Të fundit

Takimet në Bruksel, “me gjasë vetëm dypalëshe”

Takimet në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë me gjasë do të jenë vetëm takime dypalëshe, mes bartësve të dialogut, Albin Kurti, dhe Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësit evropianë të dialogut.

Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian tha se “përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, i shoqëruar nga i dërguari i posaçëm, Mirosllav Lajçak, do të kenë një seri takimesh për menaxhimin e krizave me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti”.

Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, në një konferencë për shtyp nuk ka treguar saktësisht se a do të ketë apo jo takim trepalësh.

“Unë nuk kam thënë se nuk do të ketë takim mes tyre. Me rëndësi është se ata sot do të jenë në Bruksel, me ftesë të përfaqësuesit të lartë. Të shohim se si do të shkojnë takimet, e pastaj mund të dimë më shumë”, është përgjigjur Massrali, në pyetjen se a do të ketë pasoja për ata që refuzojnë të takohen.

Takimet në kryeqendrën evropiane pritet të nisin pasditen e së enjtes.

“Diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugëdaljes për uljen e tensioneve të tashme, në mënyrë që [palët] të kthehen në zbatimin e marrëveshjeve të dialogut, në veçanti të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat.

Kurti dhe Vuçiq veçse kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga Borrell.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më herët gjatë 22 qershorit tha se të enjten do të takohet me Borrellin në Bruksel, por jo edhe me Kurtin.

“Biseda me të [Kurtin] nuk ka kuptim. Ai na jep leksione për filozofinë, pak për [Adem] Demaçin, pak për [Karl] Marx”, tha Vuçiq.

Një ditë më parë, Kurti ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e Brukselit.

Ai tha se në atë takim do të insistojë “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të tre policëve [të Kosovës] që po mbahen peng nga Serbia, shtensionimin e situatës dhe normalizimin e raporteve”.

Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se ka ftuar liderët e Kosovës dhe Serbisë në një takim urgjent në Bruksel, për gjetjen e një zgjidhjeje për krizën aktuale.

“Kam ftuar liderin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe atë të Kosovës, Albin Kurti, në Bruksel për takime urgjente për të gjetur një mënyrë për të dalë nga kriza aktuale. Na duhet shtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe BE-në”, shkroi ai në Twitter.

Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka biseduar për situatën në veri të Kosovës me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Të dy zyrtarët perëndimorë kërkuan shtensionimin e situatës në Kosovë.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Më 14 qershor, tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësuan edhe më tej, pas arrestimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Serbia tha se ata u arrestuan “thellë” brenda territorit të saj, por Kosova tha se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

Plani pesëpikësh i Kurtit për uljen e tensioneve në veri

  • Sundimi i ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët
  • Grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës
  • Policia e Kosovës, pjesëtarë të NATO-s dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë.
  • Qeveria e Kosovës të koordinohet me të gjithë aktorët dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri
  • Kosova dhe Serbia t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe një takim i nivelit të lartë të mbahet gjatë kësaj jave

Plani i Kurtit parasheh edhe mbajtjen e zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor./REL

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci