Të fundit

Grenell deklarohet pasi u takua me përfaqësuesit e Listës Serbe në veri

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka shprehur sërish kërkesat, plotësimi i të cilave do të mundësonte që partia më e madhe e serbëve të Kosovës të marrë pjesë në zgjedhje, të cilat bashkësia ndërkombëtare i sheh si një rrugëdalje nga kriza aktuale në veri.

Këto kërkesa ai i ka bërë në një konferencë për media në Mitrovicë të Veriut, pas takimit me ish të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Rakiqi tha se “përfaqësuesit (politikë) dhe populli serb në veri” kërkojnë tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës, amnistinë e të gjithë serbëve të arrestuar që morën pjesë në barrikada apo protesta dhe dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të vendit.

“Dhe sigurisht, kushti i të gjitha kushteve është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha Rakiqi në konferencën e përbashkët me Richard Grenellin.

Takimin me Grenellin, Lista Serbe e zhvilloi në veri të Kosovës, ku tensionet janë rritur javët e fundit. Serbët bojkotuan zgjedhjet lokale të 23 prillit dhe nuk i pranojnë rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Grenelli tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të bisedojë me përfaqësuesit politikë të serbëve dhe se “de-përshkallëzimi nuk ndodh në Bruksel”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, kanë qëndruar të enjten në Bruksel, me kërkesë të Bashkimit Evropian, i cili ndërmjetëson dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Siç është thënë, bisedimet do të kenë në fokus “menaxhimin e krizës”.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet të vijë dhe të dëgjojë këta njerëz. Dëgjoj shumë shqetësime këtu sot dhe besoj se do të gjendej rruga, sikur komuniteti ndërkombëtar të vinte (për të biseduar)”, tha Grenell.

Ai ishte ambasador i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë administratës së Donald Trumpit, i cili e emëroi në atë pozitë.

Rreth një vit pasi Joe Biden u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, me marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë filloi të merret Gabriel Escobar, i cili u emërua zëvendës ndihmës sekretar në Byronë për çështjet evropiane dhe euroaziatike të Departamentit të Shtetit.

Grenelli tha se për të ishte “zhgënjyese që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë përkeqësuar në tre vitet e fundit”.

“Ne po ecnim në një rrugë të mirë, drejt normalizimit ekonomik dhe unë mendoj se këtu e duan paqen, punësim të mirë”, tha ai.

Gjatë mandatit të Grenellit, Kosova dhe Serbia nënshkruan Marrëveshjen e Uashingtonit për normalizimin të marrëdhënieve ekonomike.

Në shkurt të këtij viti, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, e ka dekoruar Grenellin me rastin e Ditës së shtetësisë. Në fjalimin e tij, Vuçiqi ka deklaruar se Grenelli ishte “nga të paktët që ka tentuar të ketë qasje të balancuar dhe të dëgjojë Serbinë”.

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci