Të fundit

Cila marrëveshje?

Është çështje ditësh kur do të ndodhë takimi i radhës në Bruksel i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili siç pritet, i tëri do t’i dedikohet hapave të ardhshëm në zbatimin e Marrëveshjes Themelore për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të dy shteteve, si dhe të Aneksit të Ohrit.

Shkruan: Blerim Shala

Ky formulimi për ’hapat e ardhshëm’ në jetësimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, mbase, në mënyrën më të mirë të mundshme shpjegon se çfarë do të duhej të ndodhte tash e tutje në këtë ndërmarrje të ndërlikuar, e cila nëse na kujtohet të gjithë neve, u lansua tash një vit nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kryeministri i Gjermanisë Olaf Scholz, me Letrën e tyre publike.

Çfarë kemi parë dhe çka kemi dëshmuar për gjashtë muaj të plotë, që nga ai 18 marsi i këtij viti në Ohër, është mungesë e çfarëdo hapi në drejtimin e duhur të përmbushjes së një Akordi në mes të Kurtit dhe Vuçiqit, ekzistenca e të së cilit madje mohohet në mënyrë të vazhdueshme nga Presidenti i Serbië.

Në këtë historinë e bisedimeve dhe negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ka hyrë në vitin e 26-të  (takimi i parë ka ndodhur në muajin maj të vitit 1998-të), kemi përjetuar gjithçka:

Marrëveshjen e Rambouilletit  (mars, 1999), që solli fushatën e Aleancës Veri-Atlantike për shpëtimin e popullit shqiptar dhe për çlirimin e Kosovës;

Marrëveshjen e Vienës  (mars, 2007), apo Propozimin Gjithpërfshirës e Presidentit Ahtisaari për krijimin e shtetit të Kosovës, fillimisht të mbikëqyrur nga Bashkësia Ndërkombëtare;

Marrëveshjen e parë të Brukselit  (prill 2013), në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e gjendjes në Veri;

Marrëveshjen tjetër të Brukselit  (shkurt, 2023), për, siç është definuar, ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Dy marrëveshjet e para i ka kthyer mbrapsht Serbia, por ato, megjithatë, kanë luajtur atë rolin e tyre parësor, sepse nuk e kanë ndalur Kosovën dhe popullin e saj ta gjejë fatin e vet në Kosovën e lirë një herë, e më pas, në Kosovën e pavarur.

Marrëveshja e tretë, e para që u pranua vullnetarisht nga ty palët, krijoi rrethanat për zgjidhjen e një kontesti të gjatë historik në mes të Kosovës dhe Serbisë, por ajo, për shkaqe të shumta, nuk i përmbushi pritjet dhe përjetoi një zvetënim dhe një degradim që e bëri ate fare të paqëndrueshme.

Megjithatë, kjo e fundit, është rast në vete, sepse megjithë atë pranimin fillestar, nga te dy palët, apo, nga Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq, në prani të Josep Borrellit, Përfaqësuesit të lartë të BE-së, dhe Miroslav Lajčakut, Përfaqësuesit Special të BE-së për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, në periudhën vijuese u përcoll me mohimin e saj nga lideri i Serbisë.

Nëntë vitet e para të negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë  (1998-2007), mundësuan pra  siç u tha tashmë), që Kosova të çlirohet dhe të pavarësohet.

Dymbëdhjetë vitet e dyta të këtyre bisedimeve (2011-2023), nuk sollën, ashtu siç ishte synuar, jo vetëm prej nesh, por edhe prej Brukselit dhe Washingtonit, konfirmimin, edhe nga ana e Beogradit, e një realiteti faktik dhe formal të Kosovës së pavarur.

Kjo zatën u konfirmua sërish me deklaratën e Shkupit të Presidentit të Serbisë të dhënë këto ditë pas Samitit të Nismës Brdo/ Briuni, që kësaj here u mbajt në Shkup, ku Vuçiq pohoi që Kosova nuk është shtet dhe që madje, nuk do të jetë kurrë shtet.

Vet titulli i Marrëveshjes Themelore, e cila ishte pranim i Propozimit Evropian, (apo franko – gjerman), tregon që ajo mëton ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Përmbajtja e saj nuk len fort vend për dyshim që në këtë mënyrë, ndodhë njohja de fakto e ndërsjellë e Kosovës dhe Serbisë, e cila më pas, përmes Marrëveshjes Gjithpërfshirëse të Kosovës dhe Serbisë, do të evoluojë drejt njohjes formale.

Pra, supozimi i Parisit, Berlinit, Washingtonit dhe Berlinit ka qenë që Beogradi, me Marrëveshjen Themelore  (kalimtare), në mënyrë të heshtur do të pajtohet që Kosova ekziston si shtet i pavarur. E më pas, kjo (njohja), do të ndodhë edhe në mënyrë të zëshme apo formale.

Por, Vuçiq që nga Ohri e tutje, ka mohuar ekzistencën e kësaj Marrëveshjeje, ka bërë gjithçka që t’i mbajë dhe t’i forcojë strukturat e tij paralele në Veriun e Kosovës, dhe ka mohuar, zëshëm, që Kosova është shtet i pavarur.

Për çfarë Marrëveshje atëherë flitet këtu?

Video nga Paradoks

U 'kapën keq' në emision me Gani Gecin, Arben Ahmeti sqaron rastin: "I kërkova falje me qef"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci