Policia e Kosovës ka ndaluar një komisioner dhe një vëzhgues në Komunën e Malishevës, nën dyshimin për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votimin”, raporton Paparaci.com.
Ndalimi i dy të dyshuarve në gjimnazin “Hamdi Berisha” është realizuar sipas urdhrit të Prokurorisë së Shtetit, ka njoftuar prokuroria përmes një njoftimi për media.
“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se dy (2) të arrestuarit janë një (1) vëzhgues dhe një (1) komisioner nga qendra e vendvotimit në gjimnazin “Hamdi Berisha” nën dyshimet për shitblerje të votës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organin e akuzës dhe Policinë e Kosovës në denoncimin e rasteve të kundërligjshme që ndërlidhen me zgjedhjet. /Paparaci.com