Të fundit

Për Mickey 17: Shije e zbehtë në një botë të bukur

Shkruan: Ardit Dragusha

Duhet të jetë film i jashtëzakonshëm, mendova. Më duhet ta shoh në ekranin e madh të kinemasë. Ky ishte reagimi im i parë ndaj imazhit të parë nga Mickey 17, në trailerin e shkurtër që doli dy vite më parë, ku fytyra e zbehur e Robert Pattinson-it u shfaq brenda një kapsule. U deshën të kalonin dy vite nga ajo kohë deri te premiera e filmit, i cili shënon punën e parë të Joon-ho pas Parasite, filmit që theu barrierën e anglishtes në kategorinë “Filmi më i mirë” në Oscar. Triumfi i pesë viteve më parë nuk ishte vetëm një moment historik për kinemanë koreane, por edhe një ftesë për shumëkënd që nuk ishte i njohur me kinematografinë e regjisorit 55-vjeçar, që të thellohej më shumë në projektet e mëparshme, ku më i përkryeri mbetet Memories of Murder.

Traileri i parë i Mickey 17, ku kamera rrotullohet rreth trupit të zhveshur të Pattinson-it në një tub futuristik, krijonte përshtypjen për një sci-fi origjinal, të freskët e të menduar mirë, diçka në mes të Alien (1979) dhe Moon (2009). Dy vite më vonë, e kuptova se pritja ime ishte më shumë një projektim i asaj që doja të shihja, sesa një parashikim i saktë i asaj që filmi është në të vërtetë. Mickey 17 nuk është aspak një thriller apo një mister hapësinor brenda një anijeje të izoluar, ku mund të fshihet një kërcënim jashtëtokësor, por është një satirë e zeitgeist-it që nuk arrin të krijojë tension, “digjet ngadalë” dhe mban në distancë audiencën, pa i ofruar asaj mundësinë që të futet brenda në anijen kozmike, e cila është në kërkim të një bote të re. Satira, për mendimin tim, është një nga format më të vështira të filmit: zakonisht nuk të bën të qeshësh, shpesh nuk thumbon dhe shumë rrallë thotë diçka që nuk e dimë tashmë.

Mickey 17 nuk bën përjashtim. Bong Joon-ho, edhe këtë herë, mbetet regjisor i drejtpërdrejtë që filmin e përdor si kritikë shoqërore. Por ndryshe nga filmat e kaluar, si Parasite, ku tensioni rrjedh nga nënteksti dramatik dhe divergjencat klasore janë të vendosura mjeshtërisht në strukturën narrative të filmit, ose Snowpiercer, ku dhuna klasore brenda trenit perpetual funksionon si një alegori marksiste koherente, Mickey 17 humbet këtë ekuilibër. Ai mbetet i zëshëm në ideologji, por i mungon takti dhe finesa në mënyrën se si e artikulon atë, duke insistuar ta shpjegojë me gisht atë që do të duhej ta tregonte. Në vend të implicitetit të një bote që kërkon ta kritikoj, bëhet një tregim karikatural që qëndron më afër sipërfaqësisë së Don’t Look Up, sesa nuancave të veprave të mëparshme të Bong-ut.

Ajo çka është e pamohueshme, është se kjo botë – e krijuar me një buxhet dhjetëfish më të lartë se Parasite, është vizualisht mbresëlënëse. Megjithatë, bukuria nuk arrin të kompensojë mungesën e gravitetit dramatik që shoqëron anijen që ka mision të kolonizojë një planet të largët.

Në zemër të filmit është Mickey Barnes (Robert Pattinson), një njeri i zakonshëm që, për të ikur nga fajdexhinjtë, i bashkohet ekspeditës për në planetin Nilfheim. I pakualifikuar dhe pa ndonjë aftësi të veçantë, ai merr një punë që kërkon vetëm një gjë prej tij: të vdesë për kompaninë. Sa herë që vdes në ndonjë mision të rrezikshëm, trupi i tij digjet dhe një version i ri i Mickey-t printohet, me kujtesën e ruajtur deri në momentin e fundit. Puna e tij paraqet pozitën më të ulët në hierarkinë e ekspeditës, një ilustrim i qartë i shfrytëzimit të punëtorit të pakualifikuar. Performanca e Pattinson-it në rolin e Mickey-t është arsyeja kryesore pse filmi funksionon, për aq sa funksionon. Për regjisorin, “ky film nuk mund të imagjinohet pa Rob-in.” Me të drejtë. Pattinson sjell një melankoli bindëse në absurdin e botës dhe punës së tij,  një hero i humbur dhe i përgjumur, që bart mbi supe një faj, por edhe një dhembje dhe humor për situatën në të cilën e gjen veten. Filmi nuk do të mund të ekzistonte pa të. Ai është arsyeja për të cilën filmi nuk është një dështim i plotë, dhe, ndoshta, arsyeja e vetme për ta parë.

Në anën tjetër të anijes ndodhet Kenneth Marshall (Mark Ruffalo), komandanti i ekspeditës, një figurë që përzien Trump-in me Musk-un. Ruffalo e luan rolin në mënyrë të ekzagjeruar, që duket më shumë si karikaturë sesa si karakter. Kenneth Marshall paraqet një përpjekje të madhe portretizimi që nuk sjell as frikë, as trishtim, por as humor. E ngjashme është edhe pjesa më e madhe e simbolikës në film: përpjekje për të thënë shumë gjëra për kolonializmin, kapitalizmin, fashizmin dhe teknologjinë, të cilat përfundojnë si koncepte të papërfunduara, si kopjet e dështuara të Mickey-t që dalin nga printeri dhe harrohen menjëherë.

Një nga metaforat që zë vend të rëndësishëm në film është salca, koncept ky që bartet nga Ylfa (Toni Collette), gruaja e komandantit të anijes, e cila thotë se salca është testi i vërtetë i qytetërimit: një luks, një finesë që vetëm të sofistikuarit mund ta kuptojnë. Por si çdo gjë tjetër, edhe kjo është e humbur te njerëzit e pasofistikuar që nuk kuptojnë shijet komplekse. Salca është një simbol që edhe do të mund të kishte funksionuar, nëse nuk do të ishte vetëm një nga dhjetë metaforat që filmi nxjerr në pah me shumë zell, por pa konsistencë. Në përpjekje për të thënë gjithçka, ai kafshon më shumë sesa mund të përtypë.

Megjithatë, problemi më i madh i filmit nuk është vetëm mbingarkesa metaforike, por mungesa e një konflikti të qartë, që do t’i jepte shpirt këtij botëzimi ideologjik. Mundësia më e mirë që ka është në momentin kur krijohet Mickey 18, një version i ri, para se të vdesë Mickey 17, ku dy Mickey-t shumë të ndryshëm takohen me njëri-tjetrin. Ky do të mund të ishte momenti i përplasjes së madhe, ku Mickey 17, i cili është brumosur me nënshtrim të verbër dhe frikë ekzistenciale, i duhet të luftojë Mickey-n 18, i cili zgjohet me një vetëdije revolucionare dhe mllef të sapozbuluar. Kjo përplasje mes nënshtrimit dhe kundërshtimit, mes dorëzimit dhe dinjitetit, do të mund të shndërrohej në boshtin emocional të filmit. Por nuk është. Kjo përplasje zëvendësohet me një kërcënim të jashtëm: alienët që quhen “creepers”, që rrethojnë anijen, duke u kthyer në një revers deus ex machina, që prish shansin e fundit për një konflikt, që është thelbi i domosdoshëm i çdo tregimi.

Nëse salca është vërtet prova e qytetërimit, atëherë Mickey 17 është një pjatë e bukur dhe e shtrenjtë për ta parë, por shumë e thatë dhe e zbehtë në shije, duke mos përmbushur premisën premtuese me përmbajtje të pasur.

 

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci