Dy zyrtarë të strukturave paralele serbe janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Pejë.
Arrestimi i tyre dyshohet që lidhet me cenimin e integritetit të procesit zgjedhor dhe ushtrimin e ndikimit të kundërligjshëm në të drejtën e votës së qytetarëve.
Sipas KosovaPress, të arrestuarit janë Millosh Dimitrijeviqin, i cili njihet si ish-kryetar i të ashtuquajturave “organe të përkohshme”, respektivisht i komunës paralele serbe në Pejë, dhe Ranko Zdravkoviq.
Dimitrijeviqin është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe konsiderohet si një nga figurat me ndikim në komunitetin serb në komunën e Pejës.
Sipas burimeve të KosovaPress, Dimitrijeviq ka mbajtur lidhje të afërta me përfaqësues politikë në Serbi dhe Republikën Srpska, përfshirë ish-ministrin serb të Arsimit, Branko Ruzhiq, si dhe ministren aktuale Snezana Paunoviq.
Ai ka marrë pjesë edhe në takime të mekanizmave konsultativë për komunitete në Komunën e Pejës, ndonëse në vazhdimësi është identifikuar si përkrahës i strukturave paralele serbe.
Ndërkohë, Ranko Zdravkoviq është ish-anëtar i bordit menaxhues të komunës paralele të Pejës dhe kryetar i SPS-së për komunën e Pejës. Aktualisht ai ushtron funksionin e anëtarit të Këshillit Lokal për Siguri në Bashkësi (KLSB) në Gorazhdec.
