Të fundit

Netanyahu i vendosur ta pushtojë Rafahun “me apo pa marrëveshje” për pengjet

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do të nisë pushtimin e qytetit jugor të Gazës, Rafah, ku qindra mijëra palestinezë po strehohen për shkak të luftës që nisi pothuajse shtatë muaj më parë.

Njoftimi i Netanyahut u bë më 30 prill, teksa bisedimet për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kanë marr hov.

Këto deklarata Netanyahu po ashtu i bëri disa orë para se sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të nisë vizitën në Izrael. Kjo vizitë synon të avancojë bisedimet për një armëpushim, teksa duket se po zhvillohen një prej rundeve më serioze të negociatave mes Izraelit dhe Hamasit që nga nisja e luftës. Marrëveshja e armëpushimit, që është propozuar, parasheh lirimin e pengjeve, lehtësimin e situatës për popullsinë dhe ndalimin e nisjes së një ofensive izraelite në Rafah, që potencialisht mund të shkaktojë dëme të mëdha te civilët.

Duke folur me një grup të familjarëve dhe organizatave që përfaqësojnë familjarët e pengjeve që po mbahen nga Hamasi, Netanyahu tha se Izraeli do të hyjë në Rafah për të shkatërruar batalionet e Hamasit pavarësisht nëse arrihet ose jo një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

“Ideja që ne do të ndalim luftën para se të arrijmë të gjitha synimet tona bie poshtë”, tha Netanyahu.

“Ne do të hyjmë në Rafah dhe do të eliminojmë batalionet e Hamasit me apo pa marrëveshje dhe do të arrijmë fitoren e plotë”, shtoi ai, sipas deklaratës së publikuar nga zyra e tij.

Netanyahu është përballur me presion nga partnerët nacionalistë të Qeverisë që të mos pranojë një marrëveshje e cila do t’ia pamundësonte Izraelit që ta pushtojë Rafahun, pasi që Izraeli konsideron se ky qytet është bastioni i fundit i Hamasit. Qeveria e tij do të rrezikohej nëse ai do të pajtohej me një gjë të tillë.

Video nga Paradoks

Kush kënd e tradhëtoi? Dardan Molliqaj flet për largimin nga VV-ja, komenton edhe darkën e Kurtit me Memli Krasniqin - "Zgjedhjet janë dëshirë e Kurtit"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci