Për herë të tretë është rikthyer në rivendosje çështja përmbarimore mes kompanisë “Dardafon.net” dhe Telekomit të Kosovës lidhur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ku Telekomi i Kosovës detyrohet të paguajë 10 milionë e 270 mijë euro kompanisë “Dardafon.net”.
Në mënyrë të çuditshme e duke mos zbatuar nenin 190 paragrafi 3 të LPK-së, gjyqtari Faton Bajrami, i cili dyshohet të ketë lidhje me pushtetit, mori vendimin për rivendosjen e aktvendimit të dhomave të shkallës së parë.
Gjyqtari Bajrami, sikurse Telekomi i Kosovës, kishte kërkuar përjashtimin e gjyqytarit Alajdin Tërshnjaku, gjyqtar ky që kishte marrë aktvendimin e Dhomave të Shkallës së parë në muajin korrik të vitit 2023.
Ai ka mohuar të ketë lidhje me pushtetin, ndërkaq për vendimin e marrë nuk ka pranuar të përgjigjet duke cituar “Kodin e Etikes Profesionale për Gjyqtarë”.
Lidhur me rivendosjen e kësaj çështje është deklaruar edhe kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli.
Ai ka potencuar se nuk është praktikë e kësaj gjykate rikthimi në rivendosje për herë të tretë për një çështje të caktuar, megjithatë ka shtuar se ato janë vendime të cilat iu takojnë gjyqtarëve përkatës.
“Nga të dhënat në dispozicion, rezulton se kthimi i lëndëve në rivendosje për më shumë se dy herë si dhe ndërrimi i gjyqtarit të gjykatës së shkallës së parë për trajtimin e rastit nga Dhomat e Shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale nuk është dukuri që e përcjellë praktikën e kësaj gjykate dhe ka ndodhur vetëm në disa raste të izoluara dhe specifike ku gjyqtarët e kanë vlerësuar si të domosdoshme, e për të cilat unë si Kryetar nuk mund të jap vlerësime e as ti komentojë sepse tejkalojnë kompetencat e mia ligjore”, ka thënë Tutuli për Nacionale, transmeton Paparaci.
Telekomi i Kosovës kishte kërkuar që të anulohet vendimi i Gykatëë Ndërkombëtare të Arbitrazhit që e kishte obliguar Telekomin e Kosovës t’i paguajë 10 milionë e 270 mijë euro kompanisë “Dardafon.net”
Dhomat e shkallës së parë e Gjyktës Komerciale kishin vendosur lidhur me ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.