Një ditë pas nënshkrimit të kontratës për ndërrimin e barit në stadiumin “Fadil Vokrri”, kanë nisur punimet për rinovimin e tij.
Në fillimin e punimeve ishin të pranishëm ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi.
Sipas përgjegjësve, fusha pritet të jetë gati për ndeshje futbolli më 6 korrik.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar dje se ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 1 milion e 319 mijë euro me kompaninë turke “Hatko Sports International L.L.C”.
Marrëveshja në mes të FFK-së dhe MKRS-së për rinovimin e fushës në stadiumin e qytetit në Prishtinë ishte arritur që më 24 nëntor të vitit të kaluar.
Stadiumi “Fadil Vokrri” ishte i mbyllur nga vjeshta e vitit të kaluar.