Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për deputet , Avdullah Hoti, ka deklaruar se projekti i gazit amerikan, i cili sipas tij tashmë është përqafuar nga të gjitha partitë politike gjatë kësaj fushate zgjedhore, buron nga Marrëveshja e Uashingtonit dhe përbën një nga projektet më strategjike për Kosovën.
Përmes një postimi publik, Hoti rikujtoi se gjashtë vjet më parë Marrëveshja e Uashingtonit ishte kundërshtuar ashpër nga disa akterë politikë, të cilët, sipas tij, e kishin cilësuar atë si “tradhti kombëtare” dhe kishin vënë në pikëpyetje aleancën e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Para gjashtë vitesh, Marrëveshjen e Uashingtonit, nga e cila buron ky projekt, disa e quajtën tradhti kombëtare. Disa të tjerë, gjithë aleancën e Kosovës me SHBA-në e kualifikuan si aleancë të interesave, aleancë të frikës nga braktisja”, ka shkruar Hoti.
Ai ka theksuar se Kosovës i është dashur të përballet me kosto të larta energjetike gjatë këtyre viteve, duke argumentuar se vendi ka importuar afro një miliard euro energji elektrike, ndërsa faturat për qytetarët janë rritur.
“U desh të kalojnë gjashtë vjet, të paguajmë shumë më shtrenjtë faturat e energjisë dhe të importojmë afër 1 miliard euro energji elektrike në mënyrë që këta persona të ndryshojnë mendim”, ka deklaruar ai.
Hoti është shprehur i bindur se rëndësia e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe e projektit të gazit ka qenë e njohur që në fillim, duke akuzuar kundërshtarët e saj se vepruan për interesa të ngushta politike.
Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të ndëshkojnë politikisht ata që, sipas tij, kundërshtuan marrëveshjen dhe projektin energjetik.
“Nesër, më 7 qershor, të gjithë ata që e kundërshtuan Marrëveshjen dhe këtë projekt duhet të paguajnë faturën politike”, ka përfunduar Hoti.
