Autoriteti i Aviacionit Civil, një agjenci që mbikëqyret nga Ministria e Infrastrukturës, ka dështuar në përpjekje për vendosjen e një monopoli të ri në trafikun ajror, nga e cila do të përfitonte ekskluzivisht një avio-kompani bullgare. Gjykata e ka shfuqizuar këtë përpjekje. Ngjarja ka ndodhur disa muaj pasi shteti e ndërpreu monopolin për fluturimet Kosovë-Zvicër.
Një aktvendim i Dhomës së Shkallës së Parë të Gjykatës Komerciale ka konstatuar se ka pasur parregullsi në dezignimin e lëshuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) për fluturimet Kosovë-Zvicër, për të cilat është përzgjedhur ‘GP Aviation’, një avio-kompani bullgare.
Me vendimin e gjyqtarit Arben Toska, të nxjerrë më 27 maj, është shtyrë pjesërisht pika e parë e vendimit e cila i jep autorizim për një periudhë tre-vjeçare kompanisë bullgare që të kryejë fluturimet nga Kosova në Zvicër dhe anasjelltas.
“Vendimi i goditur në pikën 1. ka përcaktuar se emërohet/designohet operatori ajror ‘GP Aviation’ të ushtroj të drejta të trafikut ajror për në dhe nga Konfederata e Zvicër për periudhën e tri viteve”, thuhet në vendim.
Komercialja e ka shtyrë tërësisht pikën 5 të vendimit të AAC-së për emërimin e operatorit për fluturimet Kosovë-Zvicër, e cila përmbante një ‘klauzolë’ që kontrata mes AAC-së dhe GP Aviation të mund të zgjatej për një periudhë tjetër kohore, e që rrezikonte të vendoste një tjetër monopol në të drejtat e fluturimeve për dhe nga Zvicra.
“Në pikën 5, vendimi i goditur ka përcaktuar se i padituri ka të drejtë të vazhdojë afatin e designimit për një periudhë për një periudhë tjetër kohore në rast të vlerësimit pozitiv të përmbushjes së kritereve, por nuk e ka caktuar se për sa kohë mund të zgjatet”, thuhet në aktvendimin e Komerciales, raporton Paparaci.
Aktvendimi është nxjerrë pasi një operator tjetër i interesuar për të marrë shërbimin e fluturimeve Kosovë-Zvicër, avio-kompania polake ‘The Enter Airlines’ me bazë në Varshavë u ankua kundër vendimit të AAC-së.
Avio-kompania polake e paditi AAC-në për dyshimet për parregullsi gjatë procedurave tenderuese për përzgjedhjen e operatorit për fluturimet për dhe nga Zvicra dhe kërkoi shtyrjen e ekzekutimit të vendimit.
Megjithatë, përveç anulimit të një pike të vendimit dhe shtyrjes së një pike tjetër, Gjykata vendosi kundër shtyrjes së ekzekutimit të vendimit.
“Aprovohet si pjesërisht e bazuar kërkesa për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ e paditësit ‘Enter Air Sp. Z.O.O’ (The Enter Airline) me seli në Varshavë të Polonisë dhe shtyhet pjesërisht ekzekutimi i pikës 1 të dispozitivit të vendimit të Autoritetit të Aviacionit Civil që ka të bëjë me afatin tre vjeçar nga dita e fillimit të ofrimit të shërbimeve të rregullta ajrore, si dhe shtyhet tërësisht ekzekutimi i pikës 5 të dispozitivit të vendimit”, thuhet në vendim.
Gjykata ka thënë se për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit duhet të plotësohen tri kushte. Kushti i parë thotë se vendimi do të shtyhej vetëm nëse do t’i sillte dëm të pariparueshëm paditësit. Kushti tjetër thotë se vendimi për shtyrje duhet të mos jetë në kundërshtim me interesin publik.
Çka ka ndodhur gjashtë muajt e fundit?
Çështja e linjës ajrore nga Kosova në Zvicër dhe anasjelltas u kthye në pikën zero në janar të këtij viti.
Aviokompania ‘Eurowings’, e cila kishte autorizim të pakufizuar për fluturimet Kosovë-Zvicër të cilin ia kishte dhënë Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit më 2018, e humbi këtë favor.
Ky autorizim i pakufizuar është cilësuar si monopol në tregun e operimeve ajrore. Me këtë shkak edhe ishte arsyetuar anulimi i emërimit nga AAC-ja dhe Ministria e Infrastrukturës.
Vendimi i nxjerrë saktësisht më 30 janar nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës (AAC), do të hynte në fuqi pas përmbylljes së sezonit dimëror në muajin prill të këtij viti.
E për të përzgjedhur operatorin e ri për fluturimet Kosovë-Zvicër, pasoi shpallja e një thirrje publike nga agjencia që rregullon aviacionin civil në vend, për kompanitë e interesuara të fitojnë të drejtën përmes dezignimit për fluturimet Kosovë-Zvicër.
Dy muaj më vonë, në prill, Autoriteti i Aviacionit Civil e përzgjodhi kompaninë bullgare ‘GP Aviation’ si fituese të tenderit dhe ia dha saj të drejtën për të operuar nga Kosova në Zvicër.
Ndërsa, fluturimet e para kjo kompani do t’i realizojë nga java e ardhshme, tha AAC-ja në një komunikatë për media të premten.
Destinacionet e para të fluturimeve do të jenë Prishtinë – Cyrih dhe Prishtinë -Bazel.
“Kompania ajrore GP Aviation e emëruar/dezignuar nga Republika e Kosovës fillon fluturimet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës nga data 24 qershor në destinacionet Prishtinë – Cyrih dhe Prishtinë – Bazel, kurse nga data 3 korrik në destinacionin Prishtinë – Gjenevë”, tha AAC-ja.
Pavarësisht prej parregullsive të konstatuara në aktvendimin e Gjykatës Komerciale, AAC-ja u përpoq të mbyllte një sy ndaj gjetjeve të Gjykatës dhe vendimin e dezignimit të operatorit bullgar e vlerësoi “proces të zhvilluar në mënyrë transparente”.
“Procesi i përzgjedhjes së operatorit ajror të emëruar është zhvilluar në mënyrë transparente përmes publikimit të shprehjes së interesit me kritere specifike për ofrimin e shërbimeve ajrore për publikun në përputhje me marrëveshjen bilaterale në mes të Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Helvetike”, tha AAC-ja.
AAC-ja e quajti këtë zhvillim si “pjesë të objektivave dhe strategjisë më të gjerë të AAC-së dhe qeverisë së Republikës së Kosovës për të zgjeruar rrjetin e saj ndërkombëtar të rrugëve ajrore”.
Kush është GP Aviation?
GP Aviation është avio-kompania më e madhe bullgare.
Ajo është pjesë e tregut në Kosovë me partnerin e saj Prishtina Ticket.
Jo më larg se para rreth dy muajsh, avio-kompania bullgare, përmes degës së saj të Kosovës, bëri të ditur se do të prezantojë një linjë të re që lidh Prishtinën me qytetin bregdetar bullgar të Detit të Zi, Burgas.
Fluturimet e GP Aviation nga Prishtina në Burgas do të fillojnë në qershor, tha Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës në një postim në rrjetet sociale në fillim të kësaj jave.
Në Kosovë, GP Aviation kryen kryesisht fluturime që lidhin Prishtinën me qytetet gjermane. Më dezignimin e veçantë të muajit prill, nga qershori, do të nisin fluturimet edhe për në Zvicër. /Paparaci.com