Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se marrëdhënia e Kosovës me SHBA-në është e shenjtë dhe nuk duhet dhe s’mund të jetë temë diskutimi.
Tahiri ka thënë këtë në përmbyllje të vizitës së tij në SHBA.
Ai ka thënë se SHBA-ja është dhe gjithmonë do të jetë aleat strategjik i Kosovës.
“ShBA-ja ka qenë, është dhe përgjithmonë do të mbetet aleate strategjike e Kosovës, qoftë në rrafshin e brendshëm qoftë në rrafshin ndërkombëtar. Marrëdhënia me ShBA-në është e shenjtë dhe si e tillë nuk mund dhe nuk duhet të jetë subjekt i diskutimi. Si e tillë, kjo marrëdhënie është pjesë e identitetit shtetëror dhe kombëtar”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ai ka thënë se “eksperimentet e kësaj qeverie në qasjen ndaj SHBA-së duhet të ndalen”.
“Thellimi i partneritetit me ShBA-në, mes tjerash i shërben avancimit të gjithmbarshëm të Kosovës, sikurse edhe afirmimit të pozicionit në rrafshin multilateral. Formalizimi i këtij partneriteti do të duhej të shënohej përmes një marrëveshje për partneritet strategjik. Qasja vetëpërjashtuese dhe mënjanuese e kësaj qeverie, përfshirë këtu edhe mungesën e komunikimit, takimeve dhe koherencës së nevojshme për komunikim të strukturuar me institucionet dhe lidershipin amerikan, po lëndojnë proceset dhe pozicionet e lartcekura. Eksperimentet dhe ekzibicionet e kësaj qeverie në qasjen ndaj ShBA-së, duhet të ndalen, dhe nuk duhet harruar që ato bien në sy, përderisa tolerimi është shenjë respekti i qeverisë amerikane për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka shkruar Tahiri.