Të fundit

Vazhdon gjyqi ndaj ish-presidentit Trump, sërish fajtor për mospërfillje të gjykatës

Gjykatësi në çështjen penale në Nju Jork ndaj ish-presidentit Donald Trump vendosi sërish të hënën se Trump ka shkelur urdhrin që ia ndalon të sulmojë dëshmitarët për këtë proces gjyqësor.

Gjykatësi e paralajmëroi prerazi Trump se mund të burgoset nëse vazhdon të injorojë urdhrin e gjykatës.

Gjykatësi Juan Merchan e mori vendimin në fillimin e javës së tretë të procesit gjyqësor, periudhë gjatë së cilës janë dëgjuar dëshmitarët. Në këtë çështje penale, akuzat janë për falsifikim të të dhënave të biznesit të Organizatës Trump, me qëllim fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për të fituar heshtjen e aktores së filmave pornografikë, Stormy Daniels.

Ish-presidenti Trump ka mohuar pretendimin e Daniels për një marrëdhënie seksuale mes tyre, si dhe ka mohuar të 34 akuzat e ngritura ndaj tij. Por, gjykatësi Merchan e paralajmëroi Trump se shkelja e urdhërit të gjykatës “është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj shtetit ligjor. Nuk mundem ta lejoj këtë të vazhdojë”.

Gjykatësi Merchan tha se “gjëja e fundit” që do të donte ishte ta dërgonte Trump në burg, por se do ta bënte këtë nëse do të duhet. “Je ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara dhe ndoshta edhe presidenti i ardhshëm”, shtoi gjykatësi.

Gjykatësi Merchan i vendosi një tjetër gjobë prej 1 mijë dollarësh për shkeljen e urdhërit të gjykatës. Javën e kaluar, ai i dha 9 mijë dollarë gjoba për shkeljen nëntë herë të urdhërit. Javën e kaluar, gjykatësi pranoi se ndëshkimi është tepër i vogël për një miliarder si Trump.

Procesi rifilloi të hënën, ndërsa juria prej 12 anëtarësh nuk ka dëgjuar ende dy dëshmitarët kryesorë për çështjen – Daniels dhe ish-avokatin dhe ndërmjetësin politik të Trump, të dënuarin tashmë për evasion fiskal dhe deklarata të rreme, Michael Cohen.

Anëtarët e jurisë kanë dëgjuar shumë rreth të dy personave gjatë dy javëve të fundit, por prokurorët nuk kanë dhënë ndonjë tregues se kur mund të thirren për të dëshmuar.

Sidoqoftë, Jeffrey McConney, ish-kryellogaritar në Organizatën Trump, foli të hënën gjatë dëshmisë së tij se si Cohen i dërgonte fatura kompanisë në mënyrë që të rimbursohej për 130 mijë dollarët e dhënë Daniels.

McConney tha se disa prej çeqeve për Cohen u dërguan në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017, pasi Trump u bë president, në mënyrë që ai t’i firmoste personalisht dhe më pas shumat përkatëse tërhiqeshin nga llogaria personale e Trump.

Në total, Cohen iu paguan 420 mijë dollarë, përfshirë 130 mijë dollarët si rimbursim për shumën e marrë nga vendosja si garanci e vlerës së shtëpisë së tij, për të mundësuar pagesën për Daniels. Shuma e paguar Cohen ishte më e madhe, me qëllimin që të mjaftonte për të mbuluar shpenzimet e tij tatimore për këto pagesa, si dhe në formën e një bonusi, raporton VOA.

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci