Të fundit

Vdekja e Ismail Kadares, Osmani: Populli shqiptar sot është në zi, humbi dijetarin më të njohur

Në moshën 88-vjeçare sot u nda nga jeta, shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare.

Për vdekjen e Kadares, ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani ka pohuar se Kadare ishte gjeniu shqiptar, i cili veprën e vet ia kushtoi vendit e kombit.

“Në historinë njerëzore, shkrimtarët shpesh i kanë dhënë kahun kombeve në çastet më të vështira të historisë, duke artikuluar idenë e lirisë. Ismail Kadare ishte gjeniu shqiptar, njeriu e shkrimtari i cili tërë jetën dhe veprën e vet ia kushtoi dashurisë ndaj tokës, gjakut e vendit të shqiptarëve, duke krijuar një trashëgimi të pakundshoqe adhurimi e lavdie ndaj vendit e kombit të vet”, thotë ajo.

Presidentja thotë se Kadare ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë.

“Me këtë dashuri, të cilën ai e ka shprehur gjithandej veprave të tij, ai i ka paraqitur vlerat e popullit të tij nëpër botë, duke e lartuar gjithandej gjuhën, kulturën e letërsinë shqipe dhe vetë popullin shqiptar, ndërsa të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për të jetuar i lirë e i mosvarmë e mbrojti gjithandej botës, në qarqe intelektuale e kulturore, në ambiente politike e në letërkëmbimin e tij me personalitete të shquara botërore”, ka theksuar ajo.

Osmani në reagim ka shtuar se “Populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi”.

“Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës. Humbi shkrimtarin e papërsëritshëm, të cilit si Presidente kisha nderin t’ia dorëzoja shtetësinë e Kosovës kohë më parë, sikurse edhe Urdhrin “Hasan Prishtina”. Për dhjetëvjetësha të tërë, ai e kultivoi artistikisht e intelektualisht ndjenjën e lirisë, duke na bërë edhe ne, shqiptarëve të Kosovës, ta kuptonim më mirë përmasën e lirisë e ta gjakonim atë përjetësisht”, nënvizoi ajo.

Në reagim, Osmani thekson se “Kapërcimi i tij në jetën e përtejme shënjon ndarjen fizike nga ne, por ai do të mbetet përjetësisht në zemrat e në shpirtrat e miliona lexuesve e adhuruesve të veprës së tij, në zemrat e shpirtin e çdo shqiptari, kombit të cilit i shërbeu deri në frymën e fundit”.

“Lavdi veprës e jetës së kolosit Ismail Kadare”, shkruan Osmani.

Shkrimtari më i madh shqiptar, Ismail Kadare, mbylli sytë përgjithmonë në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ismail Kadare është shkrimtar, personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe.

Video nga Paradoks

“Prej gurit me kanë t’dalin lot”: Daut Haradinaj flet për familjet e dëshmorëve, tregon raste të veçanta – “S’i dahna kontributeve humanitare”

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci