djeshme e veprimtarëve të Albin Kurtit para ndërtesës së qeverisë në Tiranë, e gjitha me 50 deri 70 vetë, ishte në shumicë dërmuese me njerëz të Vetëvendosjes nga Prishtina dhe disa nga dega e VV në Tiranë, të cilët janë dhe mbështetësit më fanatikë të Albin Kurtit. Pra ishin tmerrësisht pak, tmerrësisht agresivë dhe thuajse të gjithë të importuar me autobusë nga Prishtina në Tiranë.

Shkruan: Mero Baze

Për fat të mirë Tirana dhe Shqipëria në përgjithësi e injoron këtë dimensionin e karshillëkut të Albin Kurtit kundër Shqipërisë. E pat injoruar dhe kur organizonte protesta kundër Edi Ramës më 2018, pse Rama kishte marrë dy ministra kosovarë në qeveri, të cilët kishin “tradhtuar” Albin Kurtin, pastaj më 2021, kur ju bashkua opozitës së Sali Berishës dhe Ilir Metës për të rrëzuar Edi Ramën dhe ku mori 0,0005 për qind, dhe tani që dërgon autobusë nga Prishtina për të protestuar para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.

Dhe fakti që Shqipëria e injoron pa mëri këtë gjë, i jep fund këtij debati.

E vetmja gjë që më bën përshtypje është se këta njerëz shtiren si patriotë apo sikur duan bashkimin kombëtar dhe marrin autobusat nga Prishtina dhe vijnë protestojnë para godinës së qeverisë në Tiranë. I pashë në bluzat e tyre që i kishin stampuar enkas për protestë, ku shkruanin sloganin “Jemi Një”!

Si mund të thuash “Jemi një” dhe nisesh nga shtëpia jote, shkon para oborrit të shtëpisë së tjetrit dhe e gjuan me gurë. Çfarë është kjo shprehje “uniteti” përmes dhunës?

Si qenkemi “Një”, kur Shqipëria është vendi që mbështet Kosovën si një shtet i qytetarëve pro perëndimorë, ndërsa ju disa falanga talibane, që kërkoni të zboni Perëndimin nga Kosova dhe ta ktheni atë në një territor të paadministrueshëm, ku natyrisht e drejta do anojë nga më të fortët, që nuk jemi ne.

Si qenkemi “Një” me një tufë falangash që kërkojnë të heqim dorë nga NATO, të heqim dorë nga SHBA dhe anëtarësimi në BE dhe të mbështesim Albin Kurtin, një nga udhëheqësit e vetëm në historinë e Kosovës që ka bërë gjeste dhune kundër Shqipërisë, pse ajo nuk mbështet axhendën anti-perëndimore të tij?

Si qenkemi “Një” me një tufë falangash që mbështesin Albin Kurtin dhe duhet të jemi kundër partisë së Ibrahim Rugovës, babait të Kosovës moderne, kundër partisë së Hashim Thaçit dhe drejtuesve të tjerë të UÇK, që justifikuan ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë?

Si mund të jemi “Një” me ata që linçojnë shoqërinë civile dhe shtypin në Kosovë dhe vijnë me autousë si mercenarë të na japin leksione demokracie në Tiranë?

Si mund të jemi “Një” me ata, që kur lexojnë shkrime të gazetarëve të Shqipërisë, kritikë me Kurtin, gjënë e parë që të shkruajnë e të shajnë është: “Pse po përziheni në punët e Kosovës (janë po këta që thonë “Jemi Një”? Mund ti verifikoni tek komentet.

Si duhet të jemi “Një” me një tufë falangash që nuk përfaqësojnë Kosovën, por disa numra në Kosovë që janë llumi i shtetit të Kosovës, pjesa më e paarsimuar, më injorante, më anadollake dhe mbi të gjitha, pa asnjë vetëdije kombëtare, por thjesht ushtarë të një populisti të lig, që kërkon të zhbëjë historinë e Kosovës për të krijuar një histori të tij duke përdorur Kosovën.

Nuk jemi “Një” me ju. Ju mund të vini çdo ditë me autobusë deri në Tiranë, të shani, të qëlloni me gurë e të ikni, pasi nuk jemi shpellarë, por ua tolerojmë kaq gjë, kurse ju nuk toleroni as t’u kritikosh liderin.

“Por nuk jemi “Një” me ju, se ju nuk jeni Kosova, jeni – llumi i Kosovës, regresi i Kosovës, një gur i rëndë në qafë të Kosovës, që kërkoni ta zhysni atë në ujëra të turbullta e ta mbysni aty.

Nuk jemi “Një” me ju, se ju nuk jeni Kosova, jo vetëm se jeni pak dhe të gjithë ushtarë të “Njëshit” tuaj Albin Kurti, por se ju nuk kini asnjë kontribut për shtetin e Kosovës. I vetmi kontribut i juaj është si ta zhbëni atë që është bërë deri më sot.

Ndaj nuk “Jemi Një” me ju, por “Jemi Një” me Kosovën, e cila do të mbetet me Perëndimin, edhe pasi pushteti juaj të perëndojë.

Video nga Paradoks

Çka ka Mërgimi kundër LGBT? Sami Lushtaku tregon rastin, befason me qëndrimin e tij për martesat mes sek*sit të njejtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci