Të fundit

Mustafa: Kosova me rritje të ngadalësuar ekonomike, qeveria të koordinohet me aleatët

Kosova gjatë viteve të fundit ka shënuar rritje të ngadalësuar ekonomike. Ani, pse sipas Qeverisë aktuale, ekonomia e vendit ka shënuar progres me një rritje mesatare prej 7.9 për qind, ndonëse kjo rritje nuk po konsiderohet reale nga themeluesi i Institutit për Kërkim Zhvillimor “Riinvest”, Muhamet Mustafa. Sipas tij, me rënien e investimeve dhe e eksportit, ka bërë që vendi të ketë rritje të ngadalësuar ekonomike.

Duke folur për faktorët që kanë goditur ekonominë e vendit, ai vlerëson se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian karshi Kosovës, duhet të hiqen sa më shpejtë, për çfarë thotë se qeveria duhet të koordinohet me aleatet ndërkombëtar sa më shumë.

Mustafa në një intervistë për KosovaPress kërkon nga qeveria të lehtësojë me masa të ndryshme aktivitetet e bizneseve, e po ashtu në këtë drejtim të përmirësohet imazhi i vendit në mënyrë që të kemi më shumë investime të huaja.

“Kosova në këto vitet e fundit ka një rritje ekonomike, por të ngadalësuar në krahasim me gjendjen para COVID-it, d.m.th është rritje e ngadalësuar. Investimet kanë rënë, investimet publike sidomos këto disa viteve të fundit, mandej eksporti ka pas një rritje shumë më të vogël apo një rënie krahasim me vitet e kaluara. Pra, kur ka më pak investime, më pak eksport, është e natyrshme që rritja ekonomike të ngadalësohet. Qeveria duhet të lehtësojë me masa të ndryshme aktivitetet e bizneseve dhe të promovojë një ndërmarrësi, një imazh të Kosovës për të tërhequr investime të jashtme. Në këtë drejtim, qeveria ka shumë punë të tejkalojë këtë trend që nuk është shumë i volitshëm”, thotë Mustafa.

Sa i përket klimës së të bërit biznes, Mustafa thotë se pavarësisht premtimeve të qeverisë në këtë drejtim, ende nuk shihen rezultate konkrete sa i përket heqjes së barrierave në këtë drejtim.

“Klima e të bërit biznes, ne nuk kemi parë në raportin që kemi prezantuar përmirësim, ndoshta në disa ka mbet situata e njëjtë. Shembull tek korrupsioni, tek transparenca, tek disa aktivitete tjera, një diçka që e ka bërë qeveria, por që nuk është duke e zbatuar është lista prej rreth 28 pengesave administrative që i kanë bizneset dhe të fillojnë t’i heqin ato pengesa. Ne e kemi përshëndet që është bërë ajo listë por ende nuk është zbatimi dhe heqja e tyre, barrierave administrative që ua nxin jetën bizneseve, dhe njerëzit nuk e kuptojnë pa pas vetë nevojë që t’i kryej punët prej bankave, garancioneve, administratës dhe çdo vend neglizhenca, lejet e të tjera, ende ja nxin jetën dhe e pengojnë aktivitetin investiv në Kosovë”,shton Mustafa.

Mustafa thotë se ende vendi përballet me probleme në arsim, shëndetësi e të tjera. Sipas tij, ka nevojë që qeveria të bazojë vendimet e veta në një evidencë më të mirë profesionale, shkencore e kërkimore, e po ashtu të krijojë një bashkëpunim me institucionet arsimore.

“Esenciale është që ne kemi pas një aktivitet të ulët investues. Investimet e qeverisë, subvencionet dhe intervenimet me mjete të buxhetit kanë qenë joselektive, as nuk kanë zgjedhë problemet sociale e as nuk kanë pas një fokus që të rrisin investimet dhe të rrisin punësimin. Norma e popullsisë ka rënë, por nuk është rezultat i hapjes së vendeve të reja të punës, është rezultat i migrimit të popullsisë që është një problem shumë i rëndë. D.m.th problemet janë rënia e eksporteve, investimet e pamjaftueshme, migrimi i fuqisë punëtore, janë probleme shumë serioze që qeveria duhet të merret me to, të zbut trendin. I kemi problemet në arsim, shëndetësi, ka shumë punë për qeverinë që të krijojë një model të ri të rritjes ekonomike që bazohet në aftësinë më të madhe konkurruese të ekonomisë së Kosovës dhe krijimin e një oferte më të madhe e konkurruese që mund të konkurrojë në eksport. Ka nevojë që qeveria të bazojë vendimet e veta në një evidencë më të mirë profesionale, shkencore e kërkimorë, të krijojë një bashkëpunim me institucionet arsimore dhe të del prej një situate kur kemi një rritje me trend të ngadalësuar”, thotë ai.

Ndërsa, shqetësuese mbeten edhe masat e BE-së ndaj Kosovës tash e një kohë të gjatë. Mustafa derisa thotë se këto masa janë të padrejta, ai vlerëson se nevojitet me shumë koordinim nga qeveria me aleatët ndërkombëtar.

“(Masat e BE-së) janë të padrejta, sidomos kur e shohim çfarë masa po merr Komisioni Evropian ndaj Serbisë e cila siç po shihet po sillet çdo ditë me papërgjegjësi dhe shumë provokime në shumë fusha. Ndaj Kosovës ende nuk po i tërheq këto masa, por shpresojmë se do t’i heq, përndryshe na pengojnë edhe më shumë, sepse tash vjen edhe investimi prej 6 miliardë në Ballkanin Perëndimor në kuadër të planit të investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe Kosova mund të dëmtohet edhe më shumë se 300 milion deri tash. Kosova duhet t’i ndërmerr disa aktivitete që janë të dakorduara me bashkësinë ndërkombëtare, të ndërmarrë ato që duhet, të sjellë veten në një pozicion më pro aktiv dhe të tërhiqet prej një situate defensive siç ka qenë deri tash”, thotë Mustafa.

Kujtojmë se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian janë vendosur vitin e kaluar si pasojë e mos përmbushjes së kërkesave të BE-së dhe Shteteve të Bashkuara për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Video nga Paradoks

Çka ka Mërgimi kundër LGBT? Sami Lushtaku tregon rastin, befason me qëndrimin e tij për martesat mes sek*sit të njejtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci