Të fundit

Afër 7 milionë euro mbesin të bllokuara për shkak të masave ndaj Kosovës

Afro 7 milionë euro është vlera e projekteve që Kosova nuk mund t’i nënshkruajë me Këshillin e Evropës dhe me Bashkimin Evropian, përderisa mbeten në fuqi masat sanksionuese të BE-së. Në Këshillin e Evropës kanë thënë se mos nënshkrimi i projekteve në vitin 2023 me Kosovën ka ndikuar në performancën e përgjithshme të projekteve që kjo organizatë dhe BE-ja ndajnë bashkërisht për Ballkanin Perëndimor dhe partnerët e Evropës Lindore.

Masat sanksionuese ndaj Kosovës kanë ndikuar në uljen e rendimentit sa i përket zbatimit të projekteve që bashkë financohen nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës. Sipas një analize të statistikave të publikuar nga Këshilli i Evropës, programi në vlerë prej 53.1 milionë eurosh, i cili aplikohet me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Lindore, ka shënuar rënie në pagesa në vitin 2023 për 16,5 për qind. Një nga arsyet përmendet mos nënshkrimi i projekteve me Kosovën pas vendosjes së masave nga BE-ja.

“Kjo luhatje mund t’i atribuohet natyrës ciklike të programeve të përbashkëta dhe planeve të pagesave, megjithatë mungesa e përthithjes mbetet një faktor që ndikon fuqishëm në arkëtimet vjetore të Programeve të Përbashkëta (JP) dhe duhet t’i kushtohet vëmendje më e madhe. Një pjesë e kësaj uljeje mund t’i atribuohet edhe masave të BE-së kundër Kosovës të vendosura në qershor 2023, të cilat penguan nënshkrimin e projekteve të reja në vitin 2023”, shkruan në dokumentin e publikuar në fund të prillit.

Në kërkesën e KOHËS për sqarime shtesë, në Këshillin e Evropës treguan se cilat projekte ngecën në vitin 2023 si pasojë e masave.

“Ndërtimi i kapaciteteve për përfshirje – Faza II: Objektivi i këtij projekti është të forcojë përpjekjet për të rritur qasjen në arsim të djemve dhe vajzave nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe nxënësit me nevoja të veçanta në nivelet e shkollës fillore dhe të mesme, duke rritur njëkohësisht dijet e tyre digjitale në arsim. Faza fillestare e projektit përfundoi në dhjetor 2023. Buxheti i fazës së dytë është 3 milionë e 334 mijë euro”, kanë thënë nga KiE-ja përmes një përgjigjeje me shkrim.

Projekti i dytë, sipas tyre, përqendrohet në ngritjen e kapaciteteve të Akademisë së Drejtësisë, Odës së Avokatëve dhe shkollave juridike, të cilat do të duhej të organizonin trajnime për profesionistët dhe studentët e drejtësisë në fushën e të drejtave të njeriut. Buxheti i planifikuar për këtë projekt është 889 mijë euro. Pa heqjen e masave nuk do të ketë as implementim të projekteve të tjera, që në total arrijnë vlerën afro 7 milionë euro.

“Pasi të hiqen masat, Këshilli i Evropës mund të nisë zbatimin e të dyja projekteve në një kohë shumë të shkurtër. Mirëpo, nëse nuk ndodh, nuk do të nisë as zbatimi i fazës tjetër të Projektit kundër Krimit Ekonomik (Faza IV), pasi faza aktuale e këtij projekti të përfundojë në tetor. Buxheti i propozuar i projektit në fjalë është 2 milion e 460 mijë euro”.

Sipas dokumentit, i cili do të trajtohet në sesionin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, më 16-17 maj, vitin e kaluar kanë qenë në zbatim 54 marrëveshje në kuadër të Programit të Përbashkët BE-Këshilli i Evropës, me një buxhet kumulativ shumëvjeçar prej 245.9 milionë eurosh. Angazhimet kontraktuale të Bashkimit Evropian për këto programe kanë qenë 210,2 euro milionë (85.5 për qind), ndërkaq bashkëfinancimi i Këshillit të Evropës – 35.7 milionë euro (14.5%).

Vetëm në vitin 2023, siç shkruan aty, buxheti ka qenë 54.7 milionë euro, prej tyre 46.3 milionë mjete të BE-së, kurse 8.4 milionë euro të Këshillit të Evropës.

“Totali i pagesave të BE-së në kuadër të Programeve të Përbashkëta mes 1 janarit dhe 31 dhjetorit 2023 ishte 37.3 milionë euro. Me një shtesë prej 1.6 milionë eurosh pagesa nga sipërmarrjet e bashkëpunimit, përveç Programeve të Përbashkëta, pjesa e Bashkimit Evropian në të ardhurat e Këshillit të Evropës nga të gjitha burimet ekstra-buxhetore në vitin 2023 përfaqësonte 47.9%. Bashkimi Evropian mbetet donatori më i madh i vetëm për aktivitetet e bashkëpunimit të Këshillit të Evropës”, shkruan në dokumentin e KiE-së.

Për sa u përket fondeve të reja në kuadër të Programit të Përbashkët, në vitin 2023 BE-ja dhe Këshilli i Evropës nënshkruan 13 programe të reja, me një total prej 53,1 milionë eurosh (Bashkimi Evropian 33,1 milionë ndërkaq KiE-ja 20 milion).

“Disa nga këto programe janë nisur në vitin 2023, të tjerat fillojnë në janar 2024. Në përgjithësi, gjendja financiare e programeve të përbashkëta ka mbetur e qëndrueshme. Ndërsa injeksionet e reja që janë thelbësore në bashkëpunimin e Programit të Përbashkët kanë kontribuar në vlerën jashtëzakonisht të lartë në 2023-n. Buxheti i përvitshëm u ul me 6.5% krahasuar me nivelin rekord në vitin 2022. Pagesat aktuale të BE-së sipas kontratave shumëvjeçare  reaguan një luhatje negative prej 16,5 për qind krahasuar me nivelin jashtëzakonisht të lartë të pagesave të marra në vitin 2022”, thotë analiza e KiE-së.

Bashkëpunimi në kuadër të Programeve të Përbashkëta (PP) është një nga shtyllat e partneritetit strategjik mes Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, i bazuar në vlerat dhe prioritetet e përbashkëta. Në Samitin e Katërt të mbajtur në Rejkjavik më 16-17 maj 2023, udhëheqësit e shteteve dhe të qeverive të Këshillit të Evropës pranuan se BE-ja “është partneri kryesor institucional i Këshillit të Evropës në aspektin politik, ligjor dhe financiar”. Deklarata e Rejkjavikut konfirmoi “rëndësinë e programeve të përbashkëta midis Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës si një shprehje kryesore e këtij partneriteti strategjik dhe angazhimit të ndërsjellë për promovimin e vlerave të përbashkëta”.
Në qershorin e vitit të kaluar BE-ja konfirmoi se shtetet anëtare janë dakorduar të vendosin masa me efekt të menjëhershëm ndaj Kosovës, por duke mohuar se ato nuk janë sanksione. Ato u vendosën pas tensioneve në veri të Kosovës, për të cilat Kosova u mbajt përgjegjëse.

Mes të tjerash, ato kanë edhe pasoja financiare për Kosovën. Sipas BE-së, është planifikuar një pezullim domethënës i financimit nga ana e BE-së i disa projekteve për të cilat ka dhënë propozime Kosova edhe në kuadër të Fondit Investues për Ballkanin Perëndimor.

Masat e tjera përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime ishte thënë se do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.

Masa tjetër ka prekur edhe punën e përbashkët të grupeve që ekzistojnë mes Kosovës dhe BE-së të cilat janë krijuar në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

Vitin e kaluar veçse ishte suspenduar takimi i një nën komisioni, atij për tregti, industri, doganë, i cili është dashur të mbahej më 8 qershor.

BE-ja vendosi që Kosovës t’ia kufizojë edhe nivelin e pranisë publike në zhvillimet dhe ngjarjet e përbashkëta ku marrin pjesë anëtarët e Qeverisë së Kosovës. Kjo masë përfshin edhe takimet në kuadër të bashkëpunimit financiar.

Masat janë të kthyeshme varësisht nga hapat që ndërmerr kryeministri Albin Kurti për shtensionim të situatës.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës vazhdojnë të kërkojnë heqjen e masave, pasi, sipas tyre, tashmë janë përmbushur kërkesat e BE-së me Marrëveshjen e Bratislavës, e cila parashihte zvogëlimin e prezencës së njësive speciale në veri dhe organizimin e zgjedhjeve të reja për kryetarë komunash.

Por vendimmarrja e BE-së nuk u vu në lëvizje as pas dështimit të iniciativës për shkarkimin e kryetarëve, si rezultat i bojkotit të serbëve. Megjithëse kritikuan Listën Serbe që thirri serbët në bojkot, zyrtarë të BE-së deklaruan se procesi i mbajtur në katër komunat veriore nuk kontribuoi në shtensionim të situatës./koha

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci