Është ndaluar sot Lirim Jakupi, veterani i luftës në Luginën e Preshevës.
Ai, dyshohet për përfshirje në vrasjen e Bakush Veselit, më 12 shtator në qendër të Gjilanit.
Ndalimi në polici i Jakupit është realizuar sipas një urdhërese të lëshuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, ka bërë të ditur Policia e Kosovës në raportin 24-orësh.
Ndërkaq, rastin e ka konfirmuar sot edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.
Organi i akuzës ka thënë se ka ndaluar Jakupin nën dyshimet për përfshirje në veprën penale vrasje e rëndë, e cila kishte ndodhur vitin e kaluar në një kafene në Gjilan.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se ka ndaluar edhe një person, me inicialet L.J., pasi dyshohet se ka qenë i përfshirë në vrasjen, e cila ka ndodhur më 12 Shtator 2021, në Gjilan, ku me armë zjarri është privuar nga jeta tani i ndjeri B.V”, thuhet në njoftim.
“Ndaj të njëjtit, Prokuroria Themelore në Gjilan, brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale, pasi dyshohet se ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.
Lirim Jakupi është ish-luftëtar i tri luftave në trojet shqiptare, atë të Kosovës, të Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, si dhe luftës së Maqedonisë.
Lirim Jakupi ishte përballur me shumë akuza nga drejtësia si ajo vendore, serbe e ndërkombëtare për krime lufte.
Por, katër vjet më parë një trup gjykuese e EULEX-it e liroi atë nga të gjitha akuzat për krime lufte. /Paparaci.com