Shkruan Kimete Berisha
Po shkoj në Manastir!
1. ‘Unë e di se prapë do t’vjen pranvera;
dhe do të çelin lulet përsëri;
po për mua fushat janë me ferra;
jeta ime është ky manastir’.
– Manastirit i kanë kënduar shqiptarët me afsh e me zemër t’plastë, ama manastiri në muzikën shqipe paraqitet si një qosh vetmitarësh, si streha e fundit e dashnorëve të braktisur, ku i braktisuri vishet me të zeza dhe shkon atje e qan përgjithmonë për fatin e tij!
– Për Zotin nuk bëhet fjalë.
Shqiptari e gjen Zotin tek pasi që e humb dashnorin!
2. Shqiptarët e kanë edhe një fjalë të urtë që thotë se:
– ‘Sa më afër fshatit të jetë manastiri, aq më të varfër janë fshatarët’.
Prandaj, qe sa mirë u bë tash, më larg manastirit, do të pasurohen fshatarët e Deçanit.
3. Manastiri i Deçanit është i Kosovës.
Nuk është Kosova e Manastirit.
Manastiri nuk është shtet që ia mori tokën Kosovës.
Por, historianët e Deçanit e shohin Manastirin e Deçanit si Manastir të Serbisë. Ata në fakt nuk janë historianë, janë meraklinjë të historisë, se historinë e shqiptarëve nuk e kanë shkruar shqiptarët. – Historinë e Kosovës e ka shkruar një amerikan.
4. E Ju, a e keni lexuar ju Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit?
Jam e sigurt që Jo.
Gjykata Kushetuese e Kosovës ka vendosur ta bëj valid vendimin e Millosheviçit për tokën e Manastirit të Deçanit!
Pasi që Gjykata Kushtetuese është me Metohinë kundër Kosovës, pse ekziston shteti i Kosovës…
– A ekziston shteti i Kosovës?
Derisa të sqarohet edhe ndonjë ditë se a është Kosova shtet…
– Çka tash?
Kush ka faj?
A ka faj Serbia që Gjykata Kushtetuese e Kosovës e çon në vend amanetin e Millosheviçit…!
– Përveç njërit gjyqtar që nuk ka votuar (Bekim Sejdiu e kish emrin…duhet t’ia bëj folllow).
5. Shumë jeni mërzitur.
E di!
Shkoi Manastiri.
Por fotografia e vjetër me burra shqiptarë të ulur në oborrin e Manastirit mbetet kujtim i paharruar.
– A thua more Zot, pse ata burra rrinin ulur në oborrin e Manastirit…ditë’m drekë?
– Nuk mërzitet kush pse ‘shkoi’ toka, derisa nuk e prek në ‘megjën’ e tij shqiptarin….
Pasi që nuk janë mërzitur për Manastirin, janë gëzuar që Albin Kurti nuk e mbajti fjalën.
– Punë e madhe që Albin Kurti nuk e mbajti fjalën, si krejt shqiptarët para tij.
Besa-besë e Albin Kurtit është punë për të…
Por, pyetja është:
– Pse Gjykata Kushtetuese e Kosovës u bë me Millosheviçin!
– Për t’u dukur ‘e mirë’, Gjykata Kushtetuese nganjëherë merr ndonjë vendim social në favor të shqiptarëve..të varfër, të ulur në bar…
6. ‘Gjenerata Z’, as që e di për çka bëhet fjalë
(dhe ky është problemi më i madh që ‘Gjeneratës së Re’ nuk i intereson Liria, Shteti, Pavarësia…
përveç feja që ka depërtuar në ‘Gjeneratën Z’, asnjë dije tjetër.
7. Ndërkohë që Millosheviçi për së vdekuri e mori Tokën e Manastirit, hoxha Shefqet Krasniqi në ato çaste e shpjegonte në detaje se a e prishë Ramazanin nëse merr ilaçe nga prapa…
– Ky është muaj i shenjtë por njerëzit janë dhe mbesit mëkatarë, kështu që…
Im Westen nichts Neues!
8. Me Ligjet e Millosheviçit shteti i Kosovës i ka lënë pa pensione shqiptarët!
Se, shqiptarët që nuk ia kanë paguar tatimin Millosheviçit, shteti i Kosovës i ndëshkon, nuk ua jep pensionin e plotë.
– E, kush ka faj tash?
– Kush po i detyron shqiptarët t’i zbatojnë ligjet e Millosheviçit kundër shqiptarëve!
9. Ky Eskobari.
Doli si kauboj nga western-spaghetti, erdhi në Kosovë me hu në krahë dhe ia tharbi hundën Albin Kurtit:
– Nëse n’dakik nuk ia jep tokën Manastirit të Deçanit, Kosova nuk hyn në KE,
që domethënë se Kosova nuk do të lejohet të marrë pjesë në Eurovizion.
– Kryeministri Kurti u frikësua për herë të parë publikisht, shpirtërisht i dhimbset karriera, prandaj e pranoi Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se Vendimi për të është i papranueshëm.
– Albini e pranoi Vendimin, ama vetja e tij nuk e pranoi Vendiimin.
E quajti ‘Vendim të çuditshëm’!
– Nuk është as i çuditshëm, është fyes, është Vendim tamam për një popull primitiv.
– Mbrëmë në orën katër të mëngjesit ma nxori gjumin ky Vendim…
shprehjet që përdor Gjykata, si pjesëzen përforcuese: ‘bile’…!!!
– Në një Vendim që figuron pjesëza ‘bile’!
– Bile-bile, ka mundur të jetë edhe më keq…
– Dhe, konstatimin se ‘Gjykata nuk është e nevojshme të ekzaminojë nëse ka pasur shkelje të ca neneve të Kushtetutës dhe ca neneve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut’.
– Jo moj, s’ka nevojë të verifiikohen nenet, se po të besojmë…
10. Escobari e di serbishten, prandaj e di se ku iu dhemb serbëve.
Se edhe unë besoj se nuk mund të dashurohesh në dikë që nuk di t’ia përkthesh idiomat.
– Serbët janë të palumtur, dhe fajtor është Albin Kurti, tha Eskobar.
Dhe e porositi kryeministrin që menjëherë t’i bëj serbët të lumtur.
– E rrahu kryeministrin me fjalë, sa mundi, por edhe me gjeste.
E la për fund të takohet me të, Albin qershia mbi tortë.
– Po bën zullum, Eskobar. Po.
Po sillet sikur në Amerikë s’ka mbetur kush, përveç tij.
– Dhe para se të takohej me Vjosa Osmanin, Escobar shkoi te busti i Ibrahim Rugovës…
për të treguar se i vetmi shqiptar që i pëlqen atij është i vdekur.
– Escobar, përdori edhe metoda të tjera për ta bërë xheloz Albin Kurtin.
Fotografia e tij me opozitën, ishte provokacija, por mënyrë efikase për ta trembur Albin Kurtin…
se Amerika ka me kë të kryej punë, o djalë.
11. Këta që merren me fe, këta kënaqen, veç hanë, pinë dhe mbajnë vaiz.
Kurrë asnjë punë në jetë nuk e kryejnë.
– Kam ndjesinë se në jetën e kaluar kam qenë motër nderi, sepse jam shumë e ndershme.
Njëherë, në Patriarkanën e Pejës, i gjeta murgeshat në oborr, duke zier nën hije patate në kazana, era dhè….dhe kotësi, dembelica që marrin rrogë për t’u lutur.
12. Por, me buallica autoktone po na buzëqesh fati.
Ministri Peci i ka zbuluar dy buallica autoktone, askush nuk e di se qysh i ka hetuar se janë autoktone…
dhe i ka vizituar ato.
I ka gjetur buallicat në lloç.
Pasi i ka analizuar kapacitetet e tyre, ka vërejtur se ato do të na dhurojnë qumësht.
– Peci i ka gjithë ato fjalë miradije për buallicat, por asnjë fjalë të mirë për Ramushin.
Peci me polici do ta largoj për zhelesh nga objekti i Ministrisë së Bujqësisë, Ramushin, por Ramushi s’do të largohet nga aty.
– Në një zyre të Ministrisë së Bujqësisë u pa një kukull cullak!
Kjo e komplikon situatën edhe më shumë!
P.S. Dhe, qaj, me zemër të
përvëluar,
paskam dasht’ oj nanë njeriun e gabuar!