Të fundit

Shainoviq: Ardhja e Hill-it dhe O’Brien-it, vazhdimësi e planit të krijuar në Rambuje

“Negociatat në Rambuje, të cilat filluan më 6 shkurt para 25 vjetëve, mund të shihen edhe si një hyrje për marrëveshjet e mëvonshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka pretenduar krimineli i luftës, dhe shërbëtori besnik i Millosheviqit, Nikolla Shainoviq, i cili ishte një nga përfaqësuesit e delegacionit serb në negociatat në vitin 1999 në Rambuje.

Shainoviq ka thënë se atëherë RF Jugosllavisë iu ofrua që me një nënshkrim të pranojë edhe pushtimin e të gjithë vendit, edhe mekanizmin e shpalljes së Kosovës së pavarur.

Në një deklaratë për portalin serb “kosovoonline”, krimineli Shainoviq ka thënë se “negociatat në Rambuje nuk janë një ngjarje e veçantë dhe se gjërat kanë filluar të ndodhin para kësaj. Në këtë kuptim, ai ka theksuar se negociatat në Rambuje janë vazhdimësi e negociatave me Ibrahim Rugovën për arsimin në vitin 1998, si dhe negociatat me Rugovën, të ndërmjetësuara nga Christopher Hill, për hartimin e një dokumenti për vetëqeverisjen në Kosovë”, transmeton Paparaci.

E gjithë kjo, siç thotë ai, zgjati deri në vjeshtën e vitit 1998 dhe më pas papritur “Amerika ndërron anë”.

“Amerika e braktis Rugovën, e braktis ndërmjetësimin e Vatikanit për arsimin dhe Christopher Hill me Holbrook-un ulen me atë pjesëtarin mjekrosh të UÇK-së në Junik me kallashnikov në dorë dhe demonstrojnë se Amerika ka kaluar në anën e armatosur brenda korpusit shqiptar. Pastaj zhvillohen luftimet, pasivizimi i UÇK-së, vjen Walker-i i cili fillimisht ishte bashkëpunues, e më pas punon për të rikthyer UÇK-në dhe të na përgatitë një konflikt të ri. Ndërkohë NATO po përgatitej për luftë dhe gjatë këtyre përgatitjeve bëhen negociata formale. Pse formale – sepse asnjëherë nuk u ulëm të bisedojmë me palën tjetër. Atje ishin Rugova dhe akademiku i tyre Rexhep Qosja, dhe ata mbetën anash. Ata u tradhtuan dhe Madeleine Albright e shpalli Hashim Thaçin lider të palës shqiptare. Nuk ka pasur negociata”, pretendon Shainoviq.

Sipas fjalëve të tij, përmbajtja e negociatave ishte që të dorëzohet sovraniteti i RF të Jugosllavisë, jo i Kosovës, një grupi të shteteve, përcjell Paparaci.

“Ata na dhanë të nënshkruajmë një marrëveshje që thotë: Këshilli Politik i NATO-s, aty bëjnë pjesë ministrat e punëve të jashtme, që duhej të luanin rolin e qeverisë së NATO-s, ku ne u japim të gjithë territorin, ata të vijnë me armë dhe të kenë të drejtë të arrestojnë kë të duan. E që ishte një pushtim klasik dhe ka qenë i vlefshëm për tre vjet dhe pas këtyre tre vjetëve problemi i Kosovës do të zgjidhet në përputhje me vullnetin e popullit, në fillim përmendën referendumin, kështu që ne thamë “çfarë referendumi”, dhe pastaj mbeti vullneti i popullit. Ne është dashur që me një nënshkrim të pranojmë edhe okupimin edhe mekanizmin e shpalljes së Kosovës së pavarur. Ne e refuzuam këtë”, ka thënë ai.

Siç thekson ai, “edhe sikur sot dikush do t’i propozonte diçka të tillë, ai nuk do të mund ta nënshkruante”.

Pas këtyre negociatave, sipas fjalëve të Shainoviqit, vazhduan marrëveshjet e tjera, kështu erdhi Rezoluta 1244, pastaj Marrëveshja e Brukselit, Marrëveshja e Ohrit…

Në këtë kuptim, ai shpjegon se Perëndimi kolektiv ka dalë me një metodë të re të luftës, e cila është lufta me marrëveshje.

“Unë ju jap një marrëveshje, ju plotësoni tuajën, unë nuk e përmbush timen, kështu që kur të protestoni, ju ofroj një marrëveshje të re në të cilën është përsëri e njëjta gjë. Dhe ja ku jemi sot, ndalimi i dinarit, arrestimi i një grupi mjekëve dhe teknikëve mjekësorë, pasi siç thonë ata, kanë ofruar shërbime mjekësore pa autorizim dhe kështu kemi ardhur në shkeljen e gjithçkaje që është bërë deri më tani. Rambuje ishte vetëm një segment i këtij procesi”, ka pretenduar Shainoviq.

I pyetur nëse ka ndonjë lidhje mes ngjarjeve të atëhershme dhe të tanishme, duke pasur parasysh se në bisedimet në Rambuje kanë marrë pjesë ambasadori i SHBA-së në Serbi Christopher Hill dhe Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane, James O’Brien, Shainoviq ka pretenduar se ka dhe se ata janë pjesë e administratës së Bidenit, e që është vazhdimësi e planit.

“Në atë kohë Hill ishte në nivelin e mesëm, ishte ambasador në Maqedoni, O’Brien ishte këshilltar i ri, ambicioz. E pashë në Rambuje, merrej me çështje juridike. Administrata Biden është vazhdimësi, Hill u kthye nga pensioni dhe O’Brien u kthye në të njëjtën punë në fund të karrierës së tij. Nuk ka dyshim, nuk ka teori konspirative, gjithçka është një rrjedhë dhe një plan”, ka thënë krimineli Nikolla Shainoviq, i dënuar në Tribunalin e Hagës për krime lufte./Paparaci.com

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci