Autoritetet doganore gjermane kanë realizuar një nga operacionet më të mëdha kundër trafikut të drogës në vitet e fundit, duke sekuestruar më shumë se 8 tonë kokainë në portin Jade-Weser në Wilhelmshaven. Vlera e drogës në tregun ilegal vlerësohet të arrijë rreth 500 milionë euro.
Sipas Prokurorisë Publike të Aurichit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në Koln, lënda narkotike u zbulua më 9 shkurt në një kontejner transporti që kishte mbërritur nga Afrika Perëndimore.
Zbulimi u bë gjatë një kontrolli rutinë me rreze X nga njësia e inspektimit e Zyrës Qendrore Doganore të Oldenburgut. Gjatë skanimit, oficerët vunë re parregullsi në ngarkesë, çka çoi në një kontroll të detajuar të kontejneritm.
Brenda tij u gjetën më shumë se 400 pako të mbështjella me fletë të zezë. Sipas hetuesve, secila pako përmbante rreth 20 blloqe të ngjeshura fort kokainë, duke e çuar sasinë totale të sekuestruar në mbi 8 tonë.
Autoritetet zbuluan gjithashtu se organizatorët e trafikimit kishin vendosur transmetues GPS në pako, me qëllim monitorimin e vazhdueshëm të vendndodhjes së ngarkesës gjatë transportit, transmeton Klankosova.tv.
Për të shmangur çdo tentativë të mundshme nga grupet kriminale për rikuperimin e drogës, e gjithë sasia e sekuestruar është shkatërruar në Gjermani nën masa të rrepta sigurie.
Për arsye taktike dhe hetimore, rasti u mbajt i fshehtë për disa muaj. Hetimet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar çuan në arrestimin e dy personave të dyshuar si drejtues të rrjetit kriminal. Ata u arrestuan nga autoritetet spanjolle në mesin e muajit maj gjatë një operacioni të organizuar në provincën Almeria, ku ishte inskenuar një dorëzim i kontrolluar i kontejnerit. Njëri prej të arrestuarve është drejtues i një kompanie importi.
Ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, e përshëndeti operacionin duke e cilësuar atë si një goditje të rëndësishme ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës.
“Sekuestrimi i tetë tonëve kokainë në një operacion të vetëm përbën një goditje të madhe ndaj rrjeteve kriminale ndërkombëtare”, deklaroi ai.
Klingbeil njoftoi gjithashtu se së shpejti do t’i paraqesë kabinetit qeveritar Ligjin për Drejtësinë Financiare Doganore, i cili synon të forcojë kompetencat dhe mjetet teknologjike të doganave në luftën kundër krimit të organizuar.
