Shkruan: Avdullah Hoti
MARRËVESHJA E UASHINGTONIT E 4 SHTATORIT 2020: MUNDËSI E HUMBUR
Sot bëhen pesë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, një arritje historike për Kosovën që krijonte mundësi unike për: (1) fuqizimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe (2) vendosjen e Kosovës në qendër të zhvillimeve ekonomike në rajon përmes projekteve madhore infrastrukturore.
Po të zbatoheshin projektet e mëdha infrastrukturore të përfshira në këtë marrëveshje, Kosova sot do të merrte rolin e saj si nyje rrugore, hekurudhore dhe energjetike (përmes gazit) në rajon dhe përtej, me Fushë-Kosovën si port i thatë tregtar që do të lidhte portet e Durrësit dhe të Selanikut, për të vazhduar në veri për Evropën Qendrore. Në aspektin politik, marrëveshja solli njohjen nga Izraeli, duke e thyer bllokadën disa-vjeçare të mungesës së njohjeve dhe duke e avancuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
Për fatin e keq të Kosovës dhe të secilit qytetar, marrëveshja u neglizhua nga institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e vitit 2021. Kur u nënshkrua kjo marrëveshje, u kritikua ashpër nga opozita e atëhershme. Sot, pas pesë vitesh, të gjithë pa përjashtim janë të bindur për rëndësinë e saj strategjike, përfshirë ata që e cilësonin si tradhti kombëtare.
Çfarë është realizuar në muajt shtator 2020 – mars 2021 në Qeverinë Hoti?
Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, Qeveria e Kosovës e ka miratuar planin e zbatimit. Gjatë periudhës së shkurtër të Qeverisë Hoti, janë realizuar disa pika, e disa të tjera kanë nisur së zbatuari:
- Ministria e Infrastrukturës ka diskutuar gjerësisht me DFC (dhe BE) për këto projekte: vazhdimin e autostradës për Merdarë; lidhjen e autostradës për Durrës me autostradat për Shkup, Gjilan dhe Luginë të Preshevës përmes segmentit Shtimje-Duhël; studimin e para-fizibilitetit për hekurudhën për Durrës dhe projekte të tjera.
- Ministria e Brendshme ka funksionalizuar pikën kufitare në Merdarë.
- Ministria e Arsimit ka bërë përgatitjet për takimin e Qendrave NARIC Kosova dhe NARIC Serbia për njohjen reciproke të diplomave.
- Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka punuar me ekspertët amerikanë në studimin e fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit, i cili është finalizuar në qeverinë pasuese.
- Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, KOSTT dhe ZRRE kanë miratuar këto projekte për diversifikimin e energjisë në kuadër të MCC-së: gazsjellësi Kosovë–Maqedoni e Veriut; rrjeti i furnizimit me gaz në Kosovë; zgjerimi i ngrohjes qendrore; energjia e ripërtëritshme; mbështetja e konsumatorëve të energjisë që vetë e prodhojnë energjinë; investime në rrjetin e shpërndarjes së energjisë në rajonin e Podujevës, Malishevës dhe disa rajoneve të tjera.
- Më 23 tetor 2020, me Nënsekretarin për Ekonomi, Energji dhe Ambient të SHBA-ve, është nënshkruar memorandumi për sistemin 5G.
- Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për sigurinë e pajisjeve të teknologjisë 5G, në përputhje me standardet e vendosura nga SHBA.
- Në fushën e komunikacionit ajror, Ministria e Brendshme ka instaluar pajisjet që i përmbushin standardet ndërkombëtare për luftën kundër terrorizmit, sipas Rezolutave të OKB-së 2178 dhe 2396. Ministri i Brendshëm e ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ dhe janë testuar pajisjet për sigurinë e të dhënave.
- Në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të lirive fetare është përgatitur projektligji i ri dhe është krijuar grupi ndërministror për analizimin e gjendjes sa i përket pasurisë së komunitetit hebre, e cila ende nuk është trashëguar apo kërkuar.
- Për personat e pagjetur, janë marrë zotime për të punuar në gërmime vlerësuese në disa lokacione, për të shqyrtuar databazat e organizatave ndërkombëtare dhe për qasje në informacione në Serbi.
- Janë marrë veprime për të shpallur si organizata terroriste ato që konsiderohen të tilla nga SHBA.
- Më 21 shtator 2020, është nënshkruar deklarata e përbashkët me DFC-në për të përshpejtuar nënshkrimin e Marrëveshjes për Nxitje të Investimeve në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.
- Rrjedhimisht, më 31 dhjetor 2020, në afat rekord, është nënshkruar Marrëveshja për Nxitje të Investimeve në mes të Kosovës dhe SHBA-ve.
- Janë vendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.
