Të fundit

As në luftë, as në shesh – gjithmonë në anën e gabuar

Shkruan: Doruntina Meha

Protesta e OVL-UÇK-së ishte një organizim i jashtëzakonshëm. Në një kohë kur apatia politike duket sikur ka pllakosur vendin, populli foli qartë. Mijëra qytetarë, pa dallim bindjeje politike, dolën në shesh për të mbrojtur një kauzë të madhe: përkrahjen ndaj krerëve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë. Aty ku mungon drejtësia, del populli. Dhe populli e dëshmoi sërish se UÇK-në nuk e ka harruar. Se ata që sakrifikuan për këtë vend, nuk janë vetëm.

Por, natyrisht, nuk ishin të gjithë në këtë shesh. Disa nuk kanë qenë kurrë aty ku është dashur. Jo në luftë. Jo në shesh. As sot.

Përballë një proteste të madhe e të sinqertë, ata zgjodhën heshtjen. Jo nga modestia, as nga turpi. Heshtën ngaqë nuk kanë çfarë të ndajnë me këtë popull, me këtë histori, me këtë dhembje.

Në vend të solidaritetit, moralizuan. “Vetë e kanë votuar Gjykatën Speciale” është fjalia që e përtypin si pretekst për të fshehur urrejtjen e vjetër ndaj atyre që udhëhoqën luftën çlirimtare. E vërteta është kjo: nuk u intereson aspak për ata burra që po gjykohen në Hagë. As për padrejtësinë që po u bëhet. Dhe nuk guxojnë ta thonë haptas, ngaqë e dinë se populli nuk është në anën e tyre. Prandaj fshihen pas frazave të përgatitura.

As kur s’e votuan Gjykatën Speciale, nuk ishin të sinqertë. E dinin shumë mirë që ajo do të ndodhte, me apo pa Kuvendin e Kosovës. Ndërkombëtarët e thanë qartë: ose e bëni vetë, ose do ta bëjmë ne, përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Krerët e luftës e votuan atëherë gjykatën për një arsye të vetme: që ta pastrojnë emrin e UÇK-së nga shpifjet monstruoze të raportit të Dick Marty-t për trafikim organesh. Sepse e dinin që ajo akuzë nuk qëndron. Dhe koha e tregoi: ajo akuzë nuk ekziston më. Por në vend të saj, dolën të tjera. Akuza të dobëta, të ndërtuara mbi rrëfime që shpesh më shumë ngjajnë në fjalë politike sesa në prova juridike.

Këta që sot bëjnë moral nga zyrat e tyre, e dinë shumë mirë këtë. Por zgjedhin të heshtin. Jo ngaqë nuk munden, por ngaqë nuk duan. Nuk janë me ta. Urrejtja e vjetër për UÇK-në është më e madhe se çdo ndjeshmëri për drejtësinë.

Ndërsa populli mbushte sheshin, ata shkruanin statuse në Facebook. Moralizonin për “fondet e mbrojtjes”, ndërsa kanë pesë vjet që janë në pushtet dhe nuk kanë bërë asgjë për këta burra që po mbahen në paraburgim pa aktgjykim për pesë vite. Përdorin deputetë për të shpërndarë narrativën e njollosjes, ndërsa mbyllin sytë para keqpërdorimeve që ndodhin çdo ditë nën qeverisjen e tyre.

Në fakt, s’kanë qenë kurrë në anën e drejtë të historisë. Janë rreshtuar gjithmonë kundër: kundër pavarësisë, kundër luftës çlirimtare, kundër simbolit të UÇK-së, kundër flamurit dhe kundër shtetit të Kosovës. Jo për shkak të bindjes ideologjike, por ngaqë janë të vegjël për të mbajtur mbi supe kauza të mëdha.

Nuk janë ndërtuar mbi sakrificë, por mbi mllef. Jo mbi parime, por mbi ligësi. Nuk janë ndërtuar për të bartur barrën e historisë së Kosovës.

Dhe kjo është arsyeja pse nuk ishin në shesh. Aty nuk mjafton pushteti. As propaganda. Kërkohet guxim për të qëndruar në krah të atyre që mbrojtën këtë vend kur ishte më së vështiri. Kërkohet dinjitet për të qenë pranë atyre që sot padrejtësisht mbahen larg familjes e vendit të tyre. Kërkohet shpirt, për ta ndjerë dhembjen e një populli që nuk harron ata që sakrifikuan për të.

Por guximi nuk është virtyt i tyre. Dinjitetin nuk e kanë njohur, as kur kanë shkelur mbi çdo vlerë për interesa personale.

Nuk ishin në shesh, ngaqë nuk i lidh asgjë me këtë betejë, me këtë histori, me këtë popull. Nuk ishin, për një arsye të thjeshtë: nuk janë. Dhe nuk kanë qenë kurrë.

 

Video nga Paradoks

Përplasje e fortë në VV SHOW mes Kajtazit e Ymerit

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci