Të fundit

Çekani i drejtësisë mbi vrasjen e grave

Me armë, shufra metalike, thika, sëpata, grushte…

Në Pejë, Prishtinë, Gjakovë, Suharekë, Prizren, Kamenicë, Ferizaj…

Në mes të natës, në orët e hershme të mëngjesit, në mes të ditës, në mbrëmje…

Detajet e historive të vrasjes së grave në Kosovë janë të llojllojshme. Por, për shumicën e tyre është një e përbashkët: ato janë vrarë nga partnerët e tyre.

Për disa, edhe historia është e ngjashme: raportim i dhunës në familje, marrje në pyetje e të dyshuarit, lirim në procedurë të rregullt e më pas vrasje.

Dënimet për këto raste ndryshojnë shumë mes vete: nga lirim e deri në burgim të përjetshëm.

Për rastet e njëjta, vendimet kanë kaluar nëpër disa gjykata deri në vendimin përfundimtar. Për disa, ende nuk është dhënë drejtësi.

Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, tha së voni se që nga çlirimi i Kosovës më 1999, janë 99 gra të vrara në vend.

Që prej vitit 2010, Policia e Kosovës ka raportuar për vrasjen e gjithsej 57 grave.

Por, si kanë shkuar proceset gjyqësore të rasteve që janë ndjekur publikisht?

 Vrasja e fundit në Pejë

1 shkurt 2022

Gjykata Themelore në Pejë kishte dënuar E.L. me 100 euro gjobë dhe tre muaj burgim për dhunë në familje. Me kërkesën e E.L., dënimi me burgim ishte zëvendësuar me gjobë prej 300 eurosh.

 16 prill 2024

E martë. 8:15. Në rrugën Bill Clinton në Pejë dëgjohen të shtëna. Pas pak kohe, një ekip mjekësor konfirmon vdekjen e një 43-vjeçareje. Arrestohet bashkëshorti i viktimës, E.L., si i dyshuar për vrasjen dhe dërgohet në objektin e Stacionit Policor në Pejë. Gjykata Themelore e Pejës aprovon kërkesën e Prokurorisë Themelore të Pejës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj E.L.

Vrasja brenda Qendrës për Punë Sociale

E premte. 14:40. Brenda Qendrës për Punë Sociale, në Ferizaj, një grua u qëllua disa herë më plumba në kokë. Edhe vëllai i saj, i mitur, u godit në krah. Për vrasjen dyshohet V.A., i cili ka bashkëjetuar me viktimën.

13 prill 2024

Gjykata Themelore në Ferizaj cakton një muaj paraburgim për të dyshuarin. Ai dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje, me të cilën dyshohet se kreu krimin.

Vrasja e inskenuar si grabitje

E mërkurë. 20:25. Brenda veturës së familjes, viktima u qëllua me një plumb në qafë. Ajo ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

3 dhjetor 2023

Gjykata Themelore në Prishtinë cakton masën e paraburgimit për tre nga të dyshuarit për përfshirje në rastin e vrasjes. N.M. dyshohet se me dashje kishte privuar nga jeta bashkëshorten e tij, duke e pajisur me armë të pandehurin G.P. dhe duke inskenuar një grabitje. Bashkëshorti dyshohet se i kishte premtuar G.P. se do ta paguante 30 mijë euro për ta kryer vrasjen.

11 dhjetor 2023

Gjykata Themelore në Prishtinë cakton masën e paraburgimit edhe për një person të katërt, i cili dyshohet se ia shiti armën dorasit.

27 shkurt 2024

Gjykata Themelore në Prishtinë ua vazhdon masën e paraburgimit edhe nga dy muaj të dyshuarve. Ata mbeten në paraburgim deri të paktën më 28 prill 2024.

Vrasja e gruas shtatzënë në QKUK

10 gusht 2022

Prokuroria Themelore në Ferizaj akuzon S.D. për veprën penale kanosje, për të cilën i pandehuri nuk pranon fajësinë.

8 shtator 2022

Bashkëshortja e S.H. kërkon urdhër për mbrojtje. Për zbatimin e urdhrit të mbrojtjes, që vlente nga 13 shtatori 2022 deri më 13 mars 2023, ishin të ngarkuara stacionet policore në Shtime dhe Lipjan.

23 shtator 2022

S.H. shpallet fajtor për armëmbajtje pa leje. Dënohet me gjobë prej 300 eurosh dhe i konfiskohet arma.

26 shtator 2022

Mbrojtësi i S.H. kërkon hedhjen poshtë të aktakuzës.

18 nëntor 2022

Gjykata Themelore në Ferizaj refuzon kërkesën për hedhjen poshtë të aktakuzës.

30 nëntor 2022

E mërkurë. 18:00. Në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në Prishtinë, 35-vjeçarja shtatzënë qëllohet me armë, duke mbetur e vrarë.

1 dhjetor 2022

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) thotë se vrasja e saj ishte pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të mekanizmave mbrojtës të shtetit.

2 dhjetor 2022

Pas disa ditësh në arrati, S.H. bën vetëvrasje në shtëpinë e tij.

Vrasja me sëpatë

25 nëntor 2022

E premte. 4:00. Në shtëpinë e saj në Prishtinë, teksa ishte duke fjetur, viktima goditet disa herë me sëpatë në pjesën e majtë të kokës. Si pasojë e goditjeve, ajo vdes.

31 maj 2023

Gjykata Themelore në Prishtinë dënon I.G. me 25 vjet burgim.

26 shtator 2023

Gjykata e Apelit e kthen rastin në rigjykim me arsyetimin se në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, kishte shkelje të Kodit Penal të Kosovës.

17 prill 2024

Në rigjykim, I.G. dënohet me 35 vjet burgim për vrasjen e bashkëshortes.

Vrasja me gjashtë plumba

Korrik 2021

S.Q. akuzohet se, me dashje, i kishte shkaktuar lëndim trupor bashkëshortes së tij. Pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme, ai thuhet se kishte marrë një çarçaf dhe e kishte shtrënguar me të në fyt bashkëshorten e tij.

1 janar 2022

S.Q. akuzohet se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes së tij, duke i thënë të dilte nga shtëpia, shkaku se “ajo po e tradhtonte”. Djali i tyre e kishte raportuar rastin në polici. Ai ishte dërguar në stacionin policor për veprën penale “dhuna në familje”. Më vonë ishte liruar në procedurë të rregullt.

5 janar 2022

E mërkurë. 13:30. Në shtëpinë e familjes në Llaushë në Skënderaj, viktima 48-vjeçare qëllohet gjashtë herë me plumba në trup. Si pasojë e goditjeve, ajo ndërron jetë gjatë rrugës për në spitalin rajonal të Mitrovicës.

12 maj 2022

Ngrihet aktakuzë ndaj S.Q. për vrasjen e bashkëshortes me armë, për të cilën nuk kishte leje posedimi.

12 shtator 2022

Gjykata Themelore në Mitrovicë dënon S.Q. me 24 vjet burgim dhe 500 euro gjobë për veprat penale “lëndim i lehtë trupor”, “dhunë në familje”, “vrasje e rëndë” dhe “armëmbajtje pa leje”.

20 tetor 2022

Në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës Themelore ankohen edhe mbrojtësi i të akuzuarit edhe prokuroria.

23 dhjetor 2022

Gjykata e Apelit i refuzon ankesat e palëve si të pabaza dhe vërteton aktgjykimin e shkallës së parë.

Vrasja nga dhuna e vazhdueshme

22 gusht 2021

E diel. 10:56 – 14:43. Nga goditjet e shumta me shkop, si pasojë e dhunës vdes viktima 18-vjeçare. Për vrasjen në Ferizaj akuzohen D.K, i cili jetonte me viktimën në bashkësi jashtëmartesore, si dhe A.S.

14 korrik 2022

Mbahet seanca fillestare e këtij rasti. A.S. deklarohet i pafajshëm, ndërsa D.K. mbrohet në heshtje.

23 gusht 2022

Avokatët e D.K. dhe A.S. kërkojnë hedhjen poshtë të aktakuzës.

2 shtator 2022

Konfirmohet aktakuza, pasi gjyqtari i rastit, Sahit Krasniqi, refuzon kërkesën për hedhje poshtë të aktakuzës.

24 janar 2023

Gjyqtari Sahit Krasniqi aprovon propozimin për ekzaminimin psikiatrik të D.K. Raporti i Institutit të Forenzikës konstaton se ai nuk ka ndonjë çrregullim apo sëmundje mendore psikotike.

6 korrik 2023

D. K. sërish mbrohet në heshtje.

1 gusht 2023

Jepen fjalët përfundimtare. Avokati i familjes së 18-vjeçares së vrarë kërkon dënim maksimal, ndërsa avokati i D.K. thotë se, kur të merret vendimi për dënimin, duhet të merret parasysh që “vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”.

4 gusht 2023

Shpallet aktgjykimi. D.K. dënohet me burgim të përjetshëm, ndërsa A.S. dënohet me 15 vjet burgim për vrasjen e viktimës. Ata lirohen nga akuzat për dhunim dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

11 janar 2024

Seancë në Gjykatën e Apelit për t’i shqyrtuar ankesat e palëve ndaj vendimit. Pala e dëmtuar kërkon që dënimi për A.S. të rritet në 25 vjet apo burgim të përjetshëm.

22 shkurt 2024

Gjykata e Apelit e kthen çështjen në rigjykim ndaj të akuzuarve D.K. dhe A.S., për shkelje të procedurës penale.

Vrasja me plumb, rrugës për në punë

3 mars 2021

L.S. raportohet për dhunë në familje.

4 mars 2021

S.M. nuk paraqitet për t’u intervistuar në stacionin policor.

3-14 mars 2021

Nuk ndërmerret asnjë veprim hetimor apo veprim tjetër për ta zbardhur rastin apo për ta mbrojtur S.M. Ish-bashkëshorti i saj lirohet në procedurë të rregullt.

14 mars 2021

E diel. Rrugës për në punë, S.M. vritet me armë zjarri. I dyshuari për vrasjen e saj, ish-bashkëshorti, vret veten.

13 korrik 2021

Vajza e viktimës dorëzon në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për konstatim se mosveprimi i institucioneve shtetërore kishte shkelur të drejtën për jetë të nënës së saj.

22 mars 2023

Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstaton se viktimës i ishte mohuar e drejta për jetë. Sipas vendimit, vrasja e saj erdhi si pasojë e neglizhimit të rastit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe Stacioni Policor në Graçanicë.

26 qershor 2023

Këshilli Prokurorial i Kosovës dënon prokuroren e rastit, Hava Krasniqi, me zvogëlim të pagës për 30 për qind për një vit, pasi thuhej se ajo nuk e kishte vlerësuar rrezikshmërinë për të marrë veprime urgjente. Sipas vendimit, prokurorja kishte anashkaluar faktin që i dyshuari kishte dënim për kryerje të një vepre penale në vitin 2019, kishte urdhër të mbrojtjes dhe dy deklarata të ushtrimit të dhunës ndaj viktimës.

1 gusht 2023

Vendimi i Këshillit Prokurorial të Kosovës konfirmohet nga Gjykata Supreme.

Vrasja me shufër metalike

25 korrik 2020

E shtunë. Në shtëpinë e familjes, pas mosmarrëveshjeve, viktima goditet me një shufër metalike fillimisht në krahë, disa herë në kokë e pastaj edhe në pjesë të tjera të trupit. Edhe pasi ishte rrëzuar në tokë, goditjet vazhduan mbi trupin e saj, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse. Për vrasjen dyshohet bashkëshorti i saj, N.M.

24 shtator 2020

Prokuroria Themelore në Gjilan ngre aktakuzë kundër N.M.

4 dhjetor 2020

Gjykata Themelore në Gjilan dënon N.M. me burgim të përjetshëm.

23 prill 2021

Vendimi i Gjykatës Themelore anulohet nga Gjykata e Apelit, që aprovon kërkesën e mbrojtësit të N.M. për ta kthyer rastin në rigjykim.

5 tetor 2021

Gjykata Themelore në Gjilan dënon N.M. me 25 vjet burgim.

16 shkurt 2022

Gjykata e Apelit vërteton aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Gjilan, pas ankesës nga ana e mbrojtësit të N.M.

Vrasja me 14 plumba

6 gusht 2019

E martë. Teksa po dilte nga shtëpia e familjes, viktima goditet 14 herë me plumba, në pjesë të ndryshme të trupit. Për vrasjen, të kryer me armë pa leje, dyshohet bashkëshorti i saj, B.V., i cili dërgohet menjëherë në paraburgim.

1 tetor 2021

Gjykata Themelore në Prizren dënon B.V. me burgim të përjetshëm.

31 mars 2021

Gjykata e Apelit, pas ankesës së mbrojtjes së B.V., kishte zbutur dënimin nga burgim i përjetshëm në 25 vjet burgim.

3 nëntor 2021

Gjykata Supreme vërteton vendimin e Gjykatës së Apelit për zbutje të dënimit.

Vrasja pas rrahjes në rrugë

31 maj 2019

E premte. 17:30. Pas një mosmarrëveshjeje, I.H. ndalon veturën në dalje të fshatit Samadraxhë të Suharekës dhe dyshohet se e kishte nxjerrë me forcë bashkëshorten e tij nga vetura. Ai dyshohet se e kishte grushtuar viktimën dhe më pas e kishte kapur për koke, duke e goditur për asfalt. Pas gjakderdhjes, si pasojë e lëndimeve, viktima vdes në QKUK në Prishtinë.

3 shkurt 2021

Gjykata Themelore në Prizren dënon I.H. me 15 vjet burgim.

20 janar 2022

Gjykata Supreme e kthen rastin në rigjykim.

16 janar 2023

Gjykata Themelore në Prizren dënon I.H. me 15 vjet burgim. Sipas aktgjykimit, ndër të tjera, I.H. detyrohet të paguajë 50 euro për kompensim të viktimave të krimit.

25 prill 2023

Gjykata e Apelit vërteton vendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Vrasja e nënës dhe bijës

7 gusht 2018

E martë. Në shtëpinë e familjes, viktima dhe vajza e saj vriten pasi qëllohen me armë. I dyshuar për vrasjen është bashkëshorti P.N.

2 nëntor 2018

Gjykata Themelore në Gjakovë dënon P.N. me 24 vjet burgim.

1 mars 2019

Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin e shkallës së parë dhe e dënoi P.N. me burgim të përjetshëm.

24 qershor 2019

Gjykata Supreme e Kosovës e kthen rastin në rigjykim.

11 shtator 2020

Shtyhet shpallja e aktgjykimit ndaj P.N. Nuk arrihet të sigurohet prezenca e të akuzuarit, i cili ishte në paraburgim.

14 shtator 2020

Në rigjykim, P.N. dënohet me 24 vjet e gjashtë muaj burgim.

29 janar 2021

P.N. kërkon nga Apeli uljen e dënimit apo rigjykim. Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm.

12 shkurt 2021

Gjykata e Apelit ashpërson dënimin ndaj P.N. në 30 vjet burgim.

Vrasja me 21 therje me thikë

23 tetor 2015

E premte. Në shtëpinë e familjes, viktima theret 21 herë me thikë. Lëndohet edhe vajza e saj, e cila kishte tentuar të mbrojë nënën. Për vrasjen akuzohet bashkëshorti i saj, N.B.

12 prill 2017

Gjykata Themelore në Prizren dënon N.B me 12 vjet e gjashtë muaj burgim.

4 gusht 2017

Dy palët ankohen për vendimin e marrë.

21 gusht 2017

Gjykata e Apelit ashpërson dënimin ndaj N.B në 17 vjet burgim.

Vdekja pas tri ditësh gjakderdhjeje

28 korrik 2011

E enjte. Viktima vdes pas tri ditësh gjakderdhje që kishte përjetuar pas martesës më 25 korrik.

16 shkurt 2017

I akuzuari H.Z. lirohet nga akuza se i kishte shkelur detyrimet familjare ligjore, duke e lënë në gjendje të rëndë shëndetësore bashkëshorten e tij.

11 prill 2018

Gjykata e Apelit e kthen rastin në rigjykim, pas ankesës së Prokurorisë.

29 nëntor 2018

Gjykata Themelore në Gjakovë dënon H.Z. me dy vjet burgim. Sipas aktgjykimit, ai detyrohet të paguajë 30 euro për kompensim të viktimave të krimit.

Vrasja me autorin në arrati

17 janar 2011

Viktima paraqet padi për të shkëputur martesën me A.J. Pas paraqitjes së padisë, viktima merr vajzën dhe kthehet të jetojë me prindërit e saj.

26 prill 2011

Pas kërcënimeve të vazhdueshme të pretenduara, D.K. kërkon lëshimin e urdhrit të mbrojtjes nga A.J. nga Gjykata Komunale në Prishtinë.

18 maj 2011

E martë. D.K. vdes pasi që goditet me plumb në qafë. I dyshuari për vrasjen është bashkëshorti i saj, A.J., i cili ndodhet në arrati.

17 prill 2012

Prindërit e D.K. padisin Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Gjykatën Themelore dhe Republikën e Kosovës dhe kërkojnë kompensim për vrasjen.

25 shkurt 2013

Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjen shkelje dhe mban përgjegjëse Gjykatën Komunale të Prishtinës për shkelje të të drejtave të njeriut.

9 shkurt 2023

Pas një procesi të gjatë gjyqësor, Gjykata e Apelit vendos që prindërve të D.K. t’ua kompensojë shumën prej 30 mijë eurosh.

Këto janë vetëm rastet për të cilat proceset gjyqësore kanë qenë të ditura për publikun. Edhe dhjetëra gra të tjera kanë pësuar të njëjtin fat si viktimat e lartpërmendura. Për proceset e tyre gjyqësore nuk dihet publikisht./REL

Video nga Paradoks

"Kom rrudha, s'kom hundë perfekte": Deputetja e PDK-së tregon a ka ndërhyrje estetike, flet edhe për debatet - "Meniher ta tregoj Arianën e egër"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci