Të fundit

Mark Rutte emërohet shef i ri i NATO-s

Ish-kryeministri i Holandës, Mark Rutte, është zgjedhur të mërkurën zyrtarisht sekretari i Përgjithshëm i ri i aleancës së NATO-s, me pëlqimin e të gjithë anëtarëve të aleancës ushtarako-politike.

Siç u njoftua në faqen zyrtare të aleancës së NATO-s, Këshilli i Atlantikut të Veriut sot vendosi të emërojë Rutten në këtë post, i cili do ta pasojë Jens Stoltenbergun.

“Rutte do të marrë detyrën nga 1 tetori 2024, kur skadon mandati i Stoltenbergut pasi ka kaluar dhjetë vjet në krye të aleancës”, thuhet në faqen e NATO-s.

Rutte shërbeu si kryeministër holandez për më shumë se 10 vjet. Pasi i humbi zgjedhjet, u tërhoq zyrtarisht nga politika.

Kundërshtari i tij i vetëm për shef të NATO-s ishte presidenti rumun Klaus Iohannis, i cili u tërhoq nga gara pak ditë më parë.

Çka i sjell Rutte NATO-s?

Me shumë vjet të kaluar në krye të politikës holandeze, Mark Rutte ka mësuar një apo dy gjëra për gjetjen e konsensusit midis partnerëve të koalicioneve të përçara. Tash ai është në rrugën e duhur për të sjellë përvojën e drejtimit të katër qeverive shumëpartiake holandeze në skenën ndërkombëtare si sekretar i ri i përgjithshëm i NATO-s.

Të enjten, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, u tërhoq nga gara për postin kryesor të Aleancës, duke e lënë Rutten si kandidat të vetëm.

Sekretari i përgjithshëm kryeson mbledhjet dhe udhëzon nganjëherë konsultimet delikate në mesin e 32 shteteve anëtare të NATO-s, për të siguruar që një organizatë që vepron me konsensus të mund të vazhdojë të funksionojë. Udhëheqësi i NATO-s, po ashtu, sigurohet që vendimet të vihen në veprim dhe flet në emër të të gjithë anëtarëve.

Edhe para se ta marrë drejtimin nga Jens Stoltenberg, Rutte është vënë në provë.

Sigurimi i detyrës së shefit të NATO-s kërkonte gjithë aftësitë diplomatike të Ruttes, pasi ai u desh t’i bindte dyshuesit, përfshirë kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, dhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, që ta mbështesnin kandidaturën e tij.

“Si Stoltenberg , Rutte është një pragmatist dhe një prej politikanëve të pakët evropianë që ka zhvilluar një marrëdhënie të mirë jo vetëm me Joe Bidenin, por edhe me Donald Trumpin. Kjo mund të jetë një aset kyç për NATO-n pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA”, ka thënë Oana Lungescu, një ish-zëdhënëse e NATO-s, tash bashkëpunëtore në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara. “Rutte shihet si ‘dorë e sigurt’ për ta udhëhequr NATO-n në kohë të trazuara, ashtu siç ka bërë Stoltenberg në dekadën e fundit”.

Nga një studiues i historisë deri te politika

I diplomuari në histori dhe ish-menaxher i burimeve njerëzore në kompaninë shumëkombëshe të produkteve të konsumit “Unilever”, Rutte u bë kryeministër i Holandës për herë të parë në tetor të vitit 2010. Ai dha dorëheqje në korrikun e kaluar, pasi koalicioni i tij prej katër partive u grind lidhur me mënyrën se si të frenohej migracioni.

Ndonëse ka qenë një nga politikanët kryesorë të Evropës me vite, Rutte ka qëndruar me këmbë në tokë.

Ai shpesh shihet duke ngarë biçikletën në vendlindjen e tij, Hagë, ose duke ecur nga zyra e tij në një takim, e duke ngrënë mollë. Kur ai e dorëzoi dorëheqjen e qeverisë së tij te mbreti Willem-Alexander vitin e kaluar, shkoi në Pallat Mbretëror me makinë SAAB.

Si kryeministër holandez, Rutte ishte mbështetës i fortë i Ukrainës dhe  i të drejtës së saj për ta mbrojtur veten nga pushtimi rus i nisur në shkurt të vitit 2022. Nën udhëheqjen e tij Holanda i premtoi Kievit pajisje ushtarake, duke përfshirë tanke Leopard dhe avionë luftarakë F-16.

Karriera e Ruttes nuk ishte aq e qetë

Rutte u rikthye nga një sërë skandalesh derisa ishte në pushtet në Holandë. Ishte aq i zoti për parandalimin e njollave politike që ngjiteshin, saqë e mori nofkën “Teflon Mark”.

Qeveria e tij e tretë e koalicionit dha dorëheqjen në fillim të vitit 2021 shkaku i një sërë skandalesh që përfshinë hetimet për pagesat për mirëqenien e fëmijëve, që gabimisht etiketuan mijëra prindër si mashtrues.

Disa muaj më vonë Rutte u tregua mjeshtër i mbijetesës duke drejtuar Partinë Popullore për Liri e Demokraci drejt fitores në zgjedhjet nacionale dhe duke bërë bashkë koalicionin e tij të katërt dhe të fundit nga partitë e njëjta që dhanë dorëheqje dhe e dërguan vendin në zgjedhje.

Përvoja në skenën politike ndërkombëtare

Vitet e tij në detyrë gjithashtu i kanë përmirësuar aftësitë e tij në nivelin ndërkombëtar. Duke punuar me një buzëqeshje të gjerë në fytyrë dhe karakterizuar me shtrëngim duarsh në Samitet e Bashkimit Evropian, Rutte zhvilloi marrëdhënie të forta pune me liderë të fuqishëm si ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, presidentin francez Emmanuel Macron. Ai, po ashtu, vizitoi Bidenin e Trumpin në Washington.

“Si një veteran i samiteve të BE-së, Rutte do të sjellë një kuptim më ndryshe të marrëdhënieve komplekse NATO – BE krahasuar me Stoltenbergun. Por ai gjithashtu duhet të sigurojë që përpjekjet e BE-së për mbrojtjen të plotësohen, në vend që të minojnë NATO-n në kohën kritike”, tha Lungescu.

Ndërsa Holanda nën udhëheqjen e Ruttes gjatë kishte dështuar të arrinte ta përmbushte objektivin e NATO-s për shpenzim të 2 për qind të bruto produktit vendor për mbrojtje, holandezët pritet ta arrijnë këtë objektiv këtë vit. Vlerësimet e NATO-s sugjerojnë se Holanda do të shpenzojë 2.05 për qind të GDP-së të saj për mbrojtje, nga rreth 1.2 për qind sa kishte shpenzuar një dekadë më parë, kur aleatët u zotuan të rrisnin buxhetet e tyre pasi Rusia aneksoi Krimenë.

Video nga Paradoks

Projekt super i veçantë: Prezantohet Marigona Sun, lagjja më luksoze në Kosovë…

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci