Ikona e qytetit të Prishtinës – ish-kapiteni legjendar, Edmond Azemi synon ulësen në Asamblenë Komunale të kryeqytetit.
Pas një periudhe të shkurtër me Lëvizjen Vetëvendosje, Azemi i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Për 4 vite, Azemi ishte përfaqësues i qytetarëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke qenë një zë i fuqishëm dhe dinjitoz.
Azemi nuk i ishte nënshtruar “urdhrave” të Lëvizjes Vetëvendosje, duke mos pranuar që të bllokojë buxhetin për Prishtinën.
Duke e pasur gjithmonë primare më të mirë për Prishtinën, përkundër shantazheve e presioneve publike nga eksponentë të LVV-së, Azemi kishte vendosur që të lejonte kalimin e buxhetit të kryeqytetit.
Në seancën e 9 dhjetorit të vitit të kaluar, përmes votës së Edmond Azemit ishte mundësuar kalimi i buxhetit të Prishtinës.
Pas votimit të buxhetit, duke vepruar kundër direktivave të VV-së, Azemi kishte kërkuar dorëheqjen nga kjo parti.
Në mars të këtij vitit, Vetëvendosje kishte njoftuar se Azemi dhe Berat Lahu nuk do të jenë pjesë e kësaj partie.
“Berat Lahu dhe Edmond Azemi nuk janë më pjesë e Lëvizjes VETEVENDOSJE!, me vendim të komisionit disiplinor të Lëvizjes. Vendimi i parë është marrë me datën 10.03.2025”, thuhej në njoftimin e LVV-së në mars të këtij viti.
Pas largimit nga Vetëvendosje ai kishte vazhduar punët e tij në të mirë të kryeqytetit si pjesë e Kuvendit Komunal.
Përgjatë karrierës së tij 20-vjeçare Azemi e kishte pasur gjithmonë primare Prishtinën.
Edhe pse me talentin e tij mund të luante në çdo ekip evropian, Azemi nuk e kishte tradhtuar asnjëherë klubin bardh e kaltër.
Ai ishte bashkuar me Prishtinën në vitin 1999 ku kishte arritur të fitonte afërsisht 40 trofe.
Me “Plisat”, Azemi ishte shpallur 12 herë kampion i Kosovës, kishte fituar 14 Kupa të Kosovës dhe 7 Superkupa, si dhe dy herë ishte shpallur kampion i Ligës Ballkanike.
Në sirtarin e tij, Azemi mban edhe titullin e kampionit në Islandë.
Përpos me Prishtinën, Azemi ishte kapiten edhe te Kombëtarja e Kosovës në basketboll.
Deri në pranimin e Kosovës në FIBA, Azemi e kishte përfaqësuar Kombëtaren e Shqipërisë.
Në qershor të vitit 2021, Azemi kishte njoftuar pensionimin nga klubi i kryeqytetit.
Me t’u pensionuar Azemi ishte emëruar drejtor gjeneral i klubit, pozitë këtë të cilën e mbajti për dy vite.
Gjatë punës së tij si asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Azemi ushtronte edhe pozitën e Koordinatorit të Përgjithshëm të Programit Afatgjatë FBK-MKRS.
Në zgjedhjet e fundit lokale, Azemi kishte marrë 513 vota, teksa në këto zgjedhje (12 tetor) ai synon të thyejë rekord.
Azemi mban numrin 10 në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
