Franca dhe Gjermania kanë prezantuar një non-paper të ri që synon t’i japë një shtysë të re procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke propozuar integrim gradual të vendeve kandidate përpara anëtarësimit të plotë. Dokumenti, i paraqitur në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, i bën thirrje Komisionit Evropian të hartojë mekanizma që u mundësojnë vendeve kandidate qasje të privilegjuar në tregun e brendshëm të BE-së dhe pjesëmarrje më të afërt në proceset vendimmarrëse evropiane, transmeton Paparaci.
Sipas propozimit franko-gjerman, vendet që avancojnë në reformat dhe negociatat e anëtarësimit do të mund të përfitojnë gradualisht nga pjesëmarrja si vëzhguese në institucionet e BE-së, integrimi në programe evropiane si Erasmus+, Horizon Europe dhe Digital Europe, si dhe nga bashkëpunimi i zgjeruar në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe teknologjisë kibernetike.
Dokumenti parashikon gjithashtu integrim sektorial në tregun e përbashkët përmes nismave si SEPA, “Roam Like At Home”, tregu i energjisë dhe tregu unik digjital, ndërsa faza më e avancuar do të ishte pjesëmarrja e plotë në tregun unik sipas modelit EEA+.
Autorët theksojnë se qëllimi nuk është zëvendësimi apo vonimi i anëtarësimit të plotë në BE, por krijimi i stimujve konkretë që përshpejtojnë reformat dhe e bëjnë procesin e zgjerimit më të prekshëm për vendet kandidate. Përfitimet do të jenë të kushtëzuara nga progresi në reforma dhe do të mund të pezullohen në rast të regresit në sundimin e ligjit apo respektimin e vlerave themelore të Bashkimit Evropian./Paparaci.com
