Të fundit

Këshilli i BE-së miratoi planin 6-miliardësh për Ballkanin Perëndimor, Kosova pritet të përfitojë më së paku

Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar të martën Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Kjo nismë përbën një angazhim të unifikuar të bllokut për të çuar përpara reformat dhe për të rritur zhvillimin ekonomik në rajon. Ky plan pritet të zbatohet nga viti 2024 deri në vitin 2027, me një ndarje të konsiderueshme buxhetore. BE-ja do të ndajë deri në 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në vitet e ardhshme.

Pagesat do të bëhen dy herë në vit në bazë të kërkesave specifike të vendeve pjesë e Planit. Sipas Komisionit Evropian, këto kërkesa do t’i nënshtrohen verifikimit për të siguruar përmbushjen e kushteve dhe parakushteve përkatëse të pagesës, duke përfshirë stabilitetin makro-financiar, menaxhimin e mirëfilltë të financave publike dhe mbikëqyrjen transparente të buxhetit.

Nga Plani 6 miliardësh, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kishe deklaruar se Kosova pritet të përfitojë rreth 950 milionë euro.

Në mbledhjen e Këshillit Ministror për Integrim Evropian në maj të këtij viti, Bislimi tha se reformat do ta ndihmojnë Kosovën në integrimin evropian dhe zhvillimin ekonomik.

Parakushtet e ndihmës financiare

Plani i Rritjes, siç bëhet e ditur nga Komisioni , synon të forcojë përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor me parimet, ligjet dhe standardet e BE-së, me qëllimin përfundimtar për të lehtësuar anëtarësimin e rajonit në BE.

Një sërë reformash socio-ekonomike, duke përfshirë ato që trajtojnë sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, do të marrin mbështetje nën këtë nismë.

Për t’u kualifikuar për asistencë në kuadër të programit, çdo vend i Ballkanit Perëndimor duhet të hartojë një sërë reformash gjithëpërfshirëse që përshkruan reformat që ata synojnë të ndjekin për të arritur objektivat.

Parakusht i veçantë për Kosovën dhe Serbinë është angazhimi në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve të tyre me synimin për të zbatuar plotësisht të gjitha detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të saj dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut.”

Si do të funksionojë Plani i Rritjes?

Plani i ri i Rritjes për Ballkanin Perëndimor bazohet në katër shtylla kryesore:

Integrimi me tregun e përbashkët të BE-së: Plani ka prioritet përafrimin me rregullat e tregut të përbashkët, lehtësimin e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve dhe punëtorëve, si dhe qasjen në zonën e vetme të pagesave në euro (SEPA), etj.

Tregu i përbashkët rajonal (CRM): Duke miratuar standardet dhe rregulloret e BE-së, Ballkani Perëndimor synon të krijojë një treg rajonal koheziv, duke shtuar potencialisht 10 për qind në ekonomitë e tyre. Plani i Rritjes parashikohet si një katalizator për konkurrencën, tërheqjen e investimeve dhe mbajtjen e fuqisë punëtore.

Angazhimi ndaj reformave: Përshpejtimi i reformave themelore, duke përfshirë grupin themelor, mbështetjen e rrugës së Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE, përmirësimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike, duke përfshirë tërheqjen e investimeve të huaja dhe forcimin e stabilitetit rajonal.

Asistenca Financiare: Kjo nismë propozon një instrument të ri me vlerë 6 miliardë euro, që përfshin 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare. Lëshimi i fondeve do të varet nga përmbushja e standardeve specifike socio-ekonomike dhe reformave themelore.

Nga shuma totale, rreth 3 miliardë euro kredi afatgjata do të forcojnë drejtpërdrejt buxhetet kombëtare, ndërsa 3 miliardë euro të mbetura do të kanalizohen përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). Në kuadër të WBIF, 2 miliardë euro do të ndahen si grante dhe 1 miliard euro si kredi.

Alokimet do të bazohet në numrin e banorëve dhe GDP. Kjo nismë synon të rrisë mbështetjen financiare ekzistuese të ofruar në kuadër të IPA III.

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci