Të fundit

Njerëz të lidhur me Vetëvendosjen ia mësyjnë konkursit për noterë

Ndër vendimet e para që mori Albulena Haxhiu kur u ul në ulësen e ministres së drejtësisë, ishte anulimi i konkursit për noter.

Arsyet sipas saj ishin të shumta, përfshirë nepotizmin, lidhjet e kandidatëve me partitë politike atë kohë në pushtet dhe kandidimi i familjarëve të noterëve.

Krahas kësaj, procesi i finalizimit të noterëve pritet të bëhet këtë vit.

Megjithëse Haxhiu konkursin e kishte anuluar për arsyet e lartëcekura, si duket të njëjtën gjë po e bën edhe ajo vet.

Nga 597 kandidatë pjesëmarrës në konkurs, një pjesë e madhe prej tyre, sipas raportimit të Gazetës Blic, dalin të jenë të afërt e përkrahës të VV-së, partisë në pushtet, ose të paktën kanë lidhje familjare e miqësore me ta, si dhe familjarë të noterëve, ish-noterëve dhe të afërt të anëtarëve të Komisionit për Provimin e Noterisë, të emëruar nga ministrja aktuale – Albulena Haxhiu.

-Milot Podvorica është numër 271 në listë për noter, por nëse futemi në rrjetet sociale të tij duket se është njeri i afërt i Arben Vitisë, ministrit të Shëndetësisë në Qeverinë Kurti.

Podovoricës nuk i mungojnë fotografitë as me kryeministrin, Albin Kurti.

-Avdi Muzliukaj numër 224 në listë, zyrtar i lartë i Vetëvendosjes në Mitrovicë, ish-shef i shtabit zgjedhor në Mitrovicë, njeri i afërt i kryeministrit Kurti.

-Ndërsa, Genc Hundozi është mbështetës Vetëvendosjes. Hundozi i cili është numër 524 në listë për noter është edhe goxha i afërt me kryeministrin Kurti.

-Munip Dërguti, njeri i LVV-së në Rahovec, mik i deputeti Visar Korenica dhe zëvendësministrit, Arsim Berisha.

-Suna Sallahu është bashkëshorte e anëtarit të VV-së në Prizren, Valton Sahiti.

Po ashtu, Sallahu është zv/anëtare e komisionit për dhënien e provimit të noterisë. Ajo është e zgjedhur nga Albulena Haxhiu, ministrja e drejtësisë.

-Flakron Rexhepi është i 72 në listë, si kandidat për noter. Rexhepi është edhe aktivist i VV-së dhe i emëruar zyrtar në Kabinetin e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Arben Krasniqi nr,339 në listë, anëtar i LVV-së, me ardhjen e VV-së në pushtet në komunën e Prizrenit i njëjti ishte transferuar nga komuna e Prishtinës, pranë zyrës ligjore në komunën e Prizrenit, mik i afërt me deputetin Sali Zyba.

Ilir Kadolli, nr 338 në listë, anëtar i LVV-së, i punësuar në Ekoregjion, në kohën kur ka qeverisur VV në Prizren, mik i afërm me deputetin Arbër Rexha.

Lidhur me konkursin për noterë, përzgjedhjen e komisionit të provimit për noterë, Gazeta Blic ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë, që udhëhiqet nga ministrja Albulena Haxhiu.

Në përgjigjen e Ministrisë për Gazeta Blic, thuhet se kabineti i ministres nuk është marrë fare me aplikimet e kandidatëve, përpos në disa raste.

“Ju lutem njoftohuni se Kabineti i Ministres së Drejtësisë nuk është marrë fare me aplikimet e kandidatëve, përveç në rastet e shqyrtimit të ankesave pas refuzimit të aplikimeve nga Departamenti për Profesionet e Lira në Ministrinë e Drejtësisë që përbëhet nga stafi jo-politik i Ministrisë, ashtu siç përcaktohet me legjislacionin në fuqi. Në këtë kuptim, ky departament ka bërë vlerësimin e aplikimeve të kandidatëve dhe në rastet kur këta kanë plotësuar kushtet ligjore për t’iu nënshtruar provimit, të njëjtëve iu është aprovuar aplikimi”, thuhet nga MD.

Më tej, ministria shton se kandidatët i janë nënshtruar provimit në kushte të barabarta.

“Të gjithë kandidatët i janë nënshtruar provimit në kushte të barabarta dhe rregullat e parandalimit të konfliktit të interesit në raport me Komisionin janë respektuar sipas përcaktimeve ligjore dhe nënligjore të legjislacionit në fuqi”.

Në përgjigjen e saj, Ministria e Drejtësisë mohon të ketë ndikuar në favorizim apo penalizim të ndonjë kandidati në këtë konkurs për noterë.

“Ministria e Drejtësisë nuk ia ka mohuar të drejtën asnjë kandidati që ka plotësuar kushtet për t’iu nënshtruar provimit të Noterisë, ashtu siç nuk mund dhe nuk do të favorizojë ose penalizojë asnjërin kandidat në fazat e mëtejme që i pasojnë shpalljes së rezultateve të provimit. Të njëjtit i janë nënshtruar një procesi të rregullt, të drejtë dhe profesional, të bazuar në kushte dhe mundësi të barabarta”, thuhet nga Ministria për Gazeta Blic.

MD po ashtu ka njoftuar se aktualisht procesi është në kontrollimin e testeve të kandidatëve në prezencë të monitoruesve dhe më pas finalizohet procesi.

“Aktualisht, pas mbajtjes së provimit me shkrim më 27 janar 2024, Komisioni është në procesin e kontrollimit të testeve të kandidatëve, në prezencë të monitoruesve, për të vazhduar me pas drejt finalizimit të këtij procesi, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, përfundon përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë.

Gazeta Blic ka provuar që të kontaktoj shumicën e kandidatëve për noter që janë përmendur në tekst, por kontakti me disa prej tyre ka qenë i pamundur e disa nuk janë përgjigjur fare.

Kujtojmë se, disa komuna të tjera në vend vazhdojnë të mos e kenë asnjë noter, e ky problem, sipas Albulena Ukës nga Ministria e Drejtësisë do të marrë fund me konkursin e ri.

“Në këtë mënyrë do të bëhet zgjidhja e problemit për mungesën e noterëve në komunat e Kosovës. Pas përfundimit të provimit të noterisë dhe këtij procesi, pritet të hapet konkursi për emërimin e noterëve dhe të bëhet caktimi i noterëve nëpër komuna dhe të eliminohet problemi i mungesës së tyre nëpër komunat e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Procedura për emërimin e noterëve të rinj, për t’iu bashkuar shifrës prej 50 që janë në shërbim aktualisht, synohet të përfundohet brenda këtij viti. /Gazetablic

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci