Të fundit

Krasniqi pas takimit me Lajçak: Ishte informues, s’patëm mundësi ta shohim draftin e Asociacionit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi është deklaruar për mediet pas takimit që pati me emisarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Ai ka thënë se është informuar lidhur me procesin, por jo në detaje lidhur me draftin e statutit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Krasniqi ka thënë se takimi ishte informues, shkruan Paparaci.com.

“Ne patëm një takim me ndërmjetësin e BE-së, Miroslav Lajçak. Ishte një takim informues lidhur me rrjedhën e procesit në javët e fundit, ai na informoi për hapat që janë ndërmarrë nga ana e tyre dhe në terma të përgjithësuar shprehi qëndrimin e shteteve të BE-së dhe përfaqësuesve të tjerë që drafti i Asociacionit që iu është propozuar qeverisë është draft që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk shkon përtej vijave të kuqe, por fatkeqësisht nuk patëm mundësi ta konsultojmë tekstin integral.”, tha Krasniqi.

Ai gjithashtu ka thënë se është e rëndësishme të rritet transparenca në dialog sepse bëhet fjalë për një marrëveshje kontraverse si ajo e Asociacionit.

“Në anën tjetër shpreha qëndrimin e PDK-së që ka qenë dhe mbetet i njëjtë se ne besojmë që duhet të ketë vendosmëri më të madhe për të shkuar përpara në proces por mbi të gjitha të ketë më shumë transparencë sepse nuk po flasim për një marrëveshje në mesin e shumë marrëveshjeve  që janë nënshkruar e diskutuar në të kaluarën por po flasim për një nga pjesët më kontraverse që janë diskutuar e kanë preokupuar skenën politike të Kosovës për vite me radhë dhe në këtë kuadër mendoj që është për të kritikuar qasja e institucioneve të Kosovës, qeverisë së Kosovës me mungesën e plotë të transparencës për qytetarët por edhe për liderët politikë sepse në fund të fundit është e pamjaftueshme të thuhet se ky draft është apo nuk është në pajtim me Kushtetutën pa i lexuar nga një perspektivë edhe e ekspertizës Kushtetuese të gjitha nenet dhe tekstin integral të marrëveshjes.”, tha Krasniqi.

Më tutje, ai është shprehur se ka kërkuar nga Lajçak që BE-ja t’i heqë sanksionet ndaj Kosovës.

“Po ashtu kam kërkuar nga Lajçak, siç kam bërë edhe në Bruksel, Francë dhe çdo takim tjetër që sa më parë Kosovës t’i hiqen sanksionet nga BE-ja sepse nuk konsideroj që është qasje e drejtë sidomos mas sulmit të 24 shtatorit kundër Kosovës ku ne jemi të bindur, tashmë ka edhe dëshmi që ishte një involvim i drejtpërdrejt i shtetit serb, ndërsa nuk ka asnjë veprim ndaj Beogradit zyrtar dhe unë shpresoj që kjo kërkesë të merret parasysh dhe ne besojmë se do të ketë veprime konkrete në heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës.”, tha Krasniqi.

Krasniqi ka thënë që themelimi i Asociacionit nuk bën ta transformojë Kosovën nga idealet e themeluesve të shtetit.

“Ne jemi në komunikim të duhur, por shqetësimet tona vazhdojnë të jenë prezentë sepse nuk jemi të njoftuar në detajet e siç thotë një shprehje “dreqi fshihet në detaje”, neve na duhet t’i shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurt se një themelim i asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë dhe nuk do ta transformojë republikën e Kosovës nga idealet e themeluesve të këtij shteti.”, tha Krasniqi. /Paparaci.com/ 

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci