Të fundit

Shënime nga Praga

Sapo të hysh në villën Grobovka ndodhesh përballë një fotografie, të qershorit 2007, ku Vaclav Havel shfaqet duke prerë shiritin e dedikimit zyrtar të kësaj ndërtese historike për Institutin CEELI.

Shkruan: Valmir Elezi

Përafërsisht kjo mund të ketë qenë koha kur si student i Shkencave Politike në Prishtinë kisha lexuar diçka më përmbajtësore për ish-presidentin çek. “Charta 77” ishte guximi i Havelit dhe bashkëkohanikëve të tij, jo vetëm përballë regjimit komunist në vendin e tij, por edhe ndaj qendrës së BRSS-së që dikur nuk e kishte duruar as edhe një poet si Osip Mandelstam të lexonte para miqëve poezinë e tij: “Epigrami për Stalinin”. Në mënyrë monumentale ai kishte arritur të përshkruante regjimin shtypës dhe brutaliten e vendimeve të Josif Stalin.

Çekosllovakia më liberale kishte marrë fund me pushtimin e saj më 1968, kur Ushtria e Kuqe dhe trupat e katër vendeve tjera të Trakatit të Varshavës: Polonia, Hungaria, Gjermania Lindore dhe Bullgaria, pushtuan më 21 gusht territorin çekosllovak. Liria e shprehjes ishte parë me rrezik në Kremlin dhe kjo ndërhyrje ushtarake ishte një paralajmërim për kombet tjera që do të largoheshin nga linja e partisë.

Gjurmët e asaj kohe të errët e jo të largët mund t’i shohësh edhe sot krejt rastësisht duke ecur nëpër rrugët e Pragës.

Sot, Praga vazhdon të mbajë mbi vete peshën që ia jep koha dhe vendndodhja e saj mes dy botëve që vazhdojnë të dallojnë.

Një ngjarje e organizuar në maj në villën Grobovka nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), i cili prej vitesh ka lënë gjurmë edhe në Kosovë, të kthen mendjen te një betejë e njerëzimit. Që nga lashtësia, e vërteta dhe gënjeshtra, zhvillojnë luftën e tyre të pandërprerë dhe në mënyra të ndryshme, varësisht nga koha. Nëse dikur, sipas legjendës mijëravjeçare për Betejën e Maratonës, një luftëtari athinas i janë dashur ditë për të dërguar mesazhin e fitores nga Athina në Spartë, sot një porosi të tillë mund ta dërgosh në çdo vend të botës brenda pak sekondash. Sot, nuk është e lehtë vetëm të dërgosh një mesazh, një lajm të mirë, por është bërë kaq e lehtë edhe të shpërndash gënjeshtra.

Liria dhe demokracia do të vinte në Pragë në fund të viteve 80’ta, kur perdja e hekurt ra.

Në këtë betejë ka vendin e tij edhe Vaclav Havel, dramaturg dhe disident. Për fjalën e tij ai do të mbante edhe disa vite burg. Vetëm një vit para kësaj, ai do të shkruante disa nga esetë e tij që edhe sot mbesin një referencë për kohën e errët të komunizmit. Në “Fuqia e të pafuqishmëve” (1978), Havel tregon se si qyetetarët detyrohen të jetojnë brenda një gënjeshtre dhe hipokrizie, ku: Qeverisja nga burokracia quhet qeverisje popullore; klasa punëtore është e robëruar në emër të klasës punëtore; degradimi i plotë i individit paraqitet si çlirimi i tij përfundimtar; privimi i njerëzve nga informacioni quhet vënia e tij në dispozicion; përdorimi i fuqisë për të manipuluar quhet kontrolli publik i pushtetit dhe shpërdorimi arbitrar i pushtetit quhet respektimi i kodit ligjor; […] mungesa e shprehjes së lirë bëhet forma më e lartë e lirisë; zgjedhjet farsë bëhen forma më e lartë e demokracisë; ndalimi i mendimit të pavarur bëhet më shkencori i botëkuptimeve; pushtimi ushtarak bëhet ndihmë vëllazërore.

“Për shkak se regjimi është rob i gënjeshtrave të tij, ai duhet të falsifikojë gjithçka. Falsifikon të kaluarën. Falsifikon të tashmen dhe falsifikon të ardhmen. Falsifikon statistikat. Bën sikur nuk zotëron një aparat policor të gjithëfuqishëm dhe joparimor. Pretendon të respektojë të drejtat e njeriut. Pretendon se nuk persekuton askënd. Pretendon se nuk ka frikë nga asgjë. Pretendon se nuk pretendon asgjë. Individët nuk duhet t’i besojnë të gjitha këto mistifikime, por duhet të sillen sikur t’iu besonin, ose të paktën duhet t’i tolerojnë në heshtje, ose të shkojnë mirë me ato që iu përshtaten. Për këtë arsye, megjithatë, ata duhet të jetojnë brenda një gënjeshtre. Ata nuk duhet ta pranojnë gënjeshtrën. Mjafton që ata ta kenë pranuar jetën e tyre me të dhe në të. Sepse pikërisht me këtë fakt, individët konfirmojnë sistemin, përmbushin sistemin, bëjnë sistemin, janë sistemi”, shkruan Havel.

E vërteta dhe gënjeshtra nuk është vetëm një betejë për fjalën, por edhe për të drejtën dhe të padrejtën; për dritën dhe errësirën. Kjo është një betejë siç duket e përhershme dhe që nuk mbaron kurrë.

Havel ka një vend të madh, jo vetëm në historinë e Europës në gjysmën e dytë të shekullit XX, por pashmangshëm edhe në atë të Kosovës, si pjesë e kësaj historie. Ai ka parë lindjen e shtetit të ri dhe ka mbështetur hapur angazhimin e shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur. Intervenimin ushtarak të NATO-s e ka parë si “mbrojtje e jetëve të njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”. Haveli është i nderuar në Kosovë me “Medaljen e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova”.

Sot, themelet e botës së lirë, që kishte triumfuar mbi shtypjen në fundshekullin e kaluar, po ndihen të rrezikuara sërish. Se, nga vjen ky rrezik, është pyetja që sot merr shumë përgjigje. Por, a nuk duket se në thelb ajo vjen pikërisht nga ato vende që vazhdojnë të mbështillen me gënjeshtra? Për këto sisteme duket se është më e lehtë të dëmtojnë botën tjetër. Ato nuk janë të detyruara të jenë të përgjegjshme as llogaridhënëse, sepse zakonisht qëndrojë mbi normat dhe janë të pakufizuara, e shpeshherë të pakontrollueshme.

Video nga Paradoks

Çka ka Mërgimi kundër LGBT? Sami Lushtaku tregon rastin, befason me qëndrimin e tij për martesat mes sek*sit të njejtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci