Të fundit

Implikoi agjentë të AKI-së si dëshmitarë të rrejshëm, reagon Sylë Hoxha

Ish-prokurori special, Sylë Hoxha, ka mohuar përfshirjen e tij në skandalin e implikimit të dy agjentëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI) për të dhënë dëshmi të rrejshme në rastin e “Syrit të Popullit”.

Skandali për të cilën raportoi të premten Paparaci zbulon se si Hoxha, në bashkëpunim me ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, në janar të vitit 2018 ishin marrë vesh gojarisht të përfshinin dy agjentë të AKI-së si dëshmitarë në procesin gjyqësor të ashtuquajtur “Syri i Popullit”.

Hoxha, i cili përfshiu Prokurorinë e Shtetit në veprime që rrezikojnë rëndë sigurinë juridike në Kosovë, ka thënë të premten për mediumin online Paparaci se nuk është në dijeni për skandalin.

“Krejt ato janë në shkresa të lëndës, unë jam në pension tash dy vite dhe nuk kam marr me vete asnjë shkresë”, tha Hoxha në një bisedë telefonike për Paparacin.

Ish-prokurori i Prokurorisë Speciale, mohoi të ketë bërë marrëveshje gojore me ish-shefin e AKI-së për implikimin e dy agjentëve të AKI-së në lëndën e “Syrit të Popullit”.

“Unë nuk kam lexu asgjë çka është shkruar por nuk është e vërtetë [që kam bërë marrëveshje gojore me Driton Gashin]. Jo, jo! Çfarti!”, ka thënë ai.

Një hulumtim i publikuar sot në Paparaci, ka zbuluar se ish-prokurori special, Sylë Hoxha në një marrëveshje gojore me ish-drejtorin e AKI-së, Driton Gashi, kanë përfshirë dy agjentë në këtë skandal.

Agjentët kanë dhënë dëshmi të rrejshme në gjykatë kundër anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, i cili akuzohet për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës terroriste nga Murat Jashari.

Marrëveshja e Hoxhës dhe Gashit pa u njoftuar gjykata me këtë fakt, ka rezultuar me dhënien e identiteteve fiktive për ta dhe shpalljen dëshmitarë të mbrojtur në këtë proces.

Gjykata, kurrë nuk është njoftuar me këto veprime. Thjeshtë ka miratuar kërkesën e prokurorit për t’ju dhënë statusin e dëshmitarit.

Paparaci e di identitetin e vërtetë dhe atë fiktiv të këtyre dy agjentëve të përfshirë në këtë rast.

Se kanë dhënë dëshmi të rrejshme dëshmohet me raportin e AKI-së të datës 16 mars 2017 që i ishte dërguar kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, mbi rrezikun që përbënte një grup njerëzish për të cenuar rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës, në krye me Murat Jasharin, i cili kishte plagosur avokatin, Azem Vllasi, në banesën e tij në Prishtinë.

https://paparaci.com/2021/10/22/skandal-agjente-te-aki-se-deshmitare-te-rrejshem-permenden-thaci-veseli-kurti-e-konjufca/

Në atë raport që ka siguruar Paparaci, gjatë gjurmimit në shkresat e lëndës së Prokurorisë, njoftohej institucioni i Prokurorit të Shtetit për veprimtarinë e dyshimtë të grupit. Mes tjerash përshkruhej një bisedë e Sadri Ramabajës me një të akuzuar tjetër në një lokal në periferi të Prishtinës.

Por, në raportin e AKI-së që për autorë kishte dy agjentët nuk përmendeshin vrasje, as emra njerëzish se kush duhej të vritej.

Ndërsa në dëshmitë e tyre të dhëna në Gjykatë, agjentët tashmë me identitet fiktiv dhe të mbrojtur, kishin dëshmuar se si është planifikuar vrasja e ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kreut të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryeministrit – Isa Mustafa, ish-ministrit – Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj etj, duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Këto dëshmi mbi të cilat është mbështetur aktakuza janë përdorur më vonë nga ish-presidenti Thaçi për ta akuzuar kryeministrin aktual, Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca për lidhje me terrorizmin, përkatësisht organizatën “Syri i Popullit”.

Sipas aktakuzës, ky grup kishte planifikuar sulme dhe vrasje të personaliteteve të larta shtetërore të konsideruar si ish-funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtarë të vendit.

Pretendohej se ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtarë kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.

Video nga Paradoks

"S'du as me i pa me sy": Deputetja e LDK-së flet për njerëzit që s'mundet me i duru - "Albini vjen na shet pralla"

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Paparacit në Viber.

Subscribe në kanalin zyrtar të Paparacit - Kliko KËTU

Të fundit

TË TJERA

Qëndro i informuar

Për të mos ju ikur asnjë lajm, regjistrohu në Paparaci