Ministria e Punëve të Brendshme, ka promovuar për shumë vjet sistemin AFIS. Ky sistem ka qëllim identifikimin automatik të gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografisë.
Por, siç kishte ndodhur në disa raste të cilat janë raportuar në të kaluarën, edhe një herë ky sistem ka dështuar në vitin 2020. Në shtator të këtij viti, një trafikant i drogës, shtetasi turk, Serkan Zafer, mori nënshtetësi të Kosovës.
Serkan Zafer është arrestuar dy vite më parë në Ferizaj nën dyshimin për pjesëmarrje në trafik të drogës. Ai, dyshohet se ishte pjesë e një rrjeti kosovaro-turk të trafikimit të drogës.
Zafer, është arrestuar bashkë me 14 persona të tjerë, gjashtë prej tyre shtetas turk, nën dyshimin për trafikimin e 67 kilogramë heroinë nga Turqia në Kosovë. Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim derisa po gjykohet mbi akuzat për trafik të drogës.
Hetimet e Drejtorisë së Anti-Drogës të Policisë së Kosovës kundër grupit kosovaro-turk të trafikut të drogës, kanë zbuluar se shtetasit turk Serkan Zafer i ishte mundësuar marrja e shtetësisë së Kosovës.
Përpos identitetit të tij të vërtetë, hetuesit e Anti-Drogës të Policisë së Kosovës kanë zbuluar se Serkan Zafer kishte arritur të pajisej me shtetësi të Kosovës, me identitet tjetër, në emër të Shpend Qerimit, tregon dosja e hetuesisë anti-drogë, të cilën e ka siguruar Paparaci.
Shpend Qerimi është ish-polic i Njësisë Speciale të Kosovës, i dënuar me burgim afatgjatë për rastin e shpërthimit në lokalin ‘Sekiraqa’ në vitin 2007.
Zafer është pajisur me shtetësinë kosovare nën emrin Shpend Qerimi në shtator të vitit 2020, thuhet në dosjen e hetuesisë, raporton Paparaci. Dokumenti është i vlefshëm deri në vitin 2030.
“Gjatë hetimit të rastit DHTN-Ferizaj, ka kuptuar se Serkan Zafer, shtetas turk, ka një identitet tjetër në Kosovë në emër të Shpend Qerimi, i lindur më 18.09.1974 me numër personal [redaktuar], mashkull, vendi i lindjes Prishtinë, adresa e banimit Rr. ‘Rexhep Bislimi’ Ferizaj, ndërsa fotografia e këtij dokumenti është e personit Serkan Zafer”, thuhet në dosjen e anti-drogës, njësia e saj në Ferizaj.
Në dosje përshkruhet se kush është Shpend Qerimi, ish-polici i akuzuar për përfshirje në shpërthimin në lokalin ‘Sekiraqa’.
Sipas dosjes së hetuesve policorë, me identitetin e rremë, të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, trafikanti turk kishte hyrë disa herë në Kosovë.
“Shpend Qerimi është një ish polic, i cili është dënuar me burgim afatgjatë për dy vepra penale. I pandehuri Serkan Zafer e ka shfrytëzuar këtë dokument disa herë për kalimin e kufirit në pikën kufitare Hani Elezit”, thuhet në dosje.
Po ashtu, hetuesit kanë arritur të dëshmojnë lidhjen e Serkan Zaferit me anëtarët e tjerë të grupit të narko-trafikantëve.
Në dosjen e hetuesisë thuhet se Zafer ka fotografi me tre shtetasit e tjerë turq të arrestuar për rastin e 67 kilogramëve heroinë në Ferizaj më 2022.
“Serkan Zafer pas çdo lëvizje ose organizimi të ndodhur në Kosovë brenda pak ditëve ka hyrë në Kosovë; duke ia rregulluar biletat për vajtje ardhje Sahit Shabanit, përmes një kompanie turistike në Ferizaj. Më datë 07.05.2022 kishte ardhur në Kosovë edhe Serkan Zafer së bashku me shtetasin tjetër turk Atila Erik, e menjëherë fillojnë takimet mes Serkan Zaferit me Sahit Shabanin, Afrim Denjanit dhe Abdulvehab Dirin”, thuhet në dosje.
“Serkan Zafer rezulton se i njëjti ka fotografitë e tre të pandehurve shtetas turq, si dhe të pandehurit Sahit Shabani, fakt ky që bie ndesh me pretendimin e tij se fare nuk i ka njohur shtetasit tjerë turq”.
Kush është Shpend Qerimi?
Ndërsa Serkan Zafer e shfrytëzonte identitetin nën emrin e tij për të hyrë e dal nga Kosova, Shpend Qerimi ndodhej në burg, në vuajtje të dënimit për dy vepra të rënda penale.
Qerimi është një ish-polic i njësive speciale të Kosovës.
Ai është i dënuar për rastin e shpërthimit në lokalin ‘Sekiraqa’ në Prishtinë, që ndodhi në vitin 2007 dhe për rastin e vrasjes së trefishtë në Soponicë të Kaçanikut.
Qerimi, është i dënuar me 25 vjet burgim për rastin e shpërthimit në lokalin ‘Sekiraqa’ dhe me 33 vjet të tjera burgim për vrasjen e trefishtë në Soponicë.
Ai ishte shpallur fajtor për shkak se më 24 shtator 2007, në lagjen “Dardania” në Prishtinë, bashkë me tetë të tjerë kishin vënë eksploziv në lokalin e Enver Sekiraqës që kishte shkaktuar vdekjen e dy personave dhe ishin plagosur 12 të tjerë.
Shpërthimi ishte kryer në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e policit Triumf Riza.
Ndërkaq, ai është dënuar me 33 vjet burgim për vrasjen e trefishtë që ishte kryer më ndërmjet 27-28 shtatorit 2007, në vendin e quajtur te “Ura e Lepencit” afër fshatit Soponicë të Ferizajt.
Gjykimi për vrasjen e trefishtë vazhdon edhe sot. Tash lënda është në duart e drejtësisë vendore.
Prokuroria Speciale akuzon ish-oficerin Qerimi, Besnik Hasanin dhe Agron e Afet Dalloshin për rastin e vrasjes së trefishtë.
Në një gjykim të mëhershëm, Qerimi, së bashku me Besnik Hasanin, ishin shpallur fajtor dhe dënuar me 33 vjet burgim. Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim. Lënda, momentalisht ndodhet në shkallën e parë të gjykatës në Prishtinë.
Aktakuza e re e Prokurorisë Speciale të Kosovës ngarkon këta për vrasje, dy vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.