Për t’i mbështetur përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, shtetet perëndimore i vendosën asaj një kusht: ndërmarrjen e hapave konkretë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Këtë e konfirmuan nga Ambasada gjermane në Kosovë.
“Dorëzimi i draft-statutit [të Asociacionit] në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, do të ishte një hap i tillë [konkret]”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane për REL.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hodhi poshtë këtë kusht, me arsyetimin se nuk ka të bëjë me pranimin e vendit në Këshillin e Evropës.
Duke folur në një mbledhje të Qeverisë së tij të mërkurën, ai tha se çështja e Asociacionit ka të bëjë me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Po të mërkurën, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha në një takim online me gazetarët se ka shqetësime se Kosova mund të mos i ketë votat për t’u pranuar në Këshillin e Evropës.
Ai tha se disa vende anëtare të Këshillit të Evropës kanë kërkuar nga Kosova ta themelojë Asociacionin dhe shtoi se kjo është një kërkesë e vazhdueshme e bashkësisë ndërkombëtare.
Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit joqeveritar për Politikat e Demokratizimit në Berlin, beson se çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të jetë fare në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Jashtëm, më 16 dhe 17 maj, kur edhe pritej të merrej vendimi përfundimtar për pranimin e Kosovës.
“Me këtë do të parandalohej një votë negative, domethënë një votë e pasuksesshme”, thotë Weber.
Që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës – organizatës më të madhe në kontinent për të drejtat e njeriut – pranimi i saj duhet të mbështetet nga së paku dy të tretat e 46 vendeve anëtare.
Kurti tha të mërkurën se Qeveria e tij nuk do ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim, sepse ai është pjesë e dialogut me Serbinë që zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg, ku ka selinë Këshilli i Evropës.