Të fundit

Thellohet skandali i kontratës milionëshe në ATK – ndëshkohet konsorciumi armen

ATK-ja ka aplikuar ndëshkime në një shumë të përllogaritur prej rreth 400 mijë eurove ndaj një konsorciumi privat, i cili ka dështuar të zbatojë një kontratë që peshon 10 milionë euro me institucionin e tatimeve. 

Paparaci

Administrata Tatimore e Kosovës ka aplikuar ndëshkime të ashpra ndaj një konsorciumi privat për dështimin e realizimit të kontratës për modernizimin e sistemit të Teknologjisë Informative.

Mbi 400 mijë euro është shuma e gjobës së aplikuar nga ATK-ja ndaj konsorciumit privat të udhëhequr nga “IUNetworks” L.L.C., një kompanie private nga Armenia, ka mësuar mediumi online Paparaci.

Konsorciumi privat, vitin e kaluar fitoi tenderin për “Modernizimin e Sistemit të IT-së në ATK”, të vlefshëm 9.79 milionë euro. Por, kjo bashkësi e kompanive ka dështuar të zbatojë marrëveshjen e lidhur me ATK-në në janar të 2020-s.

Kësisoj, një ekip i ATK-së i ngarkuar me detyrën për menaxhimin e kontratës, ka vendosur të aplikojë ndëshkime financiare ndaj konsorciumit privat për mosrealizimin e shërbimeve sipas kushteve të kontratës.

Paparaci ka mësuar se nga aplikimi i dëmeve të likuiduara “me 0.25% në ditë të vlerës së produkteve” ndaj konsorciumit armen, shuma e përllogaritur e gjobës së ekzekutuar ndaj “IUNetworks” dhe kompanive të tjera të konsorciumit ka arritur në mbi 400 mijë euro.

Nga 4 tetori i vitit të kaluar, ATK-ja ka ekzekutuar “penallti” prej 5,000.00 eurove në ditë kundër konsorciumit armen. Vlera e ndëshkimit është rritur në 7,500.00 euro nga data 23 dhjetor.

Megjithatë, ATK-ja ka mohuar ndëshkimin e aplikuar ndaj konsorciumit që ka dështuar të zbatojë fazën e parë të kontratës.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin javën e kaluar, një zëdhënëse e ATK-së tha se kontrata është në fazën e realizimit.

“Kontrata është në fazën e realizimit dhe në bazë të rrethanave dhe ngjarjeve të paraqitura gjatë realizimit të kontratës AK do të veprojë sipas kushteve të kontratës dhe rregullave të aplikueshme në Kosovë”, ka thënë Valentina Bytyqi-Sefa, zëdhënëse e ATK-së. “Vlerat e potencuara në pyetje (5,000.00 eurove në ditë, 7,000.00 euro) nuk qëndrojnë”.

Paparaci raportoi rreth dy muaj më parë se si rreth dy milionë euro nga buxheti i ATK-së u transferuan në xhirollogaritë e konsorciumit armen, ndonëse ai dështoi të zbatojë kontratën e lidhur me institucionin e tatimeve.

Konsorciumi, i udhëhequr nga “IUNetworks”, përbëhet edhe nga tri kompani kosovare: “Mikrobiz”, “PBC” Sh.P.K. dhe “Tax Accounting Group”.

Prej 15 janarit, 2020, kur marrëveshja hyri në fuqi, konsorciumi privat nuk e ka zbatuar asnjë nen të kontratës.

Faza e parë e kontratës ka dështuar plotësisht, ka vlerësuar një ekip i brendshëm i ATK-së. Paparaci, ka siguruar dokumentin.

“Pas trajtimit të parashtresës së pranuar nga Ekipi për Menaxhimin e Kontratës ju njoftojmë se nga data 04.10.2020 do të fillojë aplikimi i dëmeve të likuiduara sipas nenit 12.6.1., 12.6.2., pika (a) të Kushteve të Veçanta të kontratës, me 0.25% në ditë të vlerës së produkteve”, thuhet në një rekomandim të menaxherit të prokurimit në ATK, Azem Duraku.

ATK-ja, në dokumentin që mban datën 20 tetor, 2021, ka kërcënuar konsorciumin armen me ndërprerje të kontratës.

“Nëse furnizuesi nuk është në gjendje t’i kryejë detyrimet sipas kontratës së nënshkruar më 15.01.2020 dhe shtojcës 2 – plani kohor i zbatimit të realizimit të kontratës që i përket amandamentimit nr.2, autoriteti kontraktues do të ndërmarrë veprimet e mëtejme për ndërprerjen e kontratës sipas kushteve të kontratës”, thuhet në dosjen e ATK-së, dërguar konsorciumit.

Paparaci, ka mësuar nga burime të mirëinformuara brenda institucionit se ATK-ja i pagoi rreth dy milionë euro konsorciumit armen ndonëse ai nuk ka dorëzuar asnjë shërbim të paraparë me kontratë.

Për këtë, administrata ka marr qortim nga një ekspert i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i përfshirë në proces.

Fondet e projektit janë siguruar nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe nga ato të Bashkimit Evropian.

Konsorciumi armen ka plotësuar kriteret e kërkuara në kontratën për “Modernizimin e Sistemit të Teknologjisë Informative të ATK-së”, kishte thënë Administrata Tatimore e Kosovës në janar, 2020, pas lidhjes së kontratës me “IUNetworks”.

Në një njoftim për shtyp, ATK-ja u krenua me zhvillimin e procedurave tenderuese krahas tenderit, të cilat i quajti “të rregullta”.

“Në Administratën Tatimore të Kosovës sot është finalizuar marrëveshja kontraktuale me konsorciumin i cili pas procedurave të rregullta të prokurimit, ka fituar tenderin për implementimin e projektit të modernizimit të teknologjisë informative”, thuhet në njoftim.

ATK-ja njoftoi se “përmes sistemit të ri të teknologjisë informative, do të lehtësohet deklarimi dhe pagesa e tatimeve, si dhe do të mundësohen metoda elektronike shumëkanalëshe të komunikimit”.

Qëllimi bazë i këtij projekti ishte modernizimi i proceseve biznesore, lehtësirave për përmbushjen e tatimeve nga tatimpaguesit, ofrimi i shërbimeve elektronike me synim zëvendësimin e shërbimeve me letër.

Gjithashtu, procesi pritet të lehtësonte menaxhimin e proceseve ne mënyrë me efikase dhe inteligjente. /Paparaci.com

Video nga Paradoks

"Sa ma budallë mashkulli ma shumë dhunë", "Fejohen për ni t'shkume n'deti": Valon Syla flet për dhunën ndaj grave, u drejtohet Vjosa Osmanit e Albulena Haxhiut - "Siguria financiare zgjidh shumë sene"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci