Të fundit

Dyshime për konflikt interesi – zv/kryeministri “promovon” OJQ-në e themeluar nga shefi i tij i kabinetit

Pjesëmarrja e Besnik Bislimit në një tryezë diskutimi të organizuar nga organizata jo-qeveritare “MDA Foundation” ngreh dyshime për konflikt interesi. 

Luan Dalipi u shkëput katër vjet më parë nga menaxhimi i organizatës jotifimprurëse “MDA Foundation”, të cilën e kishte bashkë-themeluar me vëllain, Dritonin dhe një bashkëpunëtor tjetër të tij më 2012.

Shefi i kabinetit të Kryeministrit të Kosovës, vazhdoi të jetë pjesë e OJQ-së deri në muajin prill të këtij viti. Mbante pozitën e konsulentit për biznes, derisa ushtronte pozitën e shefit të kabinetit në Zyrën e Kryeministrit në mandatin e parë të qeverisjes Kurti, raporton Paparaci.

Driton Dalipi figuron sot pronar i organizatës jo-qeveritare që me emrin e plotë njihet si “Fondacioni i Bashkëpunëtorëve për Menaxhim dhe Zhvillim (MDA Foundation)”. Është vëllai i Luan Dalipit, që drejton kabinetin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Fondacioni MDA merret me aktivitete jo-qeveritare që kanë cak mbështetjen e sipërmarrjes tek të rinjtë në Kosovë. Organizon projekte dhe ngjarje, përfshirë tryeza të diskutimeve.

Në një tryezë të organizuar sot nga “MDA Foundation” mori pjesë një nga eprorët e Luan Dalipit në Kryeministri.

Besnik Bislimi, zëvendësi i kryeministrit Kurti, i cili ka krijuar afrimitet me tryeza – jo shumë me ato të OJQ-ve sa me tryezat në Bruksel si kryedialogues i Kosovës – pranoi ftesën e fondacionit të bashkë-themeluar nga Luan Dalipi për pjesëmarrje në tryezën e diskutimit me temën: “Dialogut Publik-Privat”.

Bislimi, i cili ka kohë që nuk është pjesëmarrës në tryeza diskutimi të organizuar nga organizatat jofitimprurëse në vend, ka zgjedhur që një paraqitje të rrallë në aktivitete të OJQ-ve ta bëjë tek biznesi jo-fitimprurës i Driton Dalipit, vëllait të udhëheqësit të kabinetit në Zyrën e Kryeministrit.

Pjesëmarrja e tij, e cila promovon aktivitetin e Fondacionit MDA, ngreh dyshime mbi një situatë të konfliktit të mundshëm të interesit, raporton Paparaci.

Luan Dalipi, në uebsajtin e “MDA Foundation” ende figuron themelues i kompanisë. Ka përfituar rrogë si i punësuar në këtë OJQ gjatë mandatit të parë të Qeverisë Kurti, ku po ashtu ushtronte pozitën e shefit të kabinetit të kryeministrit. Aty punoi deri në prill të këtij viti.

Fitimet nga rroga, Dalipi i kishte deklaruar vitin e kaluar në deklarimin e pasurisë pranë Agjencisë Kundër Korrupsion. Kishte deklaruar të hyra vjetore në vlerë 36 mijë euro.

Një ekspert në fushën e kundër-korrupsionit i ka thënë Paparacit të mërkurën se duhet analizuar pjesëmarrja e zv/kryeministrit Bislimi në këtë tryezë diskutimi. Ka thënë se pjesëmarrja e tij në aktivitetin e OJQ-së, paraqet së paku një “problem etik”.

“Duhet shikuar nëse kjo organizate merr projekte në atë institucion. Pjesëmarja në tryeza nuk mund të jetë konflikt interesi por problem etik”, ka thënë ky ekspert në kushte anonimiteti.

Paparaci ka kontaktuar të mërkurën me Fondacionin MDA. Ata kanë thënë shkurtimisht se Luan Dalipi nuk ushtron “prej kohësh” asnjë funksion në këtë organizatë jo-fitimprurëse.

Akuzat kundër Dalipit për korrupsion dhe vendimi lirues i Apelit

Në gusht të vitit 2017, Luan Dalipi u lirua nga disa akuza për korrupsion të ngritura ndaj tij dhe një ish-zyrtari të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për korrupsion.

Gjykata e Apelit, në aktgjykimin lirues ndaj Latifit dhe Xhemail Sylës, aprovoi kërkesën për lirimin e tyre nga akuzat për shkak të mungesës së provave që dëshmonin përfshirjen e tyre në një skandal korrupsioni, siç pretendonte prokuroria.

Prokuroria Speciale e Kosovës, në janar të vitit 2017, kishte ngritur aktakuzë kundër Dalipit dhe Sylës, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzoheshin se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë MDA, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që gjatë procesit të tenderimit sipas projektit “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, në vlerë prej dy milionë euro, gjatë vitit 2013  kanë shkëmbyer informacione dhe dokumente lidhur me tenderin në fjalë, duke i përshtatur kushtet dhe kriteret e tenderit  interesave të kompanisë së të pandehurit Dalipi.

Çka u tha në ngjarjen e “MDA Foundation”?

Në tryezën e organizuar nga fondacioni MDA, përveç zv/kryeministrit të Kosovës, mori pjesë edhe Karin Hernmarck Ahliny, Ambasadore e Suedisë në Kosovë.

Në fjalimin e tij, Bislimi shpalosi arritjet e qeverisë. U shpreh se për herë të parë, Kosova do të shënojë rritje ekonomike dyshifrore.

Përveç rritjes ekonomike, ai vlerësoi se në Kosovë është rritur numri i të punësuarve më mbi 9 mijë.

“Parashikimet janë që Kosova për herë të parë të shënoj rritje ekonomike dyshifrore. Në rrafshin ekonomik në e kemi kuptuar rritjen e vendeve të punës dhe statistikat tregojnë që sot në Kosovë është numri më i madh i të punësuarve sesa të gjithë herëve tjera, 9309 është më i madh”, u shpreh Bislimi.

Karin Hernmarck Ahliny, ambasadore e Suedisë, tha se platforma për “Studimi i Konkurrueshmërisë së Kosovës”, i organizuar nga “MDA Foundation”, ka për qëllim zhvillimin ekonomik, çështjet e mjedisit dhe demokracinë.

Ajo tha se janë shumë të ulëta investimet e huaja direkte në Kosovë, e që sipas saj kjo nuk është pasqyrë e mirë për vendin. /Paparaci

 

Video nga Paradoks

Çka ka Mërgimi kundër LGBT? Sami Lushtaku tregon rastin, befason me qëndrimin e tij për martesat mes sek*sit të njejtë

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci